Përshëndetje. Fatmirësisht, tani ndodhem shumë larg Shqipërisë dhe ai maskarai që sot është një deputet i madh në Shqipëri, nuk mund të më lëndojë dot, megjithëse gjithë këto kohë mori çfarë kërkonte nga unë. Historia ime mund të jetë e ngjashme me atë të shumë vajza të tjera të reja në Shqipëri, që mund të kenë rënë pre e këtij ish-zotërisë me të cilin unë pata marrëdhënie për 3 vjet radhazi. Po ju prezantohem me emrin Ana dhe jo emrin tim të vërtetë dhe të më ndjeni, e di që keni shumë kuriozitet për emrin e deputetit, por nuk mund t’jua them. Maksimumi që mund të bëj është që t’jua lë ta kuptoni vetë, gjatë letrës sime. Unë jam një vajzë me linja dhe e bukur, dikur kam konkurruar në një kompeticion Missi në Shqipëri dhe më pas fitova bursë për Marrëdhënie të Jashtme dhe Diplomaci në një universitet privat në Tiranë (vetë nuk jam nga Tirana). Menjëherë pas atij kompeticioni bukurie, ku unë fitova një titull, më erdhi një sms nga një numër me kontratë: “Ishe vajza më e bukur aty”. Pyeta producentin tim për numrin e panjohur që më dërgoi mesazh.
“Ah, moj vajzë, tha ai i lumtur, fati të buzëqeshi, e sigurove jetën”.
Ato fjalë se si më erdhën në ato moment, ndjeva edhe kënaqësi, por edhe frikë në të njëjtën kohë. Sapo dola nga salla e konferencave të një hoteli të njohur në Tiranë, pashë te dera e hotelit të parkuar një makinë luksoze. Shoferi më hapi derën dhe pashë se në sediljen e pasme ishte një tufë me trëndafila. Më shkoi mendja te kushërinjtë e mi që ishin larg në emigrim, pasi nga familjarët e mi askush nuk kishte mundësi të bënte asisoj dhuratash.
“Ju lutem, lexojeni pusullën zonjushë”, më tha shoferi kur më pa të habitur.
E lexova pusullën që thoshte: “Nëse i hipën kësaj makine sot, do fitosh çmimin Miss për gjithë jetën tënde”. Në atë moment u mahnita. Hipa në makinë pa hezituar dhe u mahnita nga luksi që gjeta aty; s’kisha parë ndonjëherë asi makine. Pyeta shoferin se ku po shkonim, por nuk më tregoi. Në fakt, nuk këmbëngula, pasi u mahnita nga ajo joshje e ëmbël. Këtu bëra dhe gabimin e jetës sime, një gabim që do ta paguaja shtrenjtë e që më bëri të shpërngulesha nga Shqipëria.
Makina po shkonte drejt Durrësit dhe ndaloi para një hoteli të bukur. Shkova në recepsion dhe recepsionisti, shumë i përulur, sikur të kishte armën në fyt, m’u përgjigj me shumë detaje dhe i harroi klientët e tjerë. Ai më dha çelësin e suitës. Me mendje thashë se do të ishte ndonjë surprizë nga kompania që organizoi konkursin. U ngjita me ashensor dhe hapa derën. Brenda gjeta zotin deputet me shampanjë në dorë:
– Sonte, po të mos vije, do të të rrëmbeja! – tha me të qeshur dhe hapi shampanjën.
Në krevat ishte një dhuratë, mbi të cilën ishte vendosur një shumë e madhe në euro, që ai më tha se ishin për mua. O Zot, sikur më bëri magji në atë moment! Të them të drejtën, unë jam vajzë me sedër, por edhe vajza më e drejtë ose e mbarë në botë, do të tundohej në ato momente dhe nuk do t’u thoshte kurrë “jo” atyre dhuratave dhe asaj valixheje plot me euro. Në mendjen time, në ato momente, midis të mirës dhe së keqes, unë zgjodha të keqen. Mendova se sa e vlerësuar duhet të isha dhe se ky fat nuk i shkonte kujtdo. Askujt nuk mund t’i trokiste një deputet në derë. Falë tij unë do të siguroja të ardhmen time dhe do të kisha rrobat e fundit, do të bëja qejf dhe do të ndihmoja edhe familjen time. E di që bëra shumë gabim atë ditë, por ç’të bëja?! U tundova rëndë dhe ma bleu mendjen në sekondë ai maskarai që sot e urrej kaq shumë, me gjithë qenien time. Unë bëra si e vështirë dhe i thashë: “jo”, megjithëse ai e lexonte gjuhën e trupit tim, që gjithçka që ai po më ofronte, e dëshiroja kaq shumë. Bëra sikur po largohesha nga hoteli, por ai vrapoi drejt meje, më shtrëngoi dhe më tha: “Të dëshiroj kaq shumë, sonte e përgjithmonë je e imja”. Më eksitoi kaq shumë në ato momente, saqë më shtriu direkt në krevat dhe gjer në mëngjes bëmë seks si të çmendur. Kisha pirë shumë alkool dhe kur u zgjova në mëngjes, pyeta veten se ku isha ashtu. Ai më kishte lënë një shënim se kishte ikur herët në punë dhe se donte të më takonte prapë në darkë. Unë hëngra mëngjesin në hotel dhe u ktheva në Tiranë me makinë në dispozicion. Gjatë gjithë rrugës pyesja veten dhe më kapi sikleti: “Po sikur ai të më vriste që të mos nxirrja sekretin tonë?! Çfarë po bëja ashtu? Po familja ime? Si munda të shkoja në shtrat me një burrë më të madh se unë?!”.
Këto pyetje sa nuk po ma hiqnin mendjen, por kur shihja makinën në dispozicion, orën e re në krevat që gjeta në mëngjes e gjitha prej floriri, që as për njëqind vjet unë me të ardhurat e mia nuk e blija dot, po ndihesha aq mirë, saqë e dija se ishte shumë e gabuar ajo që po bëja, por më pëlqente kaq shumë. Vendosa ta takoja prapë në darkë dhe ta pyesja edhe se si do të vazhdonim. E takova përsëri jashtë kryeqytetit, ndërrova dy makina që të mos pikasej dhe bëmë seks me epsh të dy.
Dukej që atij i pëlqente shumë dhe nuk kishte marrëdhënie të mira me nusen e tij, pasi ishte i martuar. Unë isha vetëm 21 vjeçe e ai ishte kishte vite e kusur mbi shpatulla. Përsëri e dija që ishte shumë gabim kjo gjë që po bëja, që po mpleksesha më një burrë më të madh se unë, por më pëlqente shumë kjo gjë, më pëlqente çdo detaj tek ai, që te parfumi, shkathtësia e deri te lekët e tij (më thoshte se në çdo fund muaji do të më jepte miliona). Mbi të gjitha, më pëlqente shumë fakti se në fund të ditës, do flija në një hotel me 5 yje dhe nuk do të shkoja në konviktin tim, me shoqet e mia idiote e më poshtë se unë.
Ju lutem, mos më paragjykoni, se çdo vajzë do ta kishte pranuar këtë lidhje po të ishte në vendin tim. E di që kam bërë gabim, por u josha nga paratë. Ai po më blinte shumë shtrenjtë dhe po më vlerësonte. Ishte fans i çmendur pas meje dhe pas formave të mia. I lakmonte gjatë gjithë kohës. Më hipi shumë vetja në qejf pa e kuptuar që sa më shumë zgjaste, aq më shumë po i afrohesha humnerës sime. Ato ditë isha shumë në qejf, jetoja si princeshë, shoqet fillova t’i shmangia dhe frekuentoja lokalet e Bllokut. Ai më jepte herë pas here nga 500 euro që t’i prishja sipas qejfit tim. Shoqeve të mia u ra në sy mungesa ime, diferencimi nga ato dhe fakti që po bëja shumë mungesa në konvikt. Një ditë erdhën prindërit e mi që të më shihnin si isha, pasi ishin bërë merak që isha larguar prej tyre. Njëra nga shoqet e mia më spiunoi dhe babai më mori me vete në qytetin tim në shtëpi, ku më bërin namin! Më bërtiti madje dhe më goditi se ku i gjeja gjithë ato rroba të shtrenjta e pse mungoja në konvikt. Para disa muajsh u kisha dërguar para, duke u thënë se punoja diku, por im atë kishte shkuar aty ku i thashë dhe kishte konfirmuar se unë në fakt nuk isha në punë. Ah, se harrova t’ju tregoja këtë detaj, i dërgova familjes disa kohë disa shumë të mëdha parash. Njëherë u thashë i fitova në një llotari, njëherë u dhashë emrin e një kompanie të fuqishme ku thashë se isha e punësuar me rrogë të majme, kur në realitet nuk punoja asnjë ditë dhe të gjitha lekët i merrja nga deputeti.
Duke e parë se nuk kisha zgjidhje tjetër në këtë situatë, i thashë babait se isha lidhur me një biznesmen dhe se do të martohesha, pasi lidhja jonë ishte serioze. Ai më rrahu keqazi, derisa mamasë i ra të fikët dhe më përzuri nga shtëpia, duke më thënë se nuk do të ma falte kurrë që kisha vepruar pa pyetur atë e duke më thënë se nuk isha më bija e tij. Mua m’u shemb e gjithë bota në këmbë, por nga ana tjetër në celularin tim kisha një mijë e ca thirrje të humbura nga zoti deputet. Ishte bërë merak plehra se nuk do bëja seks me të. Unë kisha ngelur rrugëve të qytetit tim të vogël, kur ia hapa telefonin deputetit dhe veç qaja. Ai u tmerrua dhe më tha se për të qindtat e sekondës do më dërgonte makinën në qytetin tim të më merrte. Isha aq keq saqë isha bërë për të vrarë veten. Kur mbërrita në Tiranë, u zura keq me deputetin:
– Ti nuk më do, ti më ke fiksim mua, po më mban si prostitutë…
– Joooo, – tha ai dhe theu xhamin e tavolinës në zyën e tij. Menjëherë tre badigardë u futën brenda, por ai u bërtiti – Dilni jashtë qërohuuuuniii… më lini vetëm me gruan time…
Aty u ndjeva vërtet mirë dhe buzëqesha.
– Zemër – tha ai, – ti më çmend mua, të dua marrëzisht – dhe me puthi fort. Fjetëm bashkë dhe u harruam atë natë. Kur u zgjova të nesërmen, pashë pranë celularit tim një palë çelësa; ishin çelësat e një vile luksoze, një në rezidencë private në Tiranë. Ishin ditët më të bukura të jetës sime, me shërbëtore me pishinë e me gjithçka… Deputeti ndenji 2 javë të plota me mua dhe familjes së tij i tha se ishte në një trajnim jashtë vendit dhe se do kthehej vonë për shkak të angazhimeve politike. Jetuam çdo ditë bashkë, bënim pazar në qendrat tregtare jashtë vendit në Greqi dhe Milano dhe ktheheshim me klas vip, derisa do vinte dita e ferrit për mua.
Kisha dhimbje barku, dhe i thashë në telefon të vinte në shtëpi.
– Më duket se jam shtatzënë! – i thashë e lumtur, sapo u fut.
– Çfarë? – ulëriti ai. – Do ta heqësh menjëherë!
– Po ti sikur e kishe seriozisht me mua… – i thashë me gjysëm zëri.
Deputeti u bë si kafshë, vazhdoi të më bërtiste se ai e kishte një familje, se nuk duhet ta mërzisja, pasi nuk e dija ç’më priste. Ai nisi të më kërcënonte te familja dhe më bënte shantazh me videot e mia intime. U tremba aq shumë sepse mund t’i bënte të gjitha këto dhe e hoqa fëmijën. Pas kësaj, doja të flisja me familjen e cila edhe pak dhe do të më denonconte në polici, pasi kishte humbur çdo kontakt me mua, mirëpo ky më ndalonte ta bëja, më mbante si skllave seksi në shtëpi, të mbyllur. I thashë se do ta denoncoja në polici dhe do të flisja në media. Atëhere më rrahu keq fare dhe më nxori jashtë në shi, duke më thënë: “Ik bëje” dhe më tregoi një foto të familjes.
E pashë të nesërmen të shoqëruar me një vajzë më të re se unë, ndërsa mua më takoi nga dreka, më dha një shumë parash dhe më tha: “Kaq ishte qejfi ynë!”. Kjo ishte hera e fundit që e takova.
Unë u ktheva në shtëpi. Prindërit e mi ishin komplet të shkatërruar dhe nuk e mora guximin t’u tregoja çfarë më kishte ndodhur. Pas disa ditësh, iu hapa mamit dhe i tregova të gjithë ferrin që kisha kaluar. Babait i iku truri kur mamaja i tregoi, aq sa tani kurohet për depresion. Mos më pyesni, gjithë hallet e botës më ranë mua në qafë. Po më dridhet trupi dhe tani që e kujtoj dhe nuk shkruaj dot më… ju lutem, më ndjeni dhe më kuptoni.
Pas situatës së ndodhur, njerëzit e deputetit na mbanin në vëzhgim e vrojtim në çdo lëvizje tonën nëpërmjet servilëve të tyre. Mamaja ime kontaktoi me një organizatë bamirëse që na ndihmoi me shpejtësi dhe bujari, pasi u prekën nga historia jonë dhe e dinin që ishim viktima. Ata na dërguan jashtë shtetit në një vend të sigurt për t’u strehuar. Mbase historia ime do bëjë shumë bujë, por më besoni se edhe tani kam shumë frikë… Edhe sikur ai të mos më bëjë gjë, kam frikë nga ato kujtime dhe urrej veten time, bashkë me rrobat e mia. Ai njeri më shkatërroi familjen, më la përgjysëm shkollën, më theu ëndrrat e mia dhe më dëboi nga Shqipëria. Nëse e lexon këtë, dua t’i them vetëm kaq: “Zoti ta shoftë emrin ty, pa marrë në qafë vajza të tjera!”. Duhet ta dini që Shqipëria ka disa derra për deputetë. Mu bllokuan duart, nuk mund të shtyp më asnjë tast nga tastiera. Më duket sikur nuk kam më frikë nga kjo jetë, sepse më e keqja e të keqes më ka ndodhur. Kam ndryshuar 360 gradë tani dhe po shoh qetësi, por më vjen shumë keq për vendin tim. Ishalla bëhet ndonjëherë!
Faleminderit Gazetës Intervista që na lejon të shprehemi dhe ruan anonimatin tonë, duke lehtësuar gjithë ata shpirtëra që ndajnë historitë e tyre. Lexuesve tuaj u them: Zoti ju ruajt nga të tillë njerëz!
Advertisement