Kanita, u bë e njohur në “X Factor” ku spikati me talentin e saj, pas të cilit u dashurua edhe këngëtarja Leonora Poloska, duke realizuar me të një duet shumë të bukur me titull “Digjem për ty”. Kanita tani vjen më një tjetër bashkëpunim, atë me këngëtarin nga Maqedonia, Daim Lala, duke treguar edhe një herë se jo vetëm ka talent, por edhe di ta shprehë atë dhe është shumë bashkëpunuese. “Falje s’ka” quhet kënga dhe si duket, është vënë shumë shpirt në këtë këngë sepse ajo është pritur mirë nga publiku dhe ka pasur një shikueshmëri të lartë në Youtube…
Fabjola Kuburi: – Kanita, na trego pak, si u gjete me Daim Lalën, në këngën dhe klipin tënd më të ri?
Kanita: – Bashkëpunimi erdhi shumë rastësisht. Fillimisht, kur e dëgjova, isha pak skeptike, por pastaj duke e menduar mirë dhe duke u konsultuar me prindërit, menduam që do të ishte interesant një bashkëpunim i tillë mes dy rrymave të ndryshme muzikore.
– Ti ke një luk të thjeshtë, ndërkohë që moshataret e tua në botë paraqiten mjaft ekstravagante. Sa e vështirë është të arrihet suksesi në këtë mënyrë?
– Unë mundohem që nëpërmjet muzikës sime, të reflektoj karakterin dhe energjinë që kam. Që në fillimet e mia, publiku më ka pranuar ashtu dhe ndihem shumë e lumtur që nuk kam pasur nevojë të bëj diçka të pazakonshme.
– Ndihesh e veçantë kështu?
– Po, sepse fansat e mi më mbështesin dhe më duan për këtë që jam.
– Suksesin e sjellin ëndrrat dhe këmbëngulja apo talenti?
– Të dyja bashkë e sjellin suksesin, por mbi të gjitha unë punoj fort dhe pa ndërprerje që të nxjerr në pah pasionin dhe talentin tim.
– E konsideron veten një person të patrembur ndaj të papriturave të jetës?
– Veten e konsideroj më shumë si një sfiduese. Nuk i ndalojmë dot gjërat e papritura të jetës, por mund t’i tejkalojmë ato me shumë mund dhe përkushtim. Fakti që jam një person i njohur publik, nuk më ka ndryshuar aspak. Shpirtërisht dhe në moshë jam si një Kanitë 14 vjeçare. E vetmja gjë që më dallon nga moshatarët e mi janë përgjegjësitë e shumta që kam.
– Ma përshkruaj të lutem jetën tënde si këngëtare dhe thjesht si Kanita?
– Jeta si këngëtare është jetë me shumë përgjegjësi, ushtrime, studio e intervista, të gjitha me orar të caktuar, por kur e bën me pasion, atëherë çdo gjë është më e lehtë, ndërsa në jetën e përditshme kryej obligimet e mia, shkoj në shkollë, mësoj. Kur kam kohë, lexoj diçka ose dal me shoqet e mia. Këto gjëra…
– Të pëlqen të ecësh me rrymën apo kundër saj?
– Ndonjëherë më pëlqen të eksperimentoj, por gjithmonë në kornizat e normales.
– Rregullat e vogla që të pëlqen t’i thyesh më shpesh?
– Nuk di të kem shkelur ndonjë rregull. (Buzëqesh)
– Shumë këngëtare në moshën tënde shoqërohen gjithnjë nga mami. Ndodh edhe me ty e njëjta gjë?
– Në të shumtën e rasteve mami ka qenë më e lirë dhe më shpesh me mua, por zakonisht shkoj edhe me babin, ose me të dy.
– Sa e sigurt ndihesh në vetvete?
– Ndihem shumë e sigurt në vetvete.
– Çfarë ta jep këtë siguri?
– Edukata familjare dhe puna që bëj.
– Nuk ka asnjë moment hezitimi në jetën tënde?
– Ka momente në jetë kur të duhet konsultimi dhe mendimi i të afërmve e njerëzve që ta duan të mirën. Zakonisht, janë momentet kur duhet të marrim ndonjë vendim.
– Me cilin prej prindërve je më tepër e lidhur?
– Jam e lidhur me të dy prindërit. I dua shumë.
– Kanita, shpesh femrat etiketohen si të bukura, të zgjuara dhe sensuale. Cili nga përcaktimet të përshtatet më tepër?
– Normalisht që më tepër më përshtatet zgjuarsia, por bukuria dhe zgjuarsia do ishin një kombinim perfekt. (Qesh)
– Cila fjali është absolutisht e padobishme në fjalorin tënd?
– Fjalët dhe fjalitë që nuk bëjnë pjesë aspak në fjalorin tim janë ato ofenduese dhe banale.
– Çfarë bën kur del në shëtitje?
– Shkoj në kinema, shëtitje në natyrë.
– Ke marrë ndonjë dënim në shkollë?
– Jo, nuk kam marrë ndonjëherë ndonjë dënim.
– Këndon kur bën dush?
– Ndonjëherë.
– Talenti yt i fshehur?
– Vallëzimi dhe aktrimi.
– Cili është personi që ta bën zakonisht zgjimin në mëngjes?
– Në shumicën e rasteve, mami.
– Nëse dikush të zhgënjen, e meriton një shans të dytë?
– Të gjithë jemi njerëz dhe të gjithë mund të gabojmë ndonjëherë, prandaj mendoj se të gjithë e meritojnë një shans të dytë.
– Cilat ishin ngjyrat që i dhe ti ditës së sotme?
– Ngjyrat e ylberit.
– Nëse do të doje të eleminoje një gjë të vetme në jetën tënde, cila do të ishte ajo?
– Nuk ka ndonjë gjë që do të doja ta eliminoja.
– Përveçse dëgjon muzikë, çfarë bën kur futesh në internet?
– Përveç muzikës, në internet kontaktoj me shoqet dhe më fansat.
– Çfarë lexon kryesisht?
– Më shpesh më intereson jeta e këngëtarëve të huaj, si Bijonse e Rihana.
– Çfarë ka gjithmonë efekt pozitiv te ti?
– Dita e mirë, koha, njerëzit e mirë, energjia e mirë.
– Si i përgjigjesh dashamirësisë së publikut ndaj muzikës tënde?
– Me fjalët më të bukura dhe më të sinqerta.