E dashur psikologe, unë kam një fëmijë 6 vjeç dhe është shumë i zgjuar, shumë social dhe ka një marrëdhënië të shkëlqyer me fëmijët e tjerë. Ajo që më shqetëson pak ndonjëerë është se bën pyetje që më vënë në siklet dhe nuk di si t’ja shpjegoj. Më pyet për ndjenjat, për emocionet dhe do doja të më jepnit disa këshilla si t’i flas dhe shpjegoj që edhe të kuptojë por edhe të mos e rëndoj me fjalë. Faleminderit
Lorela Garuli, psikologe, email lorela_garuli@hotmail.com:- Përshendetje! Të falënderoj që ke sjellë një pyetje që lidhet me edukimin emocional, i cili është shumë i rëndësishëm por që shpesh mbetet jashtë vëmendjes së prindërve.Përvec nevojave dhe interesave, sjellja njerëzore drejtohet shpeshherë nga ndjenjat dhe emocionet, të cilat ashtu si shumë elementë të tjerë që i japin jetë marrëdhënieve njerëzore, do të edukohen dhe mësohen që në fëmijëri. Për këtë arsye, për të kuptuar sjelljen e fëmijëve dhe për të negociuar me ta, është e nevojshme që prindërit të kenë në vëmendje përjetimet ndjesore të fëmijëve. Nëse një fëmijë nuk po sillet mirë, pyetja e parë dhe kryesore që prindi duhet t’i japë përgjigje është se cfarë ndjen fëmija, zemërim, mërzi, frikë, trishtim, xhelozi?
Pikë së pari, fëmijët duhen mësuar që të flasin për ndjenjat e tyre. Është e vetmja mënyrë për t’i menaxhuar dhe kontrolluar. Duke i mësuar elementë të inteligjencës emocionale, fëmijët do mësojnë që të jenë dhe më të ndjeshëm ndaj të tjerëve më vonë në jetë; duke i mësuar të emërtojnë ndjenjat përkatëse do të dinë të shprehin si ndjehen e cfarë duan.
Prindërit mund t’i nxisin fëmijët të flasin për ndjenjat e tyre duke qenë ata vetë një shembull i mirë, duke folur ata vetë sesi ndihen. Duke nisur fjalitë me “unë ndihem”, fëmija do të edukohet të etiketojë intensitetin e emocioneve të veta.Të folurit për ndjenjat dhe emocionet është e kushtëzuar në një masë të madhe nga edukimi dhe kultura në të cilën bëjmë pjesë. Përgjithësisht, në kulturën tonë fëmijët nuk nxiten të shprehen lirshëm mbi atë që ndjejnë dhe emocionet ndahen në dy grupe: të mira dhe të këqija. Një përqasje e tillë bardhë e zi kundrejt emocioneve nuk është e këshillueshme. Krejt përkundrazi, prindi duhet të jetë empatik dhe një dëgjues i mirë, duke u vënë në vendim e fëmijës e duke u përpjekur maksimalisht të kuptojë gjendjen emocionale të fëmijës së tij. Në përgjtihësi, fëmijët priren të shprehen më shumë për emocionet dhe ndjenjat e tyre me personat që ndihen më të lirshëm dhe me personin që kalojnë më shumë kohë.Prindi mund të ndajë ndjenjat e tij gjatë ditës kur është me fëmijën në situata dhe momente të ndryshme. Kur shohin televizor bashkë, filma, apo lexojnë libra e përralla, gjen mundësinë për ta pyetur sesi ndihet një personazh i caktuar dhe pse, cilat janë arsyet që merr një vendim dhe jo një tjetër, cfarë do të bënte fëmija nëse do të ishte në nëj situatë të ngjashme.
Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!