Bekim Balaj është kthyer në protagonistin e kombëtares shqiptare të paktën në këto fillim eliminatoresh. Të njëjtën gjë bëri ai edhe në edicionin e kaluar për “Euro 2016” dhe shpresojmë që historia të përsëritet. Me golin ndaj Portugalisë ai dha krahë fluturimit të shqipes drejt Francës dhe tani me golat e tij ndaj Maqedonisë, një rrjetë “jetike”, dhe vulosjen e rezultatit në Vaduz të Lihtenshtejnit na dhuron 6 pikë drejt rrugës së acartë të Moskës.
Shkodranin “Intervista” e sjell në vëmendje me një bisedë të realizuar menjëherë pas ndeshjes ndaj Lihtenshtejnit. “Boomberi” flet pak dhe saktë, normalisht edhe nga koha e limituar, por pak fjali mjaftojnë për të dhënë premtimin e madh, ndaj Spanjës së Iniestës dhe Ramosit.
E megjithatë, pavarësisht, kualifikohemi apo jo, duhet të jemi me fat, pasi po jetojmë në epokën e më të lavdishme të futbollit shqiptar… Po jetojmë në një epokë të bekuar, nga qielli dhe toka!
Eraldo Harlicaj : -Balaj, je vërtet një bekim…
Bekim Balaj : -(Qesh) Shpresoj t’ju bekoj me gola të tjerë.
– Urime për golin ndaj Lihtenshtejnit, sa emocionues ishte për ju?
– Për mua çdo gol me Shqipërinë është shumë emocionues. Nuk ka rëndësi kundërshtari. Ishte i njëjtë me ndeshjet e tjera. Ishte një rrjetë e vlefshme për ekipin, pasi na dha qetësinë e dëshiruar. Tani, jemi më të qetë në ndeshjen ndaj Spanjës dhe shkojmë me një moral tjetër.
– Si ju duk ndeshja?
– Për mua ishte një ndeshje mjaft delikate, pasi kishim përballë një kundërshtar që në letër është i vogël, por në fushë të hap jo pak punë. Të gjithë mbyllen në mbrojtje dhe është e vështirë t’i çash. Mendoj se bëmë një ndeshje të mirë, pasi e përgatitëm takimin përpara dhe doli ashtu siç e dëshiruam. Shënuam shpejt dhe kjo ishte mjaft e mirë për ne se na dha krahë.
– E mendonit më të vështirë, apo më të lehtë përballë “liliputëve”?
– Nuk e mendoja fare. Kishim ardhur për 3 pikët dhe dolëm me to. Ishte një ndeshje jo shumë e lehtë, pasi e mbajtëm Lihtenshtejnin në presing lart dhe kjo kërkon shumë energji. Janë takime që kërkojnë inteligjencë, më shumë se të gjitha dhe ne ia arritëm qëllimit.
(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista” të kësaj jave. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)