Jam shumë e bindur që të gjithë i kemi dëgjuar këngët e grupit Free Mc dhe ende sot janë shumë të dashura për veshin e publikut. Solisti i grupit Endrit Hamzai ose siç publiku e nje Endri Free Mc, tashmë vjen vetëm në muzikë dhe ka sjellë disa këngë në treg. Rikthimi i tij pas një mungese të gjatë, duket se e ka gjetur me energji të reja dhe këtë e ka treguar edhe tek klipi më i ri i tij “Kurora me lule” një këngë me klip që duket se e ka sjellë në qendër të vëmendjes përsëri këngëtarin.
Fabjola Kuburi:- Endrit Hamzai apo Endri Free MC, si ke dashur të njihesh në muzikë dhe si do të thërrasim ne në këtë intervistë?
Endri Free Mc:- Në muzikë, normalisht që dua të njihem si Endri Free MC, për shkak se kështu e kam nisur, por do më pëlqente që në këtë intervistë të më thërrisnit Endri.
– A mund të na bësh një rezyme të shkurtër të karrierës tënde nga fillimi deri tani?
– Muzikën e kam në gjak. Besoj se kam lindur për të kënduar. Kam filluar të këndoj vetëm, fshehurazi, si një dashamirës i muzikës, dhe duke kuptuar sa më shumë veten. Kuptova që më përfaqësonte plotësisht! E kam nisur fillimisht në privatësi, duke kënduar kudo me veten. Më pas, kur u rrita disi, në moshën 18-vjeçare u regjistrova në Lice për kanto, ku studiova rreth dy vite. Më pas, në vitin 2003 u bëra pjesë e një grupi muzikor të sapoformuar atëherë. Nga ajo ditë, kemi realizuar 3 albume në 10 vite bashkëpunim me çunat. Asokohe u bëmë të njohur prej disa hiteve të kohës, si “Vish Fustanin me Toka”, “Gjitone”, “Ushtari”, “Mendo ti një çast” etj.
– Ishe në muzikë, mungove për disa vite dhe u riktheve përsëri. Pse kjo mungesë?
– Po, bëra një mungesë disi të gjatë le të themi, për arsye të një reflektimi. Pas gjithë atyre viteve, vendosa të ndaloja për shkak se u largova nga shteti që jetoja bashkë me çunat, dhe disi rrugët u ndanë.
– Çfarë të bëri të rikthehesh?
– Të rikthehem më bëri boshllëku që ndjeva kur lashë muzikën. Kam provuar dhe punë të tjera, por prapë, s’mund të rrija pa muzikë. E kam oksigjen!
– Kush të mbështeti në rikthimin tënd në muzikë?
-Gjatë këtij rikthimi, kam qenë pjesëmarrës i disa evenimenteve të ndodhura brenda dhe jashtë vendit, duke bashkëpunuar me shumë kolegë të nderuar dhe bashkëpunëtorë muzikorë. Gjej rastin të falenderoj këtu “MihaAlbEvent”, për vlerësimin që më kanë bërë, Luan Mihën, dhe të gjithë njerëzit që më kanë mbështetur. Iu them se i dua pafund! Faleminderit, fansa. Ju jeni motivim im! Ju jam mirënjohës. Dhe mbi të gjitha, falenderoj Zotin, për gjithçka më ka dhuruar. Ju bekoftë edhe juve!
– Si e gjete muzikën shqiptare?
– Të them të drejtën, gjërat kanë ndryshuar shumë që kur ne filluam të merreshim me muzikë. Pothuajse i kemi jetuar të tëra epokat me rradhë. Ka dhe muzikë të mirë në tregun tonë, dhe shumë këngëtarë të mirë. Por, si çdo profesion, ka dhe mangësitë e veta, që besoj se me kalimin e kohës, do eliminohen. Vetë tregu të seleksionon!
– Më fol pak për këngët e tua si solist dhe për këngën e fundit që ka pak ditë që ka dalë në treg, “Kurora me Lule”? Si u realizua kjo këngë, klipi e shumëçka tjetër…
– Me rikthimin tim, kam realizuar katër këngë, dhe të gjitha ndryshojnë nga njëra-tjetra, por kanë motiv të përbashkët. Unë dua që kënga ime të ketë një histori dhe një fabul, e mbi të gjitha, të përcjellë një mesazh. Kënga e re, që ka pak ditë që ka dalë, titullohet “Kurora me Lule”. Është një këngë pogonishte, me orkestrim dhe videoklip modern. Jemi munduar të ndërthurim populloren me modernen disi. Është një këngë e punuar nga Eran Pro Studio, nga Vani Rushiti dhe Vojsava Alia. Videoklipi është xhiruar në Berat, dhe është realizuar nga produksioni Four Infinite. Aty kanë ndihmuar dhe shumë njerëz të tjerë në realizimin e këtij projekti. I falenderoj përzemërsisht të gjithë, pa përjashtim!
– Kjo këngë është pritur mire, apo jo? E prisje këtë gjë nga publiku, këtë mikpritje të ngrohtë në rikthimin tënd në muzikë?
– Të them të drejtën, të gjitha këngët që kam nxjerrë, janë mirëpritur! Ishte diçka që më bënte kurioz kur po përgatitesha të rikthehesha. Kënga e fundit i dedikohet të gjithë atyre çifteve apo të dashuruarve që do lidhin jetën bashkë. Është pritur jashtë mase mirë! Është një temë që ndodh vazhdimisht, kështu që besoj se do t’i ngelet kohës.
– Duhet ta themi që ke një zë shumë të dashur për publikun. Kur lexon ato komentet pozitive në YouTube, si ndihesh? Çfarë motivimi të japin?
– Unë i lexoj dhe iu përgjigjem të gjithë fansave të mi, pa përjashtim! Ndihem shumë, shumë bukur moralisht, dhe do thoja që janë motivimi im më i madh. I dua shumë! Do doja t’i falenderoj pa masë fansat e mi. Iu jam shumë mirënjohës për mbështetjen.
– Ti je tashmë prind dhe sigurisht ke familjen tënde. Mes muzikës, angazhimeve dhe famijes, si e bën ekuilibrimin e kohës?
– Tani që jam prind, është e vërtetë që angazhimet dhe koha janë shumë të vlefshme. Por që të trija i kam dashuri, dhe njeriu besoj se e gjen kohën për diçka që do. Mjafton të ketë vullnet! Detyrat i ndaj bashkë me bashkëshorten time dhe kur mua më duhet të largohem për evenimente të ndryshme, e heq ajo të gjithë lodhjen. Gjej rastin ta falënderoj shumë për durimin.
-Çfarë do kemi në të ardhmen nga Endri, përsa i përket sferës profesionale?
– Në të ardhmen, shpresoj shumë që të jem fuqishëm me projekte të reja dhe angazhime të shumta. Ky është qëllimi. Se sa do ecë, mbetet t’ia lëmë kohës.Ju faleminderit!