– Unë që po ju shkruaj jam një studente e mbytur në lot. Kemi gjyshen shumë të sëmurë dhe një doktor që e kemi kushëri na tha se i ka ditët e numëruara dhe nuk ka se çfarë t’i bëjë spitali. Unë nuk mund ta përballoj faktin që ajo po vuan aq shumë e do të vdesë së shpejti dhe unë, që më ka rritur e me sheh në dritë të syrit, nuk e di se si ta ndihmoj. Dua ta lexoj të shtunën që e kam ditën e “Intervistës”: Si t’i ndihmojmë të moshuarit që po vdesin?
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara studente aq e dhembshur e shumë e mirë, je shprehur shkurt e qartë, por ke folur shumë. Të moshuarit, edhe pse janë në një moshë që duan shërbime, i kemi shumë të dashur e të çmuar dhe nëse kemi mbindjeshmëri të tepruar, si ti, mundet që të pikëllohemi e të lëndohemi tepër. Kur ti tregon për gjyshen tënde, mua mendja më vete te nëna ime 84 vjeçare e sëmurë. Me gjithë përpjekjet tona, nuk po mundet mjekësia që të bëjë atë që i duhet asaj, megjithatë, po bëhet maksimumi. Isha një muaj me të në Itali e nuk lamë specialist pa trokitur, por në fund të fundit, nuk mund të ndalojmë atë që është e “shkruar”. Por ka një çudi të bukur te nëna ime; sapo bëhet pak më mirë, ajo sikur e hap dritaren për ta parë jetën e botën dhe, siç thotë ajo: “e pashë edhe sot Diellin”, pra, përpiqet të gëzohet me aq sa mundet dhe mundohet të jetë e qetë. Por, s’e ka të lehtë që të jetë e qetë kur ka dhimbje. Doja të dija “psikologjinë” e saj dhe e “ngacmova” një ditë me ca pyetje, për të cilat mora një përgjigje shumë interesante, që do ta kem gjithmonë parasysh edhe për veten time: “Edhe pse jam keq, gëzohem që jetova e po jetoj kaq gjatë, gëzohem me këto që më kanë mbetur…”.
Është pak të them se u befasova me këtë përgjigje, sepse ajo e di mirë parimin psikologjik që “ai që nuk kënaqet me ato që ka, nuk do të kënaqej as me ato që do të donte të kishte…”. Nëna ime ka një “favor” se është besimtare dhe gjërat i lë në dorë të Zotit. Porse, kur të moshuarit nuk kanë një besim fetar, ata nuk e kanë të lehtë t’i pranojnë përvojat thelbësore “normale”, por vuajtjet e jetës që nga lindja, sëmundjet, pleqëria, vdekja, si pjesë përbërëse, të pandara të jetës. Është gabim të mendosh se s’duhet të jetë kështu, pasi të gjitha ato që përmenda, janë ligjet e Zotit. Nuk ia vlen të mendosh ndryshe! Unë në jetë kam njohur shumë njerëz të cilët i kam patur shumicën miq të çmuar, por që nuk jetojnë më, si profesor Hamit Beqja, Ulvi Vehbiu, Nuri Abdiu, Arqile Boti etj. Këta ishin edhe njerëz të zgjuar e me gradë shkencore, përveçse ishin me botë shpirtërore e shumë të zellshëm. Ata kanë ditur se si të jetojnë dhe më e bukura e tyre është se kanë ditur se si të vdesin. Dhe fatmirësisht, ata kanë jetuar gjatë, kur 64 vjeç ka ndërruar jetë edhe vetë profeti Muhamed. Por, siç thotë anglezi, për një njeri mos pyet se sa jetoi, por se si jetoi. Profesor Nuri Abdiu, mbi 85 vjeç, ishte edhe shefi im i katedrës tek “Ufo University”, punonte e komunikonte me të gjithë e me zell e dashur dhe nuk ulej kur shpjegonte. Nuk gjej fjalë për zellin dhe motivimin e ndjesë pastë Ulvi Vehbiu, Hamit Beqes etj. Arqile Boti arriti që ta shërojë vetveten nga një sëmundje gati e pashërueshme.
– Ndjesë paçin se ende nuk janë tharë lulet te varri i mikut tim, të ndjerit Stavri Kristo. Di të them se ky njeri me një kulturë të madhe, ka ditur se si të jetojë një jetë të bukur derisa u “fik” në pamundësi për ta vazhduar më tej “luftën” e jetës. Mbaj mend prej vitesh se si ai i shërbente me qejf bahçes plot me trëndafila, luleshtrydhe e rrush e tregonte plot gjëra të bukura e me shumë kuptim. E kënaqte jeta. Sidomos të mahniste ai pranë një gote me raki të cilën e prodhonte vetë, më tepër për të kënaqur miqtë. Ai punonte, shkruante, lexonte çdo ditë dhe vetëm shërbente e shërbene me atë fjalen e mençur, të matur e të ëmbël. Ai dinte me detaje pjesë nga jeta e njerëzve të mëdhenj dhe jetonte duke treguar mbresat më brilante nga veprat e letërsisë artistike, veçanërisht asaj ruse. Ai më mahniste! Nuk më harrohet kurrë një thënie e tij, të cilën e kam përdorur shpesh, se “plaku, sado i vjetër që të jetë, edhe mbi 100 vjeç po t’i ketë kaluar, duhet që gjithë jetën të shërbejë qoftë edhe me fjalën e mirë dhe në mëngjes kur zgjohet, duhet të thotë “faleminderit” edhe për një ditë të jetuar”.
Fjali lapidare! Edhe Kadri Roshi, ndjesë pastë, më ka thënë: “Unë e kam “mjetin” me të cilin do t’u shërbej njerëzve deri në vdekje e kjo është fjala e ëmbël, e gjetur, e duhur, me dashuri e kuptim”. Njerëz të rrallë! Një çudi e bukur, siç është edhe miku im Isa Hyseni, një burrë fisnik 80 vjeçar nga Tropoja, i cili prej 50 vitesh vazhdon të shkruajë ditar, çdo ditë e pa asnjë mungesë, madje shkruan plot gjëra brilante dhe vetëm Kadareja apo Agolli mund t’ia kenë kaluar. Një punë që s’e ka bërë dot as Arkivi i Shtetit me dhjetëra punonjës brenda.
Tani, më konkretisht, për gjyshen tënde, e dashur studente, mendoni për ata që vdesin të rinj dhe ju duhet të gëzoheni që gjyshja juaj ka pasur një jetë të gjatë. Kujtoni se sa e dobishme ka qenë ajo e sa shumë ka dhënë. Edhe ju i keni dhënë e tani nuk keni më arsye për të ndier keqardhje të tepruar. Nëse shpirti i saj është i kulluar, mendoni edhe për jetën tjetër sepse atë e besojnë mbi 51 % e shkencëtarëve madhorë të botës. Plakja është e pashmangshme, por, siç thotë me humor miku im brilant profesor Edmond Tupja: “le të plakemi triumfalisht”… Dihet se kur je i sëmurë e plak, ke edhe dhimbje dhe njeriu duhet ndërgjegjësuar që t’i dijë ato realisht, pa u gënjyer e pa i humbur shpresat. Shpresa është e fundit. Njeriu do të bëjë aq sa ka mundësi duke u përpjekur që të nxjerrë nga atje më të mirën. Pastaj, siç thonë besimtarët, atij që ka dhimbje, vetë Zoti ia shton edhe “sabrin” (durimin) dhe ia bën dermanin. Unë si psikolog nuk mund ta pranoj që pas vdekjes së një njeriu shumë të dashur, tjetri të bjerë në depresion. Kam trajtuar shumë raste të tilla e ka edhe raste kur më pyesin se “si mund t’ia siguroj vetes një vdekje të parakohshme?”. Nuk mund t’i quaj ndryshe veçse dobësi, pak a shumë njëlloj sikur njeriu të ketë dalë kundër Zotit. Këtë këshillë kam edhe për ty, e dashur studente, e rritur me atë shpirtin e pastër e altruist, por ende “fëmijë”: Në qoftë se rri pranë dikujt që po vdes, bëj atë që i pëlqen atij, bëj gjithçka për ta ndihmuar duke siguruar një atmosferë besimi e qetësie, por mos harro edhe vetë që të shkruash ndonjë sms dashurie… Ne duhet të mësohemi me idenë se çdo gjë është e përkohshme, edhe vetë jeta. Ka pleq të cilët e humbasin kthjelltësinë e durimin e bëhen shumë grindavecë. Me ta duhet bërë një sy qorr e një vesh shurdh, pasi ai është tani një “fajtor” i pafaj dhe kur nuk ka më asnjë shpresë për shërim, e mira është që të ndahemi vetëm me paqe, siç thotë një miku im, “të kafshojmë gjuhën e të mos e nxjerrim fjalën e keqe se na mbetet më pas si një brengë”. Mua më pëlqen shumë parimi fetar “bëj atë që duhet dhe mos u merr me rriskun (domethënë, me fatin që ka caktuar Zoti). Nëse një i sëmurë është në koma dhe nuk ka më asnjë shpresë për shpëtim, unë nuk jam dakord që të zgjatet një lloj gjendjeje artificiale e mbijetesës, duke vuajtur shumë e pa dobi e gjithë familja e të afërmit. Është e vështirë t’ia thuash dikujt këtë gjë, por këtë e thotë vetë logjika, mrekullia e mrekullive të cilën e ka vetëm një gjallesë: Njeriu. Të kaluara gjyshes suaj dhe Zoti jua lehtësoftë të gjithëve.
Advertisement