– Olgera, kënga “Paja paja” është projekti yt më i mirë?
– Çdo artist evoluon nga njëri projekt në tjetrin, për mirë, sigurisht, por “Paja paja” është një projekt i veçantë. Më ka pëlqyer që në fillim kur e kam dëgjuar dhe më ka sjellë në një stil ndryshe.
– Pse e bën këtë që bën? Për të bërë më shumë para?
– Fillimisht e bëj për realizimin e ëndrrës sime dhe për pasionin që kam për muzikën. Sigurisht, kur bën një punë të mirë, rrjedhojë është edhe ana monetare.
– Kush mendon se është artisti më i kompletuar që kemi?
– Nuk mendoj se ne kemi një treg muzikor të përmasave botërore. Nuk mund të them një emër, por ka disa artistë që kanë produkte të mira.
– Kur je person publik, çdo njeri ka një opinion për ty. Të shqetëson nëse ato janë të papëlqyeshme?
– Aspak, është çështje shijesh. Sigurisht, nuk mund të më duan të gjithë.
– Mendon se publiku e kupton atë që ti kërkon të sjellësh përpara tij?
– Me raste, por deri më tani mendoj se çdo projekt i imi është pritur mirë nga të gjithë.
– Cili është përcaktimi yt për suksesin?
– Talent, punë, punë, punë dhe pak fat. (Buzëqesh)
– Të ka bërë suksesi më të lumtur?
– Lumturia nuk më ka munguar as më parë, por sigurisht, më ka bërë më të plotësuar.
– Cilat janë gjërat që shijon kur bëhesh i njohur për publikun?
– Të qenët në qendër të vëmendjes ka anë pozitive dhe negative. Pozitive është kur e ndjen përkujdesjen, mirësjelljen dhe vlerësimin që kanë të tjerët ndaj teje.
– Është e lehtë ta ndash jetën private nga puna?
– Sigurisht, puna është punë, edhe pse ndonjëherë ndërthuren bashkë, por nuk është problem të dish t’i menaxhosh të dyja.
– Çfarë ka nga jeta jote private që do të doje ta bëje publike?
– Përveç faktit që jam e lumtur, asgjë tjetër. (Buzëqesh)
– Kur e kupton që një punë është vërtet e mirë?
– Kur punën që bën nuk e sheh si lodhje dhe kur merr rezultate pozitive.
– Për të qëndruar në treg, është e nevojshme të bësh kompromise? Të është dashur të bësh të tilla?
– Nuk është domosdoshmërisht e nevojshme, por për të rënë në sy më shpejt, shërben.
– Cili ka qenë një ndër vendimet më të zgjuara që ke marrë?
– Shkollimi.
– Sa e ndjeshme je ndaj pëlqimeve në youtube?
– Sigurisht, është njëfarë matësi që tregon vlerësimin e njerëzve ndaj punës sime.
– Dikush nga kolegët është shprehur se ato që janë vërtetë hite kanë nga 100 pëlqime, jo 10.000 dhe kjo do të vërtetohet me kohën…
– Kolegu ose kolegia ka të drejtë. Në një shtet me 3 milionë banorë, nuk mund të marrë një këngë 20 milionë klikime, përndryshe duhej të ishte hit botëror. Por, jemi mësuar tashmë që ka nga ata që në Youtube kanë me miliona klikime dhe këngën e tyre mund ta kenë dëgjuar realisht vetëm ai që e ka bërë dhe vetë ai që e ka kënduar. Domethënë, nuk ka shifra reale në treg.
– Nëse do të përpiqeshe të provoje diçka të re, çfarë do të ishte intriguese për ty?
– Hëm… S’e di! Mbase aktrimi.
– Po të kishe një hapësirë të bardhë për të shkruar një frazë të vetme, çfarë do të hidhje në letër?
– I can and i vvill (Unë mundem dhe do ta arrij).
– Një poezi e Shekspirit apo e Kadaresë, do të ishin tekste për një këngë interesante?
– Me trendet e teksteve që janë në muzikën tonë, momentalisht, asnjëri s’do të bënte punë. Do të dukeshin shumë romantike për kohën e sotme, por do të zgjidhja Kadarenë.
– Nga përvoja jote, janë të mundshme miqësitë në muzikë?
– Më shumë do thoja interesi. Miqtë janë me kokrra.
– Ka ndonjë prej kolegeve me të cilën nuk flet?
– Po, ka shumë. Ato që s’i njoh nga afër. (Qesh)
– Çfarë të pëlqen veçanërisht në një marrëdhënie?
– Mirëkuptimi, siguria.
– Çfarë të bën të skuqesh?
– Dielli. (Qesh)
– Çfarë është ushqim për shpirtin tënd?
– Muzika.
– Cili është qëllimi yt?
– Të kem jetëgjatësi në muzikë, jo një pikë kulmore dhe pastaj të zhdukem.
– Çfarë është më mirë se të bësh muzikë?
– Asgjë. Muzikën e kam numër një, por një lloj hobi do të quaja udhëtimet.
– Cili ka qenë momenti më i frikshëm në jetën tënde?
– Nuk kam patur ndonjë moment frike, por fobi kam lartësitë.
– Ti je tipi i vajzës që…
– …edhe kur jam gabim, kam të drejtë. (Qesh)
– Na zbulo një kuriozitet për veten…
– Kam 5 muaj që pres të nis palestrën, por them “nesër” dhe akoma nuk ka ardhur e “nesërmja”. (Qesh)
– Për çfarë ke shpenzuar më shumë kohë?
– Për muzikën.
– Po kohë të humbur, çfarë quan?
– Gjumin.
– Në gjykimin tënd, cili është një mashkull i vërtetë?
– Ai që të respekton, të mbështet dhe që ka autoritet.
– Cili është ligji i parë që do të miratoje nëse do të ishe presidente?
– Do të miratoja shumë ligje. Do të zhdukja nga qarkullimi gjysmën e atyre që kanë hyrë në muzikë dhe do t’ia hiqja imunitetin çdo politikani.
– Zakoni yt më i keq?
– Harroj shpesh ku i vendos gjërat.
– Për çfarë do të doje të ktheheshe edhe njëherë te të 20-at?
– Për të kujtuar shoqërinë e bangave të shkollës.
– Njerëzit që do patjetër t’i kesh afër?
– Familja.
– Puthje apo përqafime?
– Të dyja.
– Det apo mal?
– Det.
– Dush apo vaskë?
– Vaskë.
– Rum apo parfum?
– Kundra alkoolit! Parfum.
Advertisement