Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Është e rrezikshme heqja e nishaneve?
Ferdinant (Ferdi) Mjeshtri: E kam gjetur me kalimin e viteve…
Test Çfarë dini për grimin?

Ferdinant (Ferdi) Mjeshtri: E kam gjetur me kalimin e viteve…

Ferdinant Mjeshtri ose siç e njohin të gjithë, Ferdi Mjeshtri, është një emër jo pak i dëgjuar për ata që frekuentojnë mbrëmjet festive dhe që e pëlqejnë muzikën tradicionale shqiptare, sidomos atë të jugut. Ferdi është i pranishëm edhe në gëzimet familjare ku me instrumentin e tij, nxjerr tinguj të mrekullueshëm, tinguj të dashur që i bëjnë të ndihen mirë të pranishmit. Ai i është mirënjohës publikut të tij, të cilin e falënderon që e ka vlerësuar dhe duartrokitur gjithmonë…

Fabjola Kuburi: – Çfarë duhet të na vijë ndërmend kur themi Ferdinant Mjeshtri?
Ferdinant (Ferdi) Mjeshtri: – Ferdi është një muzikant nga Dëshirani i Elbasanit, që është i dashuruar me muzikën dhe me jetën që bën. Shpresoj që në të ardhmen të sjell gjëra edhe më të bukura që ta shpërblej publikun për mbështetjen që më ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve.
– Ferdi, si u gjete me muzikën?
– Me muzikën, ose më saktë me interpretimin në klarinetë, kam filluar të merrem që para viteve ’90, kam qenë rreth 6 vjeç dhe duke qenë se unë rrjedh nga një familje muzikantësh sepse kisha babain shembullin tim, muzika u bë pasioni im. Pasioni im ka qenë dhe besoj se do të jetë gjithmonë klarineta.
– A e gjete menjëherë mbështetjen e publikut apo fillimisht qe e vështirë?
– Mbështetjen e publikut duhet shumë punë ta fitosh, por unë e kam gjetur me kalimin e viteve. Jam përpjekur të bëj një punë të mirë e me nivel në muzikë dhe kjo ka bërë që publiku të më mbështesë. E falënderoj pa masë.
– Si ndihesh pas çdo vlerësimi që merr në koncerte?
– Ndihem mirë me veten dhe me publikun, sepse nëse publiku më duartroket ose kërcen gjatë kohës që unë jam në skenë, do të thotë që e pëlqen atë që interpretoj unë.
– Po kur ke qenë i ftuar në skena evropiane, a e ke ndjerë të njëjtën mikëpritje si në atdhe?
– Unë kam qenë i ftuar në Greqi, Itali, Gjermani, Belgjikë e në shumë të tjera dhe më kanë pritur shumë mirë. Kam jetuar në Greqi për 20 vjet dhe jam vlerësuar shumë në skenat dhe në koncertet ku kam qenë i ftuar.
– Puna live në lokalet e natës, më duket shumë e lodhshme. A ia vlen gjithë kjo lodhje?
– Është punë e vështirë, faktikisht, sepse netët pa gjumë të çorientojnë, por edhe ajo ka anët e saj pozitive; je gjithmonë i rrethuar nga një publik që të do e të vlerëson dhe kjo i justifikon të gjitha.
– Ti ke punuar dhe vazhdon të punosh me këngëtarë të nivelit të lartë artistik. Si je ndier mes tyre?
– Është privilegj dhe kënaqësi për mua që të punoj me artistë të niveleve të larta. Unë i falënderoj ata, pa përmendur emra dhe pa bërë dallime, sepse të gjithë ata me të cilët kam punuar, janë të mrekullueshëm. Uroj të kemi bashkëpunime të tjera në vazhdim.
– Ti je i ftuar edhe në dasma dhe në gëzime të tjera familjare. Je i pranishëm vetëm në dasmat e jugut?
– Unë vetë jam nga Shqipëria e Mesme, por jam i ftuar kudo dhe të them të vërtetën, kudo ku shkoj më presin mirë, ndihem si në shtëpinë time. Ky është një privilegj i madh. Do të vazhdoj të jem kudo ku më kërkojnë dhe ku e duan muzikën që bëj.
– Ferdi, ti je njohës i mirë i muzikës popullore. Si e shikon sot muzikën popullore, ndërsa shumë debutues në njëfarë mënyre, edhe e kanë prishur atë?
– Shoqëria ka shtresa të ndryshme dhe secili mundohet t’u përshtatet atyre. Secili e bën muzikën në mënyrën që do. Unë mendoj se ai artist që do të bëjë muzikë tamam dhe me vlera, e bën dhe merret absolutisht me profesionalizëm me muzikën. Ai që do të bëjë muzikë komerciale, përsëri do të gjejë grupin e tij që do ta dëgjojë e kështu me radhë. Ama, tabani është muzika që nuk vdes, ndaj unë insistoj dhe i mëshoj faktit që muzika tradicionale është identiteti i të qenit shqiptar.
– Ti je baba i dy djemve. Dëshiron që ata të kenë profesionin tënd apo do që ta zgjedhin vetë?
– Djemtë e mi më mbushin me jetë, kur jam i lodhur, më çlodhin. Janë pasuria ime më e madhe. Sa për profesionin, ishte dëshira e babait tim që unë të merresha me muzikë, ashtu siç është edhe dëshira ime që djemtë e mi të vazhdojnë rrugën time. Gjithsesi, unë nuk do t’u imponoj asgjë përsa i përket profesionit, janë të lirë të zgjedhin të bëjnë atë që duan, ashtu siç edhe unë zgjodha muzikën!
– Kam dëgjuar që je shumë punëtor…
– E ke dëgjuar mirë! (Buzëqesh) Jam punëtor në të gjitha drejtimet, sepse një njeri që nuk punon, është i dështuar. Unë punoj për familjen, për emrin tim dhe për fansat e mi. Dua që të ndihen mirë me muzikën që bëj.
– Ma merr mendja që në këtë përkufizim duhet të futet dhe fakti që je dhe baba shumë i mirë?
– Sigurisht, familja është shtylla e jetës dhe unë e konsideroj punë më vete. E kam të domosdoshme t’i përkushtohem familjes, sidomos djemve të mi dhe të përpiqem të jem pranë tyre gjatë gjithë kohës. Familja është e shenjtë!
– Ç’raport ke me paranë?
– I kam raportet shumë të mira, është mjeti kryesor i jetesës dhe duhet për gjithçka. Është e domosdoshme sepse mendoj se tashmë nuk mendohet më për të jetuar për bukën e gojës, por për diçka më shumë, për të arritur një stad më të lartë jetese.
– Për çfarë shpenzon më shumë?
– E respektoj shumë paranë dhe di ta shpenzoj në vende të caktuara, me njerëz që ia vlen ta harxhoj, me familjen time, që nuk diskutohet.
– Ka ndodhur ndonjëherë që je penduar për ndonjë “lëvizje të gabuar” në profesion apo qoftë edhe në jetë?
– Jeta është e mbushur me lëvizje të gabuara, të cilat të mësojnë që të mos i përsërisësh më.
– Çfarë shembulli ke vendosur t’u japësh fansave?
– Shembullin e veçantisë dhe të origjinalitetit.
– A ke rivalë?
– Jo, kur je origjinal, nuk ke pse të kesh frikë nga rivalët. Secili ka mënyrën e vet se si performon në publik.
– Cili është pengu yt?
– Nuk kam pengje sepse ato që dua, synimet e mia, i realizoj.
– Nëse përballë do të kishe veten, cilën pyetje do t’ia bëje të parën dhe cilën nuk do t’ia bëje kurrë?
– Nuk e di, të them të drejtën, nuk e kam menduar ndonjëherë… Pyetje e veçantë dhe e bukur…
– Kujtimi që e ruan me fanatizëm nga fëmijëria jote?
– Sinqeritetin dhe lojërat që bënim mes fëmijëve të lagjes.
– Një deklaratë publike përmes gazetës sonë…
– Ju uroj gjithçka të bukur juve dhe stafit tuaj. Faleminderit për këtë intervistë të këndshme. Falënderoj të gjithë publikun që më mbështet dhe e garantoj që në të ardhmen do të dëgjojë shumë muzikë të bukur nga Ferdi Mjeshtri.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Është e rrezikshme heqja e nishaneve?

Next Post

Test Çfarë dini për grimin?

Advertisement