Për adhuruesit e maceve në të gjithë botën kemi një lajm zhgënjyes: Miqtë tanë felinë nuk na duan aq shumë sa qentë. Në kuadrin e dokumetarit të BBC-së, “Macet kundër qenve”, të drejtuar nga ekspertët në fushën e veterinarisë, Kris Pakham dhe Liza Bonin, ishte i ftuar një shkencëtar neurolog i cili studioi se cilat nga kafshët tona shtëpiake na duan më shumë. Shkencëtarët e dinë tashmë se qentë, ashtu si edhe njerëzit, çlirojnë hormonin oksitocinë, që njihet edhe si “hormoni i dashurisë”, kur janë në kontakt me pronarët e tyre. “Kemi të dhëna të shumta se qentë i duan realisht njerëzit”, thotë doktori Pol Zak, i cili bëri studimin. “Disa studime të ngjashme treguan se, kur pronarët e qenve ndërveprojnë me ta, si te qentë, ashtu edhe te njerëzit, çlirohet oksitocinë”. Doktor Zaku krahasoi sasinë e “hormonit të dashurisë” që prodhonin si macet, ashtu edhe qentë, sa herë që loznin me pronarët e tyre. Ai mori mostra pështyme të 10 maceve dhe 10 qenve, në fillim 10 minuta para orës së lojës me pronarët dhe më pas. Rezultatet treguan se hormoni u rrit, mesatarisht me 57.2% te qentë dhe vetëm 12% te macet, gjë që tregon, teorikisht, se qentë i duan pesë herë më shumë sesa macet pronarët e tyre.