Gili është pa dyshim një ndër zërat më të bukur në Kosovë… Ajo është ndër këngëtaret e njohura që, përpos bukurisë dhe paraqitjes senike, ka një repertor të gjerë dhe një stil shumë të veçantë muzikor, që e dallon ndër vite. Së fundi, Gili ka ardhur me një album të ri që e titullon “Fol me mua”, ku dallon këngën “Allahile ç`kemi” dhe “Vet ke thanë”, të cilën do ta shoqërojë së shpejti edhe me klip. Në këtë intervistë ajo tregon për suksesin e albumit, për aktivitetet e shumta ku është e ftuar, për suksesin ndër vite dhe dashurinë e xhelozinë mes këngëtarëve. Plani i saj më i afërt është të realizojë edhe një koncert recital, si dikur… Deri atëherë, duke i uruar shumë suksese, ju ftoj të lexoni bisedën tonë me të…
Rita Rrjolli: – Gili, ti vjen çdo sezon me një sukses… Si ia bën?
Gili: – Kënga është pjesë e pandashme e jetës sime. Ashtu siç e përjetoj familjen, dashurinë e shoqërinë, e përjetoj edhe këngën. Pra, e ujis si një lule që të lulëzojë në çdo pranverë.
– Ke sjellë në treg një album të ri… Sa kohë të mori përgatitja e tij?
– Kam punuar një vit për përzgjedhjen dhe për realizimin. Unë kam një spektër shumë të gjerë të dëgjuesve dhe jam përpjekur që çdo moshë të gjejë shpirtin e vet në këngët e mia. Prandaj kam tematika të larmishme, prej kurbetit e deri te dashuria, që është pjesë e pashmangshme e repertorit tim.
– Kujt ia besove produksionin?
– Si gjithmonë, ekipi im shumë i gjerë udhëhiqet nga Ilir Berani.
– A ka dalë siç e prisje?
– Jam shumë e kënaqur.
– Do të kishe ndryshuar gjë, po ta ktheje edhe njëherë?
– E kam dëgjuar e ridëgjuar dhe mendoj se jam e afërt me dëgjuesin tim.
– Kënga më e bukur e albumit për ty?
– Balada “Nuk mjafton”, është një ndër këngët që do të rrijë shumë kohë në mendjen e në zemrat e njerëzve.
– Ka ndonjë këngë që ia dedikon dikujt në veçanti?
– Kam këngën “Allahile ç’kemi” që është një shprehje e “kullerave të Prishtinës”. Aty kam vargun: “s`ka rëndësi a “thojna” apo “themi”, veç ne bashkë të jemi!”. Kjo flet për bukurinë e dialekteve që i jep mëlmesë gjuhës sonë të pasur.
– A po bëhen më komerciale dita–ditës këngët e tua?
– Unë kam patur këngë komerciale qysh në albumin tim të parë. Pjesëmarrja ime e shpeshtë nëpër festivale i ka ngulfat ato këngë.
– Si e shikon tregun muzikor shqiptar?
– Ai një pasqyrë të gjendjes ekonomike e shpirtërore të shoqërisë.
– Ke menduar për ndonjë bashkëpunim?
– Besoj se më vonë do të prezantohem me bashkëpunim.
– Tallava apo rep? Me cilën rrymë do të bashkëpunoje më me dëshirë?
– Kënga ime e parë “Djali nga Kosova” në vitin 1993, ishte bashkëpunim me repistin e parë shqiptar, Dj Beken. Gjithmonë repi, para tallavasë.
– Si ia bën për të mbajtur një standard muzikor?
– Ka kohë që e kam larguar presionin, se duhet të jem patjetër “in” dhe, sa më shumë jam vetja, aq më e suksesshme po tregohem. (Qesh)
– Mendon se fama është e lidhur me fitimet?
– Absolutisht jo.
– Albumet edhe klipet, i sponsorizon vetë?
– Po, sepse nuk dua ta cënoj kreativitetin dhe idenë time.
– Çfarë ka ndryshuar te ti nga fillimet e karrierës e deri më sot?
– Jam më e pjekur dhe më e aftë ta organizoj kohën.
– Në pamjen e jashtme bëhesh gjithmonë e më e bukur dhe më trendi… Flitet se ke bërë operacione plastike…
– Grimi është profesionalizuar aq shumë saqë ato “pesë minuta” në skenë mund të dukeni si kukull edhe pa operacione.
– Thashethemi më i habitshëm që ke dëgjuar për veten…
– Ka kohë që nuk dëgjoj, as nuk lexoj thashetheme, sepse nuk kam as njerëz, as portale të “tilla” në jetën time.
– Si është një ditë e jotja e zakonshme?
– Dita e zakonshme në fakt është ditë pune. Përzgjedhja e këngës, fotot, klipet, intervistat, takimet, angazhimet…
– Miqtë e tu më të afërt janë persona VIP?
– Edhe persona VIP…
– A ka xhelozi mes femrave të televizionit?
– Në gjeneratën time, jo më. Kur ishim më të reja, kishte pak, por gjithmonë xhelozi inspiruese e asnjëherë dashakeqe.
– Cila është ajo kolege e jotja që e simpatizon?
– Kam shumë, prej Nexhmije Pagarushës e deri te Dafina Zeqiri, kam shoqe të të gjitha gjeneratave.
– Sa kohë i dedikon lukut?
– Shumë pak.
– Po për veshje e aksesorë, shpenzon shumë?
– Nuk shpenzoj shumë, por as nuk jam kursimtare.
– Cilat janë gjërat më të shtrenjta që ke blerë?
– S`di ç’të veçoj…
– Si i ke raportet me paranë?
– Mund të them që jam dorëlëshuar. (Qesh)
– Dhuratat parapëlqen t’i bësh, apo t’i marrësh?
– Ende u gëzohem dhuratave, si një vajzë e vogël.
– A ka diçka personale, apo profesionale që s’e ke realizer ende?
– Kam patur shumë koncerte recitale, por ishin kohë më parë dhe tani po mendoj të realizoj diçka për qejf, të ngjashme me to.
– Dëshira më e madhe që ke për momentin?
– Ta shoh popullin tim shumë më mirë nga ç’është. Atëherë, edhe këngës time do t’i shtohej bukuria. Ju përqafoj të gjithëve!