Agjërimi ju redukton dhjamin në bark
Argita Zalli ka mbaruar studimet në Universitetin e Suseksit. Pas diplomimit në degën e Mjekësisë Molekulare të këtij universiteti, mbrojti doktoraturën në Universitetin e Birmingamit. Sot, ajo është e punësuar në një ndër universitetet më prestigjoze në botë, Imperial College Londër. Momentalisht, Argita merret me kërkime shkencore në fushën e kancerit, imunologjisë e hematologjisë dhe njëkohësisht, jep leksione për studentët e Mjekësisë. Mjekja, e cila është një ndër themelueset e organizatës jofitimprurëse “VVe Speak Science”, tregon në këtë intervistë për një dietë të re, që redukton dhjamin në zonën e barkut dhe ngadalëson plakjen mendore e fizike.
Adrian Rakipi: – Sot flitet shumë për dietat, bëhen programe televizive e botohen qindra libra, ndaj deshëm së pari, t’ju pyesim: Sa e këshillueshme është të ndiqet një dietë? A mund të ketë ajo efekte negative në organizëm?
Dr. Argita Zalli: – Përshëndetje! Keni të drejtë që pyesni për efektet e dietave, sidomos në kohët e sotme, kur shumë femra të moshave të ndryshme bombardohen çdo ditë nga media me konceptin e “formës perfekte (super të dobët) të modeleve”, formë, të cilën ato duan ta arrijnë me çdo kusht. Ky fenomen është vëne re edhe te meshkujt, të cilët kanë tendencë të jenë të dobët e elegantë. Sigurisht që ato dieta që ofrojnë një rënie drastike dhe të menjëhershme e dëmtojnë rëndë organizmin, sepse ndryshon krejtësisht mënyra se si ai funksiononte, sasia e kalorive që merrte reduktohet në mënyrë të menjëhershme etj.
– Në këto kushte, çfarë rekomandoni ju?
– Unë do të rekomandoja një dietë e cila redukton të gjitha efektet negative të dietave klishe. Ajo është zbuluar nga një studim i Universitetit të Kalifornisë Jugore (USC) dhe quhet “dieta që imiton agjërimin”, ose dieta 6-1, pra, gjashtë ditë të javës të hash normalisht dhe një ditë, të pakësosh ushqimin. Agjërimi nuk është një koncept i ri, atë e aplikojnë shumë fe, si edhe e kanë aplikuar njerëz të shquar, Hipokrati apo Platoni, i cili agjëronte për të pasur më shumë efikasitet mendor dhe fizik. Mark Tueini ka thënë se “pak uri mund të bëjë më shumë për njeriun e sëmurë sesa gjithë ilaçet dhe doktorët”. Studimi i kryer tregoi se pakësimi i kalorive ditore për vetëm katër ditë në muaj zvogëlon efektet e plakjes, diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe kancerit, pa pasur asnjë efekt anësor. Më konkretisht, studimi i udhëhequr nga shkencëtari i Universitetit të Kalifornisë Jugore (USC), Valter Longo, në bashkëpunim me studiues të tjerë nga Teksasi, Italia dhe Anglia, u bë me tre faza duke ndjekur efektet e agjërimit te minjtë, te myshqet dhe te njerëzit. Me anë të minjve, të cilët kanë një jetëgjatësi relativisht të shkurtër, u zbuluan efektet e zgjatjes së jetës që ka agjërimi. Myshqet, të cilët janë organizma të thjeshtë, treguan mekanizmat biologjikë që ka agjërimi në nivelin qelizor, ndërsa një studim i kryer në 19 njerëz tregoi se e njëjta qasje, jo vetëm që mund të ngadalësojë procesin e plakjes fizike dhe mendore, por edhe mund të ndihmojë në zvogëlimin e dhjamit të grumbulluar në bark. Pra, nuk ka rëndësi se çfarë specieje jeni, kjo dietë është efektive për të gjithë!
– A mund të na e shpjegoni më konkretisht këtë dietë dhe pse ajo ka efekte pozitive?
– Kjo dietë që imiton agjërimin, nëse aplikohet për katër ditë çdo muaj, redukton mundësinë e kancerit, rrit funksionin e sistemit imunitar, redukton sëmundjet inflamatore, ngadalëson humbjen e densitetit të mineraleve kockore dhe përmirëson aftësitë njohëse. Me pak fjalë, kjo dietë këshillon të hani në mënyrë të moderuar 6 ditë të javës dhe një ditë të pakësoni sasinë e ushqimit që hani zakonisht. Në total, brenda një muaji, duhen plotësuar katër ditë agjërimi. Për shumicën e njerëzve normalë, kjo dietë mund të bëhet çdo tre deri në gjashtë muaj, në varësi të perimetrit të barkut dhe të gjendjes shëndetësore. Për njerëzit obezë dhe ata me nivel të lartë të faktorëve të rrezikut, dieta mund të rekomandohet nga mjeku deri në çdo dy javë.
– Po si është e mundur që kjo dietë të dobëson? Dhe, si ndodh procesi i ngadalësimit të plakjes?
– Kjo dietë pakëson kaloritë me 34–54 % nga vlerat normale të marrjes së kalorive të përditshme të një individi, ka një përbërje të veçantë të proteinave, karbohidrateve dhe yndyrnave. Dieta ul nivelin e hormonit IGF-I, i cili është i nevojshëm gjatë zhvillimit të rritjes, por që gjithashtu është edhe një promotor i plakjes dhe është i lidhur me predispozitën për kancer. Për më tepër, dieta rrit nivelet e hormonit IGFBP dhe redukton nivelet e faktorëve të rrezikut të lidhura me diabetin dhe sëmundjet kardiovaskulare. E gjithë kjo ka të bëjë me riprogramimin e trupit, kështu që trupi ngadalëson plakjen, por edhe rigjenerohet nëpërmjet qelizave burimore.
– Mund të na jepni disa këshilla shoqëruese të dietës, që t’i bëjmë praktikë të jetës sonë të përditeshme?
– Këshilla e parë është të përpiqeni të hani me masë dhe të zgjidhni ushqimet e duhura. Përpiquni të hani ushqime pa yndyrë, të pasura me fibra dhe me sasi të moderuar. Shërbejeni ushqimin në porcione të vogla dhe në pjata të vogla. Ndonëse kjo mund të duket qesharake, në fakt, ka rëndësi të madhe, sepse në mënyrë të tillë truri mësohet me ato racione. Këshillë tjetër është të mos e evitoni asnjëherë mëngjesin. Kur ju evitoni mëngjesin, i bëni shumë dëme trupit tuaj dhe në vaktin e drekës ju shtohet dëshira të hani dyfish. Ngrënia e mëngjesit ju jep të gjitha kaloritë e nevojshme për të nisur ditën dhe ju bën të hani më me masë në vaktin e drekës. Kjo këshillë është shumë e rëndësishme: Hani sa më pak darkë dhe pini ujë me bollëk. Uji ju bën të ndjeheni të ngopur, ju hidraton dhe, mbi të gjitha, bën që të keni një lëkurë të bukur. Një këshillë tjetër e rëndësishme është të evitoni sheqerin. Sheqeri është vrasësi i shekullit XXI. Një dietë pa sheqer do të ishte një dietë e shëndetshme. Të gjitha këto këshilla duhen zbatuar në gjashtë ditët e javës, ndërsa një ditë, duhet të agjëroni.
– Gjatë ditës që agjëron, pra, një herë në javë, nuk duhet të hash fare?
– Nuk këshillohet që të rrihet fare pa ngrënë, bile kjo është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Ajo çka studimi thotë, është të hash në porcione shumë të vogla, të varfra në yndyrna dhe sheqerna. Këshillohet të hahet shumë pak, aq sa të mos të të “bjerë të fikët” dhe të pihet shumë ujë. Në këtë mënyrë, organizmi ripërtërihet dhe pastrohet.
– A mund ta bëjnë të gjithë këtë dietë?
– Në fakt, dieta e bazuar në agjërim duket se është e para dietë e sigurt dhe efektive për të nxitur ndryshime pozitive, mirëpo unë do t’ju këshilloja të konsultoheni më parë me mjekun dhe të kërkoni mbikqyrjen e tij gjatë të gjithë procesit. Jo të gjithë janë mjaft të shëndetshëm për ta bërë këtë lloj diete. Njerëzit me indeks të masës trupore më pak se 18 dhe ata që vuajnë nga diabeti (që marrin insulinë ose terapi metaformin), apo kanë tension të ulët, nuk duhet t’i nënshtrohen kësaj diete. Ama, tek individët që u këshillohet kjo dietë, e shoqëruar me aktivitet sportiv, jep rezultate me të vërtetë mahnitëse dhe mbi të gjitha, ka vetëm efekte pozitive për organizmin. Kjo dietë është revolucionare për shkak se ajo është dieta e parë e shëndetshme me efekte pozitive.