Ju kishte marrë malli për Çartanin? E keni parë klipin e tij të fundit “Gang Bang”? Edhe pse shfaqet rrallë, duket se kjo është një strategji efikase e Çartanit për t’i dhënë rëndësinë e duhur çdo klipi që publikon. Këtë herë ai ka ardhur në një bashkëpunim me Lazy-n dhe JKN-në ku ajo që vihet re, pasi zor të ndodhë në klipe, është mungesa e femrave. Pas një mungese të theksuar, Çarti zbulon detaje për klipin, por jo vetëm…

 

Mia Buci:Çarti, dikur të dëgjonim me këngë të llojit “1 sms” apo “Dikur”, ndërsa këtë herë ke preferuar të vish më rëndshëm. Pse “Gang Bang”?

Çartani: – Po ta marrësh si fjalë, “Gang Bang” ka disa nënkuptime. Varet nga dëgjuesit se si e dëgjojnë dhe ku e gjejnë veten ata. (Buzëqesh) Edhe “1 sms”, “Dikur” e këngë të tjera janë dëgjuar fuqishëm. (Qesh)

– Çfarë ju bashkon ty, Lazy-n dhe JKN-në në këtë këngë?

– “Çarti e dhezi, e na bashkoi rrepi”; thotë Lazy. Na dimë edhe e bojm.

– Pse shfaqesh kaq rrallë? Është strategji apo mungesë frymëzimi?

– Ndihesh mirë kur të tjerët i merr malli për ty. (Qesh) Mungesën e frymëzimit mund ta ketë dikush që ka vite në treg e s’ka çfarë të japë, jo unë!

– Ka kohë që flitet e përflitet dhe ka kohë që si këngëtarëve, ashtu edhe publikut i rëndon ky treg i trazuar, i mbingarkuar. Çfarë do të sillte një “Rilindje” në muzikë?

– Një si unë!

– Kur kthen kokën pas, si e shikon krijimtarinë tënde përgjatë këtyre viteve?

– Në vite, ka ngritje e zbritje. Krijimtaria ime është në rritje.

– Ekziston rreziku që publiku të të braktisë?

– Çka nuk bën vaki, por unë jam shoferi i jetës sime. Publiku thjesht udhëton me mu.

– Sot, vajzat janë gjithnjë e më shumë të pranishme në klipe dhe gjithnjë e më shumë ekstravagante. Po në këtë klip, pse nuk keni marrë ndonjë vajzë gangsta?

– Po, tre me një është shumë! (Qesh)

– Sa arrin ta kuptosh natyrën e femrave?

– Mjaftueshëm, aq sa të bie në kompromis me to.

– Çfarë ta tërheq syrin te një vajzë?

– Sinqeriteti dhe karakteri i saj.

– Me çfarë të ka bërë për vete ajo që ke në krah?

– E mira vjen vetë. Unë akoma e pres, ose po më pret ajo mu. (Qesh)

– Ti je i përfshirë totalisht në muzikë, duke qenë se, përveçse këndon, edhe kompozon në studion tënde. Të jep kjo më tepër përgjegjësi për të bërë muzikë edhe më cilësore?

– Unë bëj muzikë për zemër, jo për emër.

– Gjërat më të mira që ke bërë në jetë?

– Zakonisht, gjërat e mira nuk përmenden, por kam bërë aq të mira sa ma di Zoti, edhe nëse s’ma dinë të tjerët.

– Për çfarë do ta lije muzikën të priste?

– Muzika gjithmonë pret, pasi edhe unë e pres.

– Hip-Hop të mirëfilltë bëjnë ata që kanë para apo ata që kanë jetuar në geto?

– Ata që kanë bërë lek duke jetu n’geto.

– Sa para mund të bësh me hip-hop në Shqipëri?

– Varet sa hip-hop je…

– Çfarë nuk do të bëje për të qenë i famshëm?

– Atë çka po e bëjnë shumë të tjerë për të qenë të famshëm.

– Kalon më tepër kohë në klube apo në shtëpi?

– Qejf në shtëpi.

– Në ç’raste e ndjen që je person publik? Kur ndodh më tepër të jesh në qendër të vëmendjes?

– Atëherë kur jam edhe vetë i vëmendshëm ndaj të tjerëve.

– Vetia më e mirë që të karakterizon?

– Instinkti dhe vetëbesimi.

– Të pëlqen të kesh shumë persona pranë apo ndihesh më mirë i tërhequr?

– Nuk kam shumë komplikime. Nëse është rrethi i duhur, edhe unë përshtatem kollaj.

– Çfarë të mjafton për t’u ndier i lumtur?

– Respekti i pastër.

– Ia njeh vetes pikat e dobëta? Përpiqesh t’i fshehësh ato?

– I njoh pikat e mia të dobëta, por mundohem t’i mbroj, jo t’i fsheh.

– Ka ndodhur shpesh të bësh zgjedhje të gabuara në jetë?

– Shpesh.

– Zakonisht, zgjedh rrugën e shkurtër apo të gjatë?

– Rrugën e gjatë, për me i ra shkurt.

– Si i plotëson ditët kur gjendesh totalisht jashtë muzikës?

– Merrem me menaxhimin e bizneseve familjare. Pastaj, njerëzit që më njohin, e dinë që unë, përpos muzikës, kam pasion edhe makinat. (Qesh)

– Të pëlqen t’i japësh më tepër prioritet muzikës apo tekstit të një kënge?

– Nëse muzika jep, atëherë edhe teksti flet.

– Cili është motivi që të shtyn të ecësh përpara?

– Vetëbesimi edhe dëshira për t’u dhënë sa më shumë muzikë të pastër shqiptarëve.

– Për çfarë ndjen më tepër nostalgji?

– M’ka marrë malli për Bacën…

– Çfarë po bën këto ditë?

– Këto ditë jam tepër i fokuar në muzikë. S’po t’i tregoj të gjitha sot, se e di që do të shihemi prapë. (Buzëqesh)

– Dhe, cili është momenti yt i preferuar i ditës?

– Momenti që mezi e pres, është puthja dhe përqafimi i nënës sime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here