Doktoreshë Detina Zalli ka studiuar për Mjekësi Molekulare në universitetin e Saseksit më pas vazhdoi doktoraturën në Universitetin e Leiçesterit. Në vitin 2012, ajo u zhvendos në universitetin e Harvardit, në të cilin punon aktualisht si kërkuese shkencore dhe si profesoreshë. Ajo, së bashku me binjaken e saj, Argita Zalli, është themeluese e fondacionit shkencor “VVe speak science“, një institut jofitimprurës që ka si qëllim rritjen e nivelit të shkencës dhe të mjekësisë, si dhe përditësimin e publikut shqiptar me të rejat më të fundit në fushën shkencore…
Adrian Rakipi: – Përshëndetje doktoreshë. A mund të na e shpjegoni me fjalë të thjeshta se çfarë është glaukoma?
Detina Zalli: – Glaukoma në gjuhën popullore quhet tensioni i syrit dhe është një sëmundje neuro-optike, e cila në rastin më të keq, mund të çojë në humbje të shikimit. Është shumë e rëndësishme të bëhet një ndërgjegjësim dhe njohje e sëmundjes sepse kjo do të çonte në kapjen fillestare të saj, gjë që do të lejonte kurimin dhe parandalimin e verbërisë. Fillesat e glaukomës përkojnë me rritjen e tensionit brenda syrit, si pasojë e pengesës që has lëngu në pjesën e përparme të syrit për t’u larguar nëpërmjet sistemit të drenimit. Nëse tensioni i syrit vazhdon të jetë i lartë për disa kohë, ngjeshet nervi optik dhe kjo çon në dëmtimin dhe në degradimin deri në “vdekje” të fibrave nervore që çojnë sinjalet nga syri në tru.
– A ka ndonjë shkak konkret se pse rritet tensioni i syrit?
– Rritja e tensionit të syrit ndodh kur lëngu brenda në sy nuk qarkullon normalisht në pjesën e përparme të tij. Normalisht, ky lëng rrjedh nga syri përmes një kanali. Kur ky kanal bllokohet, dëmton nervin. Shkaku direkt i këtij bllokimi ende nuk dihet, por mendohet që mund të ketë lidhje me trashëgiminë. Shkaqe të zakonshme të glaukomës përfshijnë: Dëmtim nga lëndët kimike në sy, infeksion i rëndë i syve, bllokim i enëve të gjakut të syrit, gjendje inflamacioni në sy, etj. Zakonisht, glaukoma ndodh në të dy sytë.
– Cilat janë shenjat e para të sëmundjes dhe faktorët e rrezikut për këtë sëmundje?
– Duke qenë se sistemi ynë i të parit ka rezerva të mëdha, fillimisht, ndonëse fillojnë të dëmtohen fibrat nervore, nuk vihen re ndryshime të mëdha në shikim. E vetmja gjë që dallohet brenda fushës pamore nga dëmtimi i fibrave është prania e disa “rrathëve të errët”. Gjithsesi, dua të theksoj se simptomat dhe fillimi i tyre janë në varësi të llojit të glaukomës. Ekzistojnë dy lloje glaukomash: glaukoma me kënd të hapur dhe ajo me kënd të mbyllur.
Glaukoma primare ose e quajtur ndryshe, me kënd të hapur, është sëmundje kronike që prek të rriturit me tension të lartë okular. Është ky tension i cili dëmton nervin optik. Kjo lloj glaukome është edhe më e përhapura dhe prek më shumë pacientë. Në këtë formë të glaukomës, humbja e shikimit ndodh gradualisht dhe vërehet shumë rrallë. Nëse glaukoma nuk trajtohet, ajo mund të çojë në verbëri të plotë. Glaukoma akute (me kënd të mbyllur), shkaktohet nga një rritje e menjëhershme e tensionit okular. Simptomat ndodhin papritur dhe përfshijnë: Dhimbje të mëdha në sy, skuqje të syrit, dhimbje koke, të vjella, shikim të mjegullt, etj. Dallohet një tjetër kategori e glaukomës, ajo dytësore, që ka si shkaktare raste ekstreme si tumori, kataraktet apo dëmtimet në sy.
Përsa u përket faktorëve të rrezikut, personat më të rrezikuar, janë së pari ata që kanë në familje raste me glaukomë. Trashëgimia është një faktor i lartë rreziku. Mosha mbi 40 vjeç, prania e diabetit, prania e ndonjë traume në zonën e syrit, përdorimi i kortizoneve për një kohë të gjatë apo një shikim i turbullt janë të gjithë faktorë rreziku që duhet t’i kemi parasysh.
– Si mund të bëhet diagnostifikimi i glaukomes? A ka ndonjë mënyrë për ta zbuluar në kohë?
– Sigurisht që po. Diagnostikimi bëhet nëpërmjet matjes së tensionit të brendshëm të syrit. Kjo mund të bëhet fare lehtë gjatë vizitës normale tek okulisti. Vlerat normale të tensionit të syrit janë nga 11-21 mmHg. Një person me tension të syrit poshtë 18 mmHg, rrezikon më pak për të zhvilluar glaukomën. Megjithatë, ekzistojnë edhe forma të glaukomës me presion normal që janë më të vështira për t’u diagnostikuar dhe trajtuar, ndaj edhe okulisti kryen ekzaminime te mëtejshme të fushëpamjes. Ju këshilloj që, së bashku me matjen e tensionit të syrit, t’i kërkoni okulistit tuaj një vizitë komplete për ta përjashtuar glaukomën…
– Glaukoma duket si një sëmundje që vepron shumë shpejt. A të lë mundësi veprimi për ta trajtuar?
– Pjesa më e vështirë është kapja në kohë e kësaj sëmundjeje. Përsa i përket kurimit, ka shumë alternativa për trajtimin e saj, madje kohët e fundit ka disa të reja për trajtimin e glaukomës. Në trajtimin e saj përfshihen mjekime me pika në sy e trajtimi me lazer, ndërsa në rastin kur sëmundja është e përparuar, trajtimi ideal është ndërhyrja kirurgjikale.
– Cituat se kanë dalë terapi të reja në trajtimin e glaukomës. Cilat janë ato?
– Në fakt, një studim i ri ka nxjerrë të dhëna interesante. Një grup i ri i ilaçeve që trajtojnë glaukomën mendohet të veprojnë direkt e në kanalet e rrjedhjes. Këta janë të ashtuquajturit inhibitorët Rho kinasa (ROCK) që përmirësojnë rrjedhjen e lëngut të syrit. Në provat e bëra, inhibitorët ROCK kanë treguar që e reduktojnë “ngurtësinë” qelizore dhe përmirësojnë rrjedhën përmes kanaleve të rrjedhjes, duke reduktuar kështu presionin e lartë në sy. Asnjë ilaç tjetër në treg nuk e përmirëson rrjedhën e lëngut të syrit në këtë mënyrë. Rrjedhimisht, kjo është një mënyrë e re dhe e veçantë për të ulur tensionin okular.
Inhibitorët ROCK ende nuk janë aprovuar nga OBSH-ja dhe nuk janë ende të gatshme për pacientët e glaukomës. Dy kompani amerikane, Aerie dhe Altheos, janë aktualisht në zhvillimin e hulumtimeve të hershme klinike me inhibitorët topik ROCK, që të ulin tensionin okular.
Të dhënat e hulumtimeve tregojnë që inhibitorët ROCK kanë potencial për mbrojtjen e nervave, janë anti-inflamatore dhe përmirësojnë rrjedhën e gjakut të nervit optik. Të gjitha këto karakteristika i bëjnë ato trajtuesit idealë kundër glaukomës. Kjo do të ishte një zgjidhje ideale për një sëmundje që “rrëmben” dritën e syve.