“Një deputet demokrat kërkon të më mbajë si vajzë sheiku!”, rrëfeu Xhesika këto ditë, pa na treguar se kush është ky deputet. Por ne, shkuam pak më tej dhe tentuam të kuptojmë diçka më shumë, ndaj e takuam këngëtaren, e cila, nuk la rast pa na e treguar se është një vajzë pa komplekse, që mund të rrëfejë gjithçka për të cilën e pyet. Mendoni edhe ju kështu?
– Xhesi, lajmi për propozimin e marrë nga deputeti demokrat bëri xhiron e portaleve… Më hiq një kuriozitet, mos është një lajm i shpikur nga ti thjesht për të qenë në qendër të vëmendjes?
– Jo, nuk është i shpikur. Në fakt, lajmi ka dalë nga një status i publikuar nga unë. Deputeti këmbëngulte që të merrte numrin tim të telefonit dhe duke qenë se ai është ndjekës i imi në Facebook, me anë të statusit, i kërkoja të mos më shqetësonte më. Me pak fjalë, ishte një mesazh, që të mos humbja më kohë me të.
– Cili ishte mesazhi që doje të merrte ai?
– Me fjalë të tjera, po i thoja që “jo të jesh deputet, por të kesh edhe para, unë nuk bëhem e jotja”. Pas njëzet minutash që e kisha vënë statusin, dikush më këshilloi privatisht që ta fshija sepse po bëhesha lajm kryesor. Kur e shkrova nuk e kisha menduar kaq gjatë, kështu që e hoqa. Pas dy ditëve më pyeti një media maqedonase dhe unë i tregova që një deputet, nëpërmjet një shoqes sime kërkonte kontakt me mua, duke thënë “vetëm të bëhet femra ime ajo, pa do t’i përgjigjem nga A-ja në ZH për çdo gjë”…
– Të bëhet femra ime për një natë, ishte fjala?
– Jo një natë, lajmi është interpretuar gabim. Ai kërkonte që ne të mbanim një lidhje sekrete, me idenë që edhe nëse do të darkonim diku, të shkonim në një vend ku nuk na njeh askush. Ai ka thënë “do ta mbaj si gocë sheiku, do të jetojë si një princeshë” dhe nuk ka përmendur fare seks, se po të ishte një propozim për seks, nuk do ta kisha përmendur as vetë.
– Domethënë, ti nuk do ta bëje publik një lajm të tillë për t’i bërë reklamë vetes?
– Jo, unë kam patur raste të tjera që mund të vlenin më shumë si reklamë dhe nuk e kam bërë. Asnjëherë nuk do ta kisha bërë si lajm!
– Nëse do ta kishe pranuar propozimin e deputetit, besoj se nuk do të na e kishe thënë, apo jo?
– (Buzëqesh) Jo, nuk është puna se nuk do t’jua kisha treguar, por unë dua që gjërat të shkojnë ashtu siç unë e mendoj sepse unë më mirë rri beqare siç jam sesa të pranoj të bëj lidhje për një kohë të shkurtër. Nuk do ta kisha marrë fare si vendim, ashtu siç nuk e kam marrë…
– Nuk e ke marrë vendimin? Domethënë, ende po e mendon këtë propozim?
– Po, po mendohem! (Buzëqesh) Pavarësisht se i kam thënë “jo”, do të mendohem edhe njëherë dhe do t’ia kthej një përgjigje, ndoshta nuk do ta humb si shans… Kam menduar mbrëmë gjithë natën dhe mendoj se mund t’ia kthej një përgjigje pozitive, pse jo?! Nuk është diçka e keqe… (Qesh)
– Nuk është diçka e keqe as të kesh lidhje me një burrë të martuar?
– Po, përderisa ai nuk e ka problem pjesën e familjes së vet, për mua nuk është problem sepse unë nuk po tradhtoj askënd. Unë jam beqare, në kërkim të fatit.
– Ç’mendim ke për deputetët që tërhiqen gjithmonë pas gocave të bukura të ekranit?
– Mendoj se jo vetëm deputetët, por çdo njeri tërhiqet pas gjësë së bukur.
– E di që edhe Bleona është përfolur dikur për lidhjen me një deputet demokrat të martuar?
– Me të dëgjuar e kam…
– Çfarë kanë këta deputetët demokratë me ju femrat e bukura?
– (Qesh) Mua gjithmonë më kanë ngacmuar, edhe ata të Partisë Socialiste, por më pikant është ky propozimi i demokratit për të cilin po flasim.
– Nuk do të na e thuash kush është?
– Jo, jo, no koment! Kur të vazhdojë lidhja, do t’jua tregoj… (Qesh)
– Ama më the se është ndjekës i yti në Facebook, kështu që mjafton të kërkojmë dhe e gjejmë vetë!
– Në fakt, që dje i kam pastruar të gjithë nga profili, se kanë qenë shumë deputetë që më ndiqnin, jo vetëm një. (Qesh)
Mos është…
– Mos është Berisha? Të pëlqejnë meshkujt si Berisha, dinamikë, në moshë?
– Jo, nuk është Berisha, por më pëlqejnë meshkujt dinamikë… Ama, jo ata në moshë! (Buzëqesh)
– Mos është si Rama? Të pëlqejnë të gjatët?
– Normalisht më pëlqejnë, se jam edhe vetë e gjatë…
– Mos është Tom Doshi? Të pëlqejnë të shëndoshët?
– Më pëlqejnë, por nuk është ai!
– Mos është Astrit Patozi? Të pëlqejnë tipat intelektualë?
– Jo, s’është as ai. Intelektualët më tërheqin deri diku…
– Mos është Gerti Bogdani? Të pëlqejnë çunat me syze?
– Më pëlqen, por nuk është ai!
– Mos është Ilir Meta? (mos harro se ai është gjysëm demokrat). Të pëlqejnë këta që janë nga fryn pushteti?
– Jo, nuk është Ilir Meta! (Qesh)
– Xhesika, ti je më shumë këngëtare apo e bukur?
– Të dyja, por mendoj se më shumë jam këngëtare. Para dhjetë vitesh kam qenë duke u rritur, ndërsa kam dhjetë vjet që këndoj. Mendoj se bukuria pa muzikën, apo muzika pa bukurinë, nuk bëjnë.
– Në një intervistë ke thënë se muzika sot nuk dëgjohet, shikohet…
– Në përgjithësi, po! Unë këndoj dhe e them me plot gojën që jam këngëtare, por për të folur realitetin pa dorashka, në përgjithësi, ne vajzat që abuzojmë pak me veshjet, klipet e me foto nudo deri diku, nuk mund të them se jemi 100 për qind këngëtare. Unë këngëtare jam, por nëse unë nuk arrij të bëj atë rol që më pëlqen ose që më takon të bëj në lidhje me muzikën, nuk shkon as njëra, as tjetra. Njëra pa tjetrën nuk bën.
– Nuk i trembesh imazhit që krijon?
– Jo, si mund të kem frikë? Këtu ndahet artisti me dikë që bën një punë tjetër!
– Tek ekstravaganca?
– Tek ekstravaganca, normale… Sa të jemi të reja, se kur të plakemi pastaj… (Qesh)
– S’ka më deputet pastaj!
– Ka, ka, se edhe ata plaken… (Qesh)
– Ti ke edhe një vajzë të vogël… Do të ishe dakord për shembull që nesër, vajza jote të bënte ato që bën ti sot?
– Po, jam shumë dakord, sepse unë nuk po bëj diçka jashtë rrugës së artit. Unë po eci me kohën. Kështu po bëhet në çdo vend, nuk është puna që jemi në Shqipëri dhe duhet të gjykojmë. Njeriu duhet të ecë me kohën, nuk ka rëndësi se ku jeton…
– Deri ku do të shkoje ti me ekstravagancën? Për shembull, do të pozoje plotësisht nudo? Se, gjysëm nudo të kemi parë…
– Ta them me 98 për qind që do të pozoja!
– Për çfarë shume?
– Edhe për bamirësi do ta bëja! Nëse ajo foto do të shitet për bamirësi, do ta kisha bërë!
– Ti këndon më shumë në diasporë. Sepse atje paguhesh më shumë?
– Po, sepse në diasporë vlerësimi i artistëve është shumë më i lartë dhe ndihem më e lumtur, më e privilegjuar, më artiste, të themi.
– Si u bëre e njohur si këngëtare në diasporë, pa qenë shumë aktive këtu në vendin tënd?
– S’e di, ndoshta për shkak të videoklipit të parë “Ta ha zemrën”, që erdhi fuqishëm, provokues, pastaj bashkëpunimi që kisha me Markus Maçadon e me radhë… Tani po përgatitim një tur në Angli bashkë me menaxherin tim të cilin e falënderoj për punën e palodhshme që bën për mua. Aktualisht jemi në pritje të vizave dhe shpresojmë që çdo gjë të shkojë perfekt.
– Si është të kesh menaxher?
– Kjo ma bën punën më të lehtë sepse me gjithçka merret menaxheri… me faqen e fansave në Facebook, me çdo gjë në rrjetet sociale, veshjet, koncertet…
– Ti do të bashkëpunosh me Kallashin… Nuk ke frikë se do të të ngatërrojnë me të?
– Pse, çfarë ka Kallashi për t’u ngatërruar? Ajo është vajzë shumë e mirë, nuk është ajo që duket në rrjetet sociale. Do të ishte mirë që të gjithë ta njohin ashtu siç e njoh unë. Mund të flas fjalët më të mira jo sepse e kam mikeshë, por sepse është vërtet për t’u admiruar. Le të më ngatërrojnë me kë të duan. Mjafton të jem në qendër të vëmendjes, për mirë apo për keq, nuk e kam problem fare. Le të më ngatërrojnë me Kallashin!
Emiljano Bitra, menaxheri: – I kemi bërë bashkë vajzat në këtë bashkëpunim sepse që të dyja janë ekstravagante dhe kanë guxuar, nuk kanë patur frikë të bëjnë atë çfarë janë në të vërtetë. Nuk jemi për ato vajza që dalin me klipe e tekste provokuese dhe në jetën reale thonë se nuk dalin pa mamin apo babin. Në këtë bashkëpunim, Xhesika dhe Kallashi do të tregojnë se janë po ato vajza ekstravagante që shfaqen në klipe, në këngë e në foto dhe se nuk e fshehin këtë gjë. Do të jenë një bjonde, një brune, një e Shqipërisë e një e Kosovës…
– Desha të prek pak edhe bashkëpunimin e afërt me Gold Ag-un…
– Me Gold Ag-un kemi patur shumë koncerte dhe besojmë se bashkëpunimi do të pëlqehet nga publiku, pasi kemi marrë një këngë shumë të mirë, të kompozuar nga Gramoz Kozeli.
– Xhesika, ç’mendim ke për martesën?
– Ndoshta një ditë do të vijë, por me këtë mendje që kam tani, pas shumë viteve do jem po kjo që jam.
– Ti jeton në Tiranë, por je vazhdimisht në diasporë… Po vajza me kë rri?
– Prindërit si edhe motrën me familjen i kam pranë meje këtu në Tiranë, kështu që kur unë jam jashtë, kujdesen ata për vajzën, kurse kur jam këtu, rri 24 orë me të.