Publiku e ka njohur nga rolet e saj në hapat e para të shoë humoristik “Al Pazar” ku pati edhe sukses me pjesët e vëna në skenë. Markela Dede, këtë herë vjen me një produkt të ri në art, një këngë me motive jugu, të cilën ka pak kohë që e ka publikuar por që do pasohet shumë shpejt nga një tjetër.

 Fabjola Kuburi:- Markela moj Markela, ku je se na ka marrë malli?

Markela Dede:- Markela është rrugës po vjen, më tha mua të  vij.(qesh)

– Nuk i le këto batutat…!

– Si mundem, më thuaj..!

-Ty publiku të njeh nga rolet e tua në “Al Pazar”, ty vetë të mungon “Al Pazar”?

-Sigurisht që e kujtoj në formën më të mirë të mundshme.

-Ke nxjerrë këngën tënde të parë “Koka bën koka pëson”, si t’u duk pritja e publikut?

-Kënga është pritur mirë realisht. Është një këngë me motive jugu, është taban muzikor i plotë.

-Edhe aktrim edhe këngë, trampolinë apo rrjedhë e natyrshme artistike?

Totalisht rrjedhë jo vetëm e natyrshme por tejet e pritshme. Nuk do i hidhja kot një varg vitesh shkollë muzike.

-Sa kohë të është dashur të realizohet si klip dhe si arrin të realizosh disa gjëra përnjëherësh?

-Kohë mori mjaftueshëm por jo më shumë se klipi tjetër që vjen për pak. Disa gjëra përnjëherësh, unë nuk jetoj dot pa shumë punë rreth vetes.

-Të shohim të ftuar nëpër koncerte bashkë me Behar Merën, ke gjetur ndoshta njeriun e duhur për të qenë sa më afër publikut apo jo?

-Behari sigurisht është jo vetëm një partner në skenë por edhe një mik shumë i mirë.

-Çfarë ke marrë ti nga arti i Behar Merës?

-Njerëzit me vlera janë gjithmonë të admirueshëm në thjeshtësinë e tyre.

-Në jetën tonë që në fëmijëri ndjekim një rrugë, një zë, një dëshirë, një rastësi, një mundësi… ti  çfarë ke ndjekur?

-U rrita me art dhe domosdoshmërisht kam ndjekur ëndrrat. Deri tani asnjë ëndërr e çuar dëm. Kam ditur ç’kam zgjedhur.

-Cilat janë gjërat që të tërheqin në përditshmërinë tënde?

-Nuk rri dot në një vend. E pamundur. Dua ti mbaroj të gjitha angazhimet e ditës menjëherë. Pastaj mundohem të kalon kohë edhe tek salloni “MD Beauty Salon” pasi është një ambient i ri dhe ka nevojë për përkushtim.

-Çfarë mendon se kanë të përbashkët  arti me femrat? Po me meshkujt?

Qenia femër në vetvete është art dhe bota mashkullore ka art po nuk është aq e komplikuar sa ajo femërore. Të trajtosh veten është domosdoshmëri. Motoja e sallonit tonë është aty ku arti bëhet një me bukurinë dhe cilësinë.

-Është më mirë të vishesh vetë apo të të vesh një kostumograf/stilist?

 –Në përditshmëri jam shumë sportive dhe casual. Ama për evente pikante sigurisht që ja lë në dorë Rezarta Skifterit dhe padyshim që rezultati do jetë i super arrirë.

-Çfarë nuk ke pasur guximin ta bësh deri tani?

-Guximi është marrëzia e pushtetit – ka thënë Balzak, dhe të them të drejtën s’kam lënë asgjë për punë guximi.

-Cili është personi apo personat që ti nuk do të doje ti humbisje kurrë?

-Definitivisht familja. Qoftë kjo familja nga unë vij, qoftë familja që do krijoj. Miqtë padyshim që kanë vend të përhershëm.

-Çfarë të jep siguri dhe çfarë pasiguri në këtë fazë të karrierës tënde?

-Çdo hap që hedh është i menduar mirë. Nuk karakterizohem nga pasiguria. Bazohem gjithmonë tek aftësitë dhe jo tek “përrallat”.

-Çfarë të inspiron kaq shumë për të bërë gjithçka që synon?

-Muza brenda vetes time.

-Kush është personi që të bën më shumë për të qeshur?

-Nuk mund të specifikoj një njeri. Të qeshësh me shpirt domethënë që e ke shpirtin plot. Ndodh që të qeshësh atëherë kur se ke pritur dhe nga njerëz që e bëjnë pa vetëdije.

-Kush është personi të cilit ti i rrëfehesh më shumë?

Motra ime është paqja ime. Gjithmonë është aty për mua pa kushte. Njëkohësisht është kritikja ime më e madhe.

-Të kanë kapur ndonjëherë duke përgjuar prapa derës?

-Përgjimi më duket skuthllëk e thënë popullorçe. Kush do që ka nevojë të dijë diçka mund të pyes. Kështu që mjer atë që kap duke përgjuar.

-Cili është ai karakter apo personazh që nuk do ta interpretoje dot kurrë?

-Karakteret janë pafund. Kur të fal Zoti dhunti për art të fal edhe ca të dhëna fizike. Ndodh që këto të dhëna të mos përshtaten me çdo karakter të mundshëm.

-Karriera jote do doje të ishte si…?

-Si e Markelës. Origjinali ngelet gjithmonë unik, nuk bëhet dot kopje.

-Tani që je një figurë publike, a të shqetësojnë thashethemet apo thjesht i anashakalon?

-S’është nevoja të jesh person publik që të kesh thashetheme. Hija ekziston kudo ku ka diell.

-Cili ka qenë thashethemi që keni dëgjuar për veten dhe që edhe ti vetë je habitur?

-Akoma s’kam arritur të dëgjoj diçka që vërtet do më habiste.

-Për ty zilia është një difekt apo i jep shtysë profesionalizmit?

-Ka një ndryshim rrënjësor mes egos për të arritur diçka dhe zilisë. Profesionalizmi nuk arrihet me zili.

-Të jesh një vajzë simpatike dhe një artiste e mirë, mos ndoshta është mënyrë e ndërsjellë e një suksesi të garantuar?

-Kur një artist mbi të gjitha është njeri normalisht që duket bukur. Artistët i fisnikëron shpirti.

-Çfarë do na thuash, në vend  të pyetjes të fundit?

– Të të përqafoj për këtë intervistë që i dhe nuancat e duhura të respektit ndaj artit. Gazeta Intervista ka qëndruar dhe do qëndrojë gjatë në duart e lexuesve sepse ka servirur gjithmonë artin në gradën më të lartë të tij, vlerat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here