Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Prindërit nuk më deshën kurrë

Përshëndetje redaksi e gazetës dhe ju lexues! Unë që po ju shkruaj jam një dyzet e katër vjeçar i vrarë nga jeta në maksimumin e mundshëm. Kam lindur në Burrel, fëmijërinë e kam kaluar në Fushë-Krujë e më pas kam jetuar në Elbasan sepse babai im ka qenë oficer. Kam patur një fatkeqësi qysh në lindje, kam lindur me një problem fizik dhe për këtë arsye s’më ka dashur askush, përfshirë këtu edhe prindërit e mi. Edhe sot më kujtohet ftohtësia dhe indiferenca e mamasë sime kur fëmijët jashtë më shanin sepse u dukesha si përbindësh e ajo nuk reagonte, por qeshte nën zë me një ironi që mezi e mbante që të mos i shpërthente. E thashë më lart që jam njeri i vrarë nga jeta, sepse jetën ta dhuron nëna dhe kur nuk të do ajo që të jep jetën, mendoj se është fundi për një fëmijë.
Megjithëse im atë ishte oficer, mamaja ime ka qenë pa shkollë, siç ishte koha para pesëdhjetë vitesh, kur janë martuar ata. Për një femër mjaftonte që të ishte vajzë e ndershme e për shtëpi. Im atë e mori nga fshati nusen që, sapo ra në qytet, na u bë zonjë e madhe. Unë jam i pari nga fëmijët. Tre vite pas meje mamaja ime lindi një motër e pas shtatë vitesh të tjera, edhe një vëlla. Këta dy të tjerët i lindi sagllam, pa defekte fizike siç isha unë. Unë mbarova shkollën e mesme bujqësore, sepse një si puna ime s’mund të mbaronte shkollë tjetër, motra ime mbaroi shkollën e mesme, ndërsa vëllai i vogël ka mbaruar të mesmen mekanike. Pra, të tre i ngjamë fshatares mama, asnjëri nuk i ngjau babait që të bëhej me shkollë. Në njëfarë mënyre mendoj se Zoti i dënoi prindërit e mi për mënyrën se si më trajtuan.
Ndoshta juve që po e lexoni historinë e mjerimit tim ju duket sikur unë i kam urryer prindërit e mi, por nuk është ashtu. Unë e di që nuk linda kështu për fajin e tyre, por kaq më kishte shkruar Zoti. I fajësoj ata pse më përbuzën gjithmonë.
Në kopësht kam qenë gjithmonë fëmija që kam shkuar i pari në grup e më kanë marrë prindërit të fundit sepse nuk më donin në shtëpi. Në shkollë më kanë shtyrë e sharë gjithnjë, por asnjëherë prindërit s’e morën mundimin të vinin e të më shoqëronin e të më jepnin zemër të përballesha me të tjerët. Përpjekja e tyre e vetme ishte të më zhysnin në mjerimin tim me indiferencën e tyre.
Kur kam qenë në shkollë të mesme, kisha në klasë çuna që vinin nga fshatrat dhe sigurisht nuk ishin shumë të hedhur si djemtë e qytetit dhe nuk më shanin shumë. Kam edhe një hallë që më ka dashur kështu siç jam. Fëmijët e saj janë të vetmit që më flasin, më ftojnë në dasma e në gëzime. Halla, vajzën e vogël e kishte tre vite pas meje. E mbaj mend që ajo ndalej bashkë me shoqen e saj e më flisnin në rrugë apo në shkollë. Kur kishin orë pushimi, pranonin të rrinin me mua në oborrin e shkollës. Kështu, edhe djemtë e vajzat e tjerë të klasës së tyre filluan të më shihnin ndryshe. Kur kushërira ime ishte në gjimnaz ka qenë e vetmja periudhë që më është ngrohur zemra nga dashuria e njerëzve dhe që më kanë parë si njeri normal.
Siç ju thashë, motra ime ishte tre vite pas meje. Ajo, pasi mbaroi shkollën e mesme, konkurroi për shkollë të lartë, por sigurisht që nuk fitoi se nuk kishte as mesatare e as nuk mësonte dot për konkurs. Nuk di se si, por kur shkoi në Tiranë për të konkurruar, njohu një djalë. Kishin folur aq sa mund të flasin dy njerëz të panjohur, por ai kishte arritur t’i merrte emrin dhe qytetin ku kishte shtëpinë.
Kur ajo u kthye nga konkursi, e dëgjova që tregoi se kishte takuar një djalë që shoqëronte të motrën për të konkurruar edhe ajo. Tha që kishte qenë djalë shumë i mirë, i bukur e vazhdonte studimet për Mjekësi.
– Po ku e more vesh që ishte djalë i mirë? Ti gjysëm ore ke folur me të në oborr të fakultetit, apo, harrova je e zgjuara e mamit?! – i thashë unë.
– Epo, jo të gjithë njerëzit janë gjysmakë si puna jote, – ma ktheu flakë për flakë ajo. Sigurisht, i mësuar me fyerje, nuk më bëri përshtypje. Plaga ime kishte zënë kore qysh në fëmijëri.
Por, doli që ky djali studenti i Mjekësisë na erdhi në qytetin tonë. Ai kishte patur një shok në shkollë të cilin e kish pyetur më parë për time motër e më pas kishte ardhur për ta takuar. Ai erdhi e takoi disa herë motrën time derisa ata vendosën të fejoheshin, edhe pse motra nuk fitoi asnjë konkurs për të vazhduar studimet. Kur në shtëpi mora vesh se do të vinin miqtë e rinj për t’i kërkuar dorën motrës, plasi edhe bomba tjetër.
– Po ti, ku do shkosh? Ti nuk mund të rrish në shtëpi e të të shohin prindërit e djalit – më tha ime motër.
– Si të iki moj? Ku të iki? Po në mos këtë radhë, dikur ata do të më shohin! Pastaj, ti i ke treguar atij që ke një vëlla më të madh, është akoma më shumë turp të thuash që iku e s’deshi të takonte krushqinë e re.
– Posi more! Unë nuk i kam treguar fare për ty! – tha ajo, si pa gjë të keqe.
– Mirë e ka vajza, ik nga halla jote, ajo të do shumë ty, – e ndihmoi ime më.
– Moj, ju të dyja s’më dukeni në terezi… Po në mos më takojnë sot, do të më takojnë mot e në mos më takofshin asnjëherë, dikush do t’u thotë që unë ekzistoj. Nuk mund të më fshihni kështu, kaq turp ju vjen nga unë? Unë nuk kam bërë asnjë turp, kështu më ka falur Zoti e nuk iki asgjëkundi, – u thashë dhe u ula që të mos më dridheshin më këmbët.
– Epo, zot shtëpie jam unë, – tha babai. – Më mirë ik nga halla e rri dy apo tri ditë e ne po themi që je nisur për në Greqi. Ka sa të duash djem të rinj që ikin e s’vijnë më.
– Aha, domethënë të iki të zë ndonjë greminë rrugës për në Greqi? – iu përgjigja.
– Si të duash… në daç zër greminën, në daç shko te halla, po këtu s’të dua kur të vijnë prindërit e të fejuarit tim, – tha ime motër duke më treguar derën me dorë. Nuk më mbajtën më nervat dhe u çova e ia ngjesha një shpullë sa më hëngri krahu, gjë që s’e kisha bërë as me fëmijët jashtë që më shanin gjithë kohën. Në atë kohë, im atë u ngrit menjëherë, më kapi nga krahu e më shtyu për nga dera.
– Atëherë më dëgjo mirë, do dalësh jashtë sot dhe nuk do të kthehesh më këtu, meqenëse të duket vetja i fortë. Boll na e ke nxirë jetën deri më sot, nuk do t’i prishësh fatin edhe vajzës. Ti, – iu drejtua mamasë time, – jepja rrobat e tij për pesë minuta dhe, jashtë! – Dhe kjo fjala “jashtë” ishte tamam me ton ushtarak. Prita në korridor pesë minuta time më që më mblodhi ku kishte dy apo tri kanotiere e mbathje të grisura, dy palë pantallona, një këmishë të larë e një të palarë që e mori në banjë.
– Kaq, s’ke rroba të tjera, – tha dhe hapi derën e jashtme.
Me qesen që e shtrëngoja para gjoksit, unë dola nga shtëpia. Kur zbrita shkallët në katin e parë, u ula një herë që të merrja veten. Nuk e di mirë se sa ndenja, por kur pashë disa komshinj që po vinin, u çova, i përshëndeta e ika. Atë natë mora një furgon e ika te halla. Pas darke asaj i tregova gjysmat e atyre që më kishin thënë, se më vinte turp të thosha që s’më donte mamaja ime. I kërkova të më jepte ndonjë lek borxh.
– Nëse do kesh të më japësh… Nuk të premtoj dot asgjë se kur do të t’i kthej, por do përpiqem sa më shpejt, – i thashë.
Ajo me siguri e pa që kishte ndodhur më e keqja dhe më dha aq para sa të mund të vija në Tiranë e të jetoja për nja dy muaj sa të gjeja ndonjë punë. Por në Tiranë gjithkush e kishte të vështirë të më besonte. Nuk kisha askënd që të thoshte një fjalë të mirë për mua. Kam ndenjur në Tiranë duke ngrënë sa më pak të ishte e mundur, që të ruaja paratë, kam fjetur në cepa pallatesh e në këmbët e urës së Lanës sepse nuk gjeja të merrja shtëpi me qira me aq para sa kisha. Si përfundim, paratë që më dha halla, u mbaruan. Endesha sa nga njëra lagje në tjetrën e nuk gjeja asnjë zgjidhje. Dikur u ndala i lodhur nga uria e nga lodhja. Ndenja tri ditë rresht para një lavazhi. Natën flija në strehën e lavazhit e thoja: “Nëse vdes, të paktën do të më gjejnë të nesërmen në mëngjes”, por ja që s’vdiqa. Në një nga këto ditët e qëndrimit pranë lavazhit, njërit iu prish goma e makinës e unë shkova ta ndihmoja për ta ndërruar që ai të mos bëhej pis. E ndihmuam unë dhe djali i lavazhit. Në fillim, shoferi i makinës më tha që s’kishte nevojë, por djali i lavazhit ia bëri me shenjë që s’isha i rrezikshëm. Kështu, pasi ndërruam gomën, ai më zgjati një dy mijë lekësh.
– Jo, faleminderit, të ndihmova se e pashë që e kishe problem të bëheshe pis, ndërkohë që unë pis jam e s’e kam problem, – i thashë e shkova në strofkën time. Djali që punonte te lavazhi atë ditë më solli një bukë, gjizë e një kile mollë. Për dy ditë u ngopa e më dukej vetja tjetër njeri. Qysh nga ajo ditë ai më tha t’i pastroja vendin rreth e rrotull lavazhit dhe do të më jepte ushqim. Për mua, kjo ishte mrekulli. Unë pastroja jo vetëm rrugën afër lavazhit, por edhe në lagje. Kështu, banorët e lagjes filluan të mësoheshin me pamjen time. Shumë gra nga lagjja kur donin të hidhnin rroba, i fusnin në qese të pastra e m’i jepnin në dorë. Kështu, të paktën dukesha më i veshur e më i pastër se ndërrohesha shpesh.
Ndërsa rrija në atë strofkën që kisha sajuar me kanatet e një dollapi që e kisha gjetur në plehra, vëzhgoja gjithë njerëzit që lëviznin lart e poshtë me shpresën se kujt mund t’i nevojitej ndihma ime. Një nga njerëzit që shikoja ishte një vajzë. Në fakt, kishte një problem, se shkonte me të gjithë djemtë e lagjes. Pasi e mendova mirë, thashë që me një vajzë të tillë s’mund të martohej askush që e njihte, por vetëm një njeri dhe ky isha unë. Ashtu i palarë, i paushqyer, fillova t’i dilja në rrugë që të më shihte e të mos trembej nga unë. I mësova oraret kur dilte e kur kthehej dhe doja që t’i flisja ndërkohë që punoja sepse doja t’i tregoja anën time të mirë. Dhe kështu, pasi e kisha përshëndetur disa herë, një mbrëmje kur po kthehej, i fola.
– Mirëmbrëma… A ke vetëm dy minuta kohë të më dëgjosh?
– Po, çfarë do? – tha dhe nga zëri e kuptova që po qante.
– Ç’të ka ndodhur? – e pyeta sepse vërtet u shqetësova.
– Më la edhe dashnori i radhës, – më tha, – ç’të kem tjetër?
– Më vjen keq, s’di si të të ndihmoj, por unë e di që me mentalitetin e djemve shqiptarë asnjë s’do të martohet me ty. Të gjithë të duan vetëm për momentin.
– Ouu edhe ti kështu mendon për mua?
– Jo, jo s’ka lidhje, më fal, ishte shumë e keqe ajo që thashë, por këtë kam dëgjuar… Unë desha të të them tjetër gjë.
– Pa hë, ta dëgjojmë ç’do na thuash ndonjë xhevahir tjetër?
– Epo, meqenëse nuk ke zgjidhje tjetër, pse nuk martohesh me mua? Jam djalë i mirë, nuk kam vese. Dhe me mua nuk do të martohet asnjë vajzë, do trembej gjithkush nga një lidhje me mua, – i thashë të gjitha pa frymë.
– Çfarëëëë? – tha ajo e shastisur – Unë të martohem me ty?
– Dakord, vetëm mos bërtit… – i thashë. – Të lutem, mos i thuaj askujt se çfarë të thashë dhe unë do ta ngre diku tjetër këtë koliben time, se nuk duroj dot sharje të tjera. Kam njëzet e pesë vjet që dëgjoj vetëm njerëz që më shajnë. Natën e mirë, – i thashë dhe ktheva shpinën.
U ktheva te kolibja, për habinë time, jo shumë i lënduar. Thellë-thellë isha i përgatitur për një jo të madhe nga ana e saj. Vetëm fillova të kujtoja vendet ku kisha ndenjur më parë që të mund të zhvendosja koliben, por më prishte punë, se s’kisha më ushqim. Thashë të ikja pasi të kërkoja ndonjë punë tjetër. Në fakt, të nesërmen e ditët në vijim nuk më ngacmoi askush. Një burri në lagje që kishte një biznes privat, i duhej një roje dhe më pyeti nëse doja të punoja për të.
– Sigurisht, – i thashë.
Një punë për mua do të ishte mrekulli. Kështu, jo vetëm punoja roje, por pastroja edhe ambientet rreth e rrotull. Pasi mora rrogën e parë, kërkova dhe mora një dhomë me qira aty në lagjen ku kisha koliben. Natën punoja roje e pastroja, paradite flija e pushoja, kurse mbasdite shkoja të pastroja te lavazhi. Tashmë e bëja për mirënjohje, sepse ata ishin të vetmit që më ushqyen për lëmoshë për muaj të tërë dhe nuk më përbuzën, kur në fakt më përbuzte edhe familja ime.
Pas tre muajsh punë, fillova ta merrja veten, kisha blerë dy-tri gjëra për dhomën dhe rroba, lahesha, pastrohesha, ushqehesha të paktën nuk bezdisja njeri. Dhomën e mbaja të pastër nga frika se mos ankoheshin komshinjtë se vinte erë e keqe e më nxirrnin nga shtëpia. Kështu, pas një viti, vajza e vetme që i propozova për martesë u kthye sërish tek unë.
– Më la edhe dashnori tjetër, më duket se po del parashikimi yt, – më tha, ndërsa rrethi i syve ishte theksuar aq shumë sa m’u duk dhjetë vite më e plakur.
– Po vjen tek unë që të më thuash këtë, apo të më thuash që do të vish të rrish me mua? – i thashë.
– Mendoj të vij të rri me ty. Ti s’je i bukur, por njeri i mirë e djalë punëtor…
E kështu ne jetojmë edhe sot bashkë, kemi të njëjtën dhomë që pata marrë në fillim sepse nuk përballojmë qira më të shtrenjtë dhe kemi dy fëmijë. Shyqyr, fëmijët nuk më ngjajnë mua, por mamasë së tyre. Gruaja ime më respekton, fëmijët më duan, ndërsa familja ime akoma nuk ka treguar interes për t’i parë fëmijët e mi. Megjithatë, mua më merr malli për prindërit, edhe pse më përbuzën gjithë jetën.

M

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (3) View Comments (3)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Studimi që ndryshoi konceptin mbi lumturinë e çiftit

Next Post

Disa fakte që nuk i dinit për divorcet

Advertisement