Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

U solla keq me babin para vdekjes

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një djalë me brengë në zemër. Nga kjo brengë nuk mund ta jetoj jetën si gjithë bashkëmoshatarët e mi. Ndoshta edhe nga tipi që kam, e përjetoj më shumë këtë gjë.
Gjithçka filloi nga vetë kapriçot e mamit. Ne jemi katër fëmijë dhe unë jam i madhi. Kam edhe tre vëllezër e një motër. Në fillim, kur ishim të gjithë të vegjël, ishim shumë të lumtur. Babi kishte një biznes të vetin, merrej me ushqime e zotëronte një magazinë të madhe ku furnizoheshin shumë tregtarë. Babi nuk rrinte shumë në shtëpi dhe mami nuk e quante gjë të keqe këtë. Kur i thonim se ku është babi ajo gjithmonë na thoshte se kishte shumë punë e se nuk ishte e lehtë të rriste katër fëmijë. Ne u rritëm mirë. Pavarësisht se nuk ishim ndonjë familje e pasur, nuk na mungonin gjërat e nevojshme e madje nganjëherë dhe gjëra luksi. Mami nuk punonte sepse dhe ne ishim shumë fëmijë e donim shumë kujdes. Kur u rritëm ne, mami i tha babit se nuk kishte çfarë të bënte në shtëpi e i kërkoi t’i jepte ndonjë punë te biznesi familjar.
– A do punosh dot në një vend të tillë?
– Unë rrita katër fëmijë e nuk u bëkam dot magaziniere?
Mami e kishte me qejf të punonte. Në fillim shkoi gjithçka mirë, por më pas mami ndryshoi shumë. Ishte shumë e stresuar dhe shumë e nevrikosur kur kthehej nga puna. Gjithashtu, ishte bërë shumë xheloze për babin.
– Ku ishe në drekë? Pse u vonove aq shumë? – i thoshte në darkë kur takoheshin.
– Kisha punë. Ti nuk mund të më mbash të lidhur në magazinë gjithë ditën. Kush do t’i bëjë punët e tjera e dokumentet?
Në këtë kohë, mami u sëmur nga migrena dhe nuk doli për një kohë të gjatë në punë. Ishte një periudhë shumë e vështirë. Ajo e merrte babin në telefon orë e minutë.
– Ku je? Me kë je? Kur mbaron?
I kishte hipur një xhelozi e sëmurë. Më e keqja ishte se edhe ne fëmijëve na futi një xhelozi të tillë për babin. Na ishte fiksuar të gjithëve se babi mund të kishte të dashur, se i harxhonte lekët rrugëve me të tjerë dhe se nuk na donte neve. Si tani më kujtohet kur babi vinte në shtëpi e thoshte:
– Si ia kaluat?
– Mirë. – i përgjigjeshim të gjithë, sikur ishte një i huaj. Ai e shihte se askush nuk donte të fliste me të, kështu që ulej në atë divanin e tij.
Ai filloi të rrinte në shtëpi pa folur e të acarohej për një gjë të vogël. Na bërtiste edhe nëse i mungonte telekomanda e televizorit. Kjo ndoshta bëri që ai të largohej nga ne. Jo të merrte shtëpi më vete, por të largohej si njeri. Ai, edhe kur ishim të vegjël, nuk ishte shumë i afrueshëm me ne, por tani dukej sikur nuk ishte pjesëtar i familjes. Rrinte ashtu pa folur duke parë televizor. Mami edhe në këto raste e gjente si të zihej me të.
– Pse rri kështu pa folur? – i thoshte.
– Po çfarë të them? – thoshte i shkreti baba.
– Po nuk ke nevojë të flasësh me ne se ke folur gjithë ditën me të dashurat…
E kështu fillonte zënka. Babi nganjëherë inatosej dhe donte ta qëllonte, por ne fëmijët i suleshim duke i thënë që të mos na e prekte mamin me dorë. Vetëm motra ishte si më e tërhequr.
– O ma, të lutem, mos u zër me babin aq shumë! – i tha ajo një ditë.
– Unë zihem? Je në vete ti moj? Nuk i thua atij po mua, mua që ju kam rritur e ju kam bërë kaq, e vetme! Ai asnjëherë nuk ju ka marrë në krahë.
– Po edhe ai njeri është, o ma! – kur motra i tha kështu, mami u nxeh shumë.
– Pse i thua ashtu mamit? – e qortova. – Ti je e vogël e nuk duhet të futesh në këto punë.
– Po mua më vjen keq për babin kur mami nxehet.
– Po kur ai na flet e na bërtet neve, të vjen keq? – i thashë.
– Mirë, mirë, po ai është babai ynë.
Tani i kujtoj këto fjalë të motrës e nuk më besohet se si një vajzë e vogël u tregua kaq e mençur. Kjo situatë vazhdoi për një kohë të gjatë në familjen tonë. Të gjithë i ishim kundërvënë babait. Një ditë, mamin e morën në telefon dhe ajo u shqetësua shumë.
– Ç’ka ngjarë, mami?
– Babi është në spital. I ka rënë të fikët. Unë po nisem për atje.
– Po vij edhe unë. – thashë.
Kur shkuam ne, babi ishte më mirë. E kishin shtruar në një dhomë dhe i kishin bërë të gjitha analizat. Te koka e krevatit ishte një vajzë dhe një djalë. Si duket, ishin punëtorët e tij. Mami rrugës për në spital ishte shumë e mërzitur e qante pa pushim, ndërsa sa u fut në dhomë, fytyra e saj mori një tjetër pamje. U nevrikos menjëherë.
– Ne po ikim tani. – tha vajza që ishte në dhomën e babit, sa pa që ne u futëm në dhomë.
– Paske patur shoqërues të mirë. Tani keni dalë hapur?
– Nuk kam fuqi t’u përgjigjem idiotësirave të tua. – mezi foli babi.
– Idotësi? Ku ishe kur të ratë fikët? Me të? E si rrinte te koka e krevatit, sikur është gruaja jote…- fjala e mamit u nda nga mjeku i cili hyri brenda.
– Paske vizita?
– Familja. – tha babi.
– Je më mirë tani. Sa të dalin analizat, mund të shkosh në shtëpi.
– Faleminderit doktor. – tha babi, ndërsa mami nuk foli fare. E njihja këtë fytyrë të mamit. Ajo po “vlonte” nga xhelozia. Nuk e di se sa merak kishte për babin e sëmurë, por besoj se merakun më të madh e kishte për vajzën që e kishte shoqëruar babin në spital.
Nga analizat doli se babi kishte kancer në pankreas. Kishte përparuar shumë shpejt, kështu që nuk do të dilte nga spitali të paktën sa të kryente një operacion. Jo se do të shpëtonte nga operacioni, por ndoshta do të fitonte kohë. Mami u mërzit shumë. E dija se ajo e donte dhe këtë e vërtetova me ato që ajo bëri për të. I rrinte te koka natë e ditë. U dobësua e u bë dhe më keq se babai që ishte i sëmurë, mirëpo babai vdiq dhe kjo për ne ishte një bombë. U shua për një periudhë të shkurtër dhe bashkë me gjithë shërbimet që i bëmë, nuk ia doli dot.
– Më vjen keq se nuk e di se çfarë do të bëhet me ne tani, – thoshte mami. – Ai ishte një burrë i zoti e unë isha mësuar që të gjitha gjërat t’i kisha nga ai. Edhe njëherë që doja të punoja, nuk munda. Edhe atë magazinë që kemi, do të na e marrin të tjerët.
Këto fjalë të mamit më sëmbonin në zemër. Ishte ajo që gjithmonë na fliste keq për babin dhe ndoshta sëmundja atij i erdhi nga mërzia e madhe se ne familja e tij e kishim lënë mënjanë, duke dëgjuar ato fjalë që na thoshte mami. Ajo gjithmonë na thoshte se ai e tradhtonte dhe ne e besonim.
– Me të vërtetë të tradhtonte babi? – e pyeta një ditë mamin, pas vdekjes së babit.
– S’ma merr mendja! E pse do më tradhtonte?
– Po ti thoje gjithmonë, se… pastaj, atë ditë në spital i the për atë gocën që e kishte shoqëruar në spital se… – nuk ia thoja dot më hapur se ajo ende nuk e kishte marrë veten nga vdekja e babit.
– Po ajo është e re, ka moshën tënde. Si do ta bënte ai burrë këtë gjë? Ai ishte një burrë model.
Këto fjalë më bënin që ta urreja mamin. E di se është e gabuar të urresh nënën, por ajo tani pas vdekjes së tij fliste ndryshe. E sa vlerë kishin këto fjalë tani? Sa ishte gjallë, ajo ia kishte bërë ferr jetën me këto fjalë “më tradhton, harxhon lekët me të dashurat” e mbi të gjitha, na e kishte mbushur mendjen ne se nuk na donte e ne i ishim larguar e gati nuk i flisnim me gojë.
I shkreti babi! Sa ka vuajtur! Kushedi si është ndjerë kur ne fëmijët e tij e përbuznim. Sa herë isha ngritur të mos e lejoja që të rrihte mamin. Ai atëherë nuk kishte faj edhe po ta kishte rrahur, se ajo ia sillte në majë të hundës.
Po motra e vogël? Sa herë i kujtoj fjalët e saj, që donte të na mbushte mendjen se ne e kemi baba dhe duhet ta duam njësoj si nënën!
Këto mendime dhe kjo brengë nuk më lë të jetoj i qetë. Nuk kam se si t’i korrigjoj sjelljet e mia me babin. Vetëm i jam futur punës që ai la përgjysëm në magazinë që të mos mbetet në duart e të tjerëve. Sa herë shkoj te puna më duket sikur babi është aty e më buzëqesh. Shpresoj ta laj kështu atë që i bëra, megjithëse shumë njerëz nuk besojnë se shpirtrat ekzistojnë.
Ajo vajza për të cilën mendonte mami se ishte e dashura është një vajzë e mirë. Kur folëm për babin njëherë, asaj iu mbushën sytë me lot. Mirëpo unë nuk dua të mendoj keq për të. Lutem që Zoti të ma falë sjelljen ndaj babit tim, megjithëse brenga më bren e s’më lë rehat.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (4) View Comments (4)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Cila është madhësia normale e organit mashkullor?

Next Post

Kanita: Më kanë pranuar kështu siç jam

Advertisement