– Jam 18 vjeçe dhe kam probleme me veten time. Nuk ndihem shumë e aftë t’u kthej përgjigje njerëzve. Edhe kur më tallin apo më ironizojnë, nuk e tregoj dot veten ashtu siç duhet dhe për më tepër, në mendjen time e kam përgjigjen, por nuk flas. Jam shumë e ndrojtur dhe kur duhet thënë “jo”, nuk e them, nuk di të refuzoj. Jam shumë e përlur dhe kjo gjë ka filluar të më bëjë të ndihem keq me veten, më ka humbur komplet besimi, më duket vetja e paaftë për gjithçka. Për pasojë, edhe paraqitja ime më duket e shëmtuar. Ju lutem, më thoni si të bëhem më e shkathët, si të dal nga kjo gjendje, çfarë më këshilloni? Si të sillem në jetë? Më intereson edhe mendimi i të tjerëve dhe më duket sikur më mendojnë si një vajzë të mefshtë e të dobët!
– Së pari, ju këshilloj të mos e bëni qimen tra, sepse jeni vetëm 18 vjeçe dhe jeni ende në kohë për të krijuar besim në vetvete. Edhe mosha që keni ndikon në këtë luhatje në ndërtimin e karakterit tuaj. Ju keni mungesë besimi përsa u përket aftësive sociale dhe frikë se nuk silleni ashtu siç duhet në shoqëri. Kjo do të thotë që keni frikë nga vlerësimi i të tjerëve, sidomos kur ai mund të jetë negativ. Në fakt, kjo frikë nuk do të thotë aspak se ju keni defiçite reale në aftësitë sociale, në komunikim, por është frika ajo që ju bën të mendoni se keni difekte që të tjerët mund t’i vënë re. Sjellja juaj, pamundësia për të kthyer përgjigje, qëndrimi larg të tjerëve, mosrefuzimi, pakënaqësia për pamjen fizike etj., janë një reagim i pashmangshëm i frikës që ndjeni për aftësitë tuaja sociale apo për të ndërvepruar me të tjerët.
– Përqendrimi te problemet që ju mendoni se i keni me veten, ju bën të mos reagoni, sepse keni frikë nga reagimi i të tjerëve. Ama duhet të reagoni, nuk duhet të keni kaq shumë mendime negative për veten. Mendoni pak më shumë se sa gjëra pozitive mund të keni dhe të jeni e sigurt se të tjerët i njohin dhe i vlerësojnë ato. Më e rëndësishme është t’ia njihni ju vetes të mirat që keni dhe t’i vini në dukje aty ku mundeni. Jeni në gjendje të përmirësoni çdo gjë që mendoni se nuk shkon mirë, pa e dënuar veten si të paaftë sepse nuk mund ta imagjinoni sa gjëra mund të zbuloni te vetja, duke eksperimentuar me botën përreth.
Nëse ju pëlqen shoqëria, kërkojeni atë, përfshihuni në aktivitete të ndryshme dhe gjeni mënyrën si t’u shmangeni atyre që s’ju pëlqejnë. Këtë mund ta bëni edhe në një bisedë të thjeshtë dhe të tjerët kuptojnë më tepër se çfarë ju pëlqen e çfarë jo, duke u dhënë mundësinë t’ju njohin, por edhe ju të shprehni veten. Mund të kundërshtoni një ide kur e mendoni ndryshe dhe thuajeni hapur se ky është mendimi juaj e keni arsyet tuaja pse mendoni ashtu. Këto dhe shumë të tjera janë gjërat që mund të bëni për të ndihmuar veten, por jo gjithmonë ia arrijmë dhe mund ta kuptoni vetëm ju nëse keni apo jo nevojë të takoni një psikolog.
Nëse shikoni që keni reagime të ashpra, apo dhe kundërshtime që nuk pajtohen me tuajat, përsëri jini vetvetja dhe shprehni atë që mendoni. Bëjeni për veten tuaj, mos mendoni se çfarë mendojnë të tjerët rreth jush. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të ndërtuar karakterin tuaj, për t’u rritur, për t’u pjekur dhe për të zënë vend në shoqëri.
Advertisement