Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ç’është anoreksia nervore dhe bulimia?

– I nderuar doktor Demiri, jam shumë kurioz të mësoj se çfarë është anoreksia nervore dhe bulimia, pasi kemi vajzën tonë studente dhe një mbesë me këto probleme. Ju falënderojmë. Diana Mone, Vlore.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Anoreksia nervore dhe bulimia janë dy çrregullimet kryesore të njeriut, të cilat karakterizohen nga shtrembërimet e forta në sjelljen e të ngrënit. Anoreksia nervore është meraku obsesiv i cili shfaqet me refuzimin e mbajtjes së peshës trupore mbi peshën minimale normale. Ky është një çrregullim me rrezik për jetën, i cili në fakt nuk ka si shkak ndonjë sëmundje fizike. Këto dy fenomene shfaqen tek ata njerëz të cilët e konsiderojnë shumë të rëndësishme elegancën fizike. Që në fillim të kësaj përgjigjeje, dua të theksoj se, me anoreksi nervore shpesh kuptohet mungesa e oreksit, por ne psikologët e dimë se kjo nuk ka lidhje me humbjet aq të forta të oreksit, sesa me frikën për të ngrënë. Termi anoreksi nervore nënkupton, pra, një humbje të rëndë të oreksit ose një dëmtim të tij me bazë emocionale, kurse bulimia është e njohur ndryshe edhe si “sindroma e pastrimit”. Të gjithë klientët që kam trajtuar kanë qenë njerëz të cilëve pak nga pak u është bërë si obsesion i sistematizuar frika e fortë e shtimit në peshë dhe shtrembërimi i imazhit trupor i lidhur me bukurinë ose përmasat trupore. Ndërsa “pastrimin” e nxjerrjen e ushqimit, e kam parë si kompulsion, pra, si keqpërshtatje, pa të cilën ata mbeten në ankth, pra, nuk gjejnë qetësi e rehati. Klienti është i obsesionuar për të mbajtur peshën minimum, madje poshtë minimumit normal sipas moshës e gjatësisë, të cilat i njeh shumë mirë. Merakun për të humbur në peshë, në fillim, klienti e arrin duke përjashtuar ushqimet me kalori deri në përjashtimin e tyre nga menuja, më pas nëpërmjet pakësimit tërësor të ushqimit. Kjo ndodh nga frika se “as kjo nuk po funksionon”, pra, i bëhet si kompulsion “pastrimi”, sjelljet e provokuara nga vetë personi me përdorim të gabuar të laksativëve dhe të diuretikëve. Ai mund ta synojë këtë edhe me praktikim të tepruar të aktivitetit fizik me qëllim uljen urgjente të peshës. Tani, klienti është pothuajse i futur në një rreth vicioz, sepse krahas frikës së vazhdueshme të “shëndoshjes”, fillon të ndiejë edhe rrezikun e humbjes se saj, pasi e sheh se po bëhet kockë e lëkurë. Për aq kohë sa ai humbet në peshë për të zbritur te minimumi normal, e sheh këtë si një arritje të mrekullueshme, porse edhe rënien nën minimum, e ndjen nga të gjitha anët, jo vetëm nga prishja e bukurisë fizike, por edhe për shkak të dobësisë fizike, pra, edhe “alarmit” për shëndetin e tij fizik dhe emocional.
– Në këto raste alarmi, disa nga klientët bëhen bashkëpunues, pra, vijnë te psikologu jo aq nën presionin familjar, por sepse e shikojnë me sytë e vet “gjëmën” që po u shkaktohet… Dhe, shumë mirë që vijnë te psikologu, vetëm se ardhja bëhet me vonesë, ndonjëherë fatalisht, me shumë vonesë. Vetëm pak individë apo prindër e kuptojnë se që në fillimet e mosngrënies apo të ngrënies pa kriter, do të duhet të kërkohet ndihma e psikologut, me qëllim që të pakësohen ose të eleminohen mendimet apo sjelljet e gabuara të cilat e kanë bazën te supozimet e gabuara ose te frikërat obsesive, pas të cilave vijnë kompulsionet ose keqpërshtatjet. Sa më shpejt të kapet dhe të njihet problemi, aq më pak “kosto” dhe mundim do të ketë përmirësimi. Ardhja me vonesë, përveç pasojave që ka klienti, kërkon edhe më shumë mund e seanca, pra, më shumë përpjekje të mundimshme nga të dyja palët (terapist-klient). Subjektet duhen ndërgjegjësuar sepse nuk i besojnë pasojat, madje në fillim besojnë se humbja e peshës është një arritje e mrekullueshme dhe shenjë e një vetëdisiplinimi të hekurt, ndërsa e kundërta, shtimi në peshë, përjetohet si një humbje e papranueshme e aftësive për kontroll. Në adoleshencë, anoreksia shkakton mungesë të fuqive fizike te djemtë, si edhe vonesë të ciklit menstrual te femrat. Kur vijnë për trajtim, hiqen sikur bashkëpunojnë, por nuk i tregojnë të gjitha, ndaj psikoterapeutit i duhet të mbledhë më shumë informacione nga familjarët. Nëse vërehet aktivitet i shtuar fizik jashtë çdo mundësie apo fuqie, duhet pyetur nëse e bëjnë vetëm për shëndetin apo për trup të bukur, apo si një mani për t’u dobësuar.
Rastet e bulimisë janë ngrënia pa kriter dhe sjellja e papërshtatshme kompensuese për të parandaluar rritjen në peshë. Kriza bulimike nuk janë pickimet apo ngrënia e pakët dhe e shpeshtë, por anomalitë në sasinë e ushqimit, si dhe tendenca për t’i fshehur ato, sepse u vjen turp, të shoqëruara këto nga gjendje jo të mira humori dhe uri e shpeshtë, ose kur personi ndihet i mbingrënë, domethënë “i fryrë sa s’mban më”. Në disa raste, personi ha për të vjellë, domethënë, për të shkaktuar të vjellat, ose edhe mund të përdorë gishtat ose mjetet e tjera që shkaktojnë refleksin e të vjellit përmes stimulimit të laringut. Rrallë përdoren tipe shurupesh për këtë qëllim.
Frika e madhe nga shëndoshja, dëshira për të humbur në peshë dhe niveli i pakënaqësisë për pamjen fizike janë veçori të përbashkëta të bulimikëve dhe të atyre me anoreksi nervore. Të dyja tipet mund të kenë humor depresiv, veçime sociale, irritueshmëri, pagjumësi, dhimbje koke, interesa të ulëta seksuale etj., por edhe çrregullime mjekësore, si anemi, pamjaftueshmëri veshkore, aritmi, çrregullime obsesive kompulsive që nuk kanë lidhje me anoreksinë e buliminë, për shembull, mosngrënia në publik, obsesionet e pastërtisë etj., pavarësisht se të gjitha rolet ndikojnë te çrregullimet e ankthit e të humorit.
Në këtë përgjigje, nuk mund të zgjatem për teknikat e mjeshtërinë e trajtimit. Është psikologu klinicist ai që di t’i përcaktojë këto nëse kanë lidhje me sjelljen, shëndetin apo personalitetin, pasi shpesh simptomat shfaqen si të përafërta, përngjajnë ose janë si të sofistifikuara. Terapisti duhet të fitojë respektin dhe besimin e klientit, pasi këtu varet edhe suksesi i terapisë. Do t’u lutesha kolegëve të mi të rinj që nëse e shohin se nuk kanë përvojën e duhur, të mos i futen kësaj pune me shumë përgjegjësi, pasi nëse nuk trajtohen me përkushtim e mjeshtëri të madhe, këtyre njerëzve u rrezikohet jeta. Së fundi, dua të theksoj se për këto raste, duhen mbi 20 seanca psikoterapi.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Olgera Lleshaj: Do të zhdukja gjysmën e atyre që kanë hyrë në muzikë

Next Post

Jam shumë pesimist...

Advertisement