Ky virus po përhapet në gjerësi në dy Amerikat e në Karaibe dhe është veçanërisht i rrezikshëm për gratë shtatzëna…
– Çfarë është Zika?
– Zika është një sëmundje me origjinë virusale që ngjitet me anë të pickimit të mushkonjave. Virusi quhet Zika. Një në katër njerëz të prekur prej tij mund të kenë simptomat e etheve tropikale me temperaturë mesatare, puçrra, dhimbje koke, kyçesh dhe inflamacion të syve (konjuktivit) që mund të zgjasin 2-7 ditë. OBSH-ja thotë se njerëzit e prekur duhet të pinë shumë lëngje, të çlodhen dhe të trajtojnë dhimbjet e temperaturën me ilaçet e zakonshme. Në Brazil, ku virusi Zika ka qarkulluar muajt e fundit, ka pasur një shtim të rasteve të të porsalindurve me mikrocefali, një problem që shkakton një zhvillim jonormal të trurit, që mund të ndodhë në mitrën e nënës, ose gjatë foshnjërisë. Sipas analizimit të disa studimeve paraprake të kryera nga autoritetet braziliane, rreziku i mikrocefalisë dhe keqformimeve të tjera shkaktohet nga infektimi gjatë tremujorit të parë të shtatzanisë.
– Si trajtohet kjo sëmundje?
– Nuk ka vaksina ose mjekime të përshtatshme për të parandaluar apo trajtuar infeksionin me Zika.
– Cilat vende janë prekur prej tij?
– Ishujt Barbados, Bolivia, Brazili, Kolumbia, Republika Dominikane, Ekuadori, Salvadori, Guiana Franceze, Guadelupa, Guatemala, Guiana, Haiti, Hondurasi, Martinika, Meksika, Panamaja, Paraguai, Porto-Rikoja, San Martini, Suriname dhe Venezuela.
– A duhet anuluar udhëtimi në këto vende?
– Vetëm nëse jeni shtatzënë. Nëse nuk mund ta evitoni udhëtimin, ose jetoni në këto vende, duhet të merrni masa për të evituar pickimet nga mushkonjat, si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës. Më shumë informacione do të gjeni në faqen e internetit të OBSH-së.