Kam frikë se do të sëmurem nga sheqeri!
Të jesh i apasionuar pas kuzhinës, do të thotë të jesh ndjekës i rregullt i Master Chef-it dhe, të jesh ndjekës i rregullt i Master Chef-it, do të thotë të kesh të preferuarit e tu mes konkurrentëve… Ka kaluar tashmë një muaj që nga triumfi i tij në Master Chef dhe ne u bëmë kuriozë të mësonim se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe me më të mirin e këtij viti, Arbërin, fitorja e të cilit u shoqërua me komente paksa dyshuese nga ana e finalistit tjetër, Laurelit. Me Arbërin, u ulëm të bënim një intervistë me aroma pasioni dhe ushqimi, që… mund t’jua hapin oreksin, por për këtë nuk ju kemi faj as unë, as ai!
Blerina Çizmja: – Përshëndetje Master Chef! Vazhdon të ndihesh i tillë edhe një muaj pas çmimit?
Arbër Togani: – Përshëndetje dhe ju falënderoj shumë për ftesën. Ndihem njësoj si në momentin kur fitova: me besim të plotë, i ekzaltuar e gati për të nisur gjëra të reja.
– Pas fitores, ti the se do të bëje vetëm një javë pushim, ndërkohë që ka kaluar një muaj. Çfarë ka ndodhur me ty, “je rekrutuar”, apo “ke rekrutuar”?
– Pas një jave pushimi, vendosa t’i përkushtohesha pakëz familjes. Mendoj se një muaj e meritonin. (Buzëqesh) Kisha edhe unë nevojë, me thënë të drejtën. Për momentin, as nuk kam rekrutuar e as nuk jam rekrutuar, por lajme të mira do të dëgjoni shumë shpejt.
– Çfarë ka ndryshuar ky çmim në jetën tënde dhe çfarë ndryshoi te vetë pasioni yt për kuzhinën, pjesëmarrja në Master Chef?
– Nuk ishte vetëm çmimi ai që ndryshoi, ishte e gjithë eksperienca. Më ndikoi shumë për mirë, patjetër. M’u rrit vetëbesimi e bashkë me të, edhe motivimi e dëshira. Tani e di më mirë se kurrë se me çfarë dua të merrem dhe dua të punoj fort për ta arritur!
– Çfarë ndjesie është të quhesh, të paktën për një vit, me “master” në kuzhinë?
– Me “master” në kuzhinë? Sa interesante! Kështu do ta quaj tash e tutje… (Qesh) Ndihem shumë mirë. Tani mund ta them me krenari që ia kam dalë në diçka madhore.
– Laureli ka thënë se “në finale ai doli më mirë se ti”. E mbështet këtë mendim?
– Mendoj se, pavarësisht se shefat u ndikuan nga performanca jonë gjatë çdo puntate e gjatë gjithë rrugëtimit, nata finale pati peshën më të madhe në vlerësimin përfundimtar. Patjetër që mendoj të kundërtën! (Qesh)
– Ai ka thënë se ndoshta duke ta dhënë çmimin ty, shefat kanë dashur “të promovojnë kuzhinën moderne apo rininë”… Si e komenton këtë?
– Mendoj se Master Chefi si format, është ndoshta i vetmi në Shqipëri që, përveç vlerësimit të drejtë, bazohet në atë për të cilën është ndërtuat vërtet. Aty zgjidhet ai që di të gatuajë më mirë, jo dikush që do të promovojë këtë, apo atë vlerë. Patjetër që në syrin tim, kuzhina moderne evropiane e veçanërisht ajo franceze është më e mira, por shefat me siguri mendojnë ndryshe. Nuk mendoj se ka ndikuar në ndonjë moment mosha, eksperienca apo vlerat e konkurrentëve në veçanti, prandaj më pëlqen e më ka pëlqyer gjithmonë ky program.
– Por pse e fitove ti dhe jo një tjetër? Çfarë të bënte ndryshe nga aspirantët e tjerë për titullin e madh?
– Ajo që mendoj se më ka shtyrë drejt finales, ishte vendosmëria dhe pasioni. Duken si fjalë klishe, por realisht nuk mund të gjej pika më të forta për ta përshkruar. E kisha qëllim që prej fillimit për t’ia dalë në çdo sfidë. Pastaj pasioni… Diçka, nëse nuk bëhet me pasion është pa vlerë, pa jetë. Unë e dashurova çdo pjatë. Thonë se kuzhinierët nuk preferojnë të provojnë pjatat e tyre sepse “velen” nga aromat e gjithfarë përbërësish, por unë jo. I kisha zili kur provonin pjatën time, jepja zemrën aty.
– Arbër, si dhe kur e kuptove që kuzhina ishte pasioni yt? Kishte ndonjë ngjarje të veçantë që të vuri përballë kuzhinës konkretisht?
– E kam kuptuar që kuzhinën e kisha pasion, kur për herë të parë në jetë m’u desh të gatuaja vetë. Deri atë moment, tentoja të bëja rolin e jurisë me time më në shtëpi, edhe pse ajo është me e mira kuzhiniere, ndërsa unë nuk dija asgjë. Ama, kur e pashë veten jashtë vendit tim, vetëm, vura re që nuk ushqehesha dot si të rinjtë e tjerë moshatarë. Nuk i kam preferuar kurrë fast-foodet për shembull. Më pëlqente të eksperimentoja dhe ato që bëja, filluan të më pëlqenin. Duke qenë edhe natyrë kurioze, vura re në Angli përbërës për të cilët nuk kisha dëgjuar ndonjëherë. Kërkoja e lexoja gjithë kohës. Oh, sa më shijonin kur i bëja si duhej! Ose ndoshta… nuk i bëja kurrë si duhej, kush e di… ama ishin shumë të shijshme! (Qesh)
– Ti na ke folur për gjyshen tënde… A mund të thuhet se në familjen tënde ka një “dell kuzhinieri”?
– “Dell kuzhinieri” po. Kam një familjë për t’u pasur zili nga ky aspekt. Ime gjyshe ishte pastiçiere. Gjyshja nga ana e babit gjithashtu duarartë dhe vazhdoj të mësoj prej saj në pjatat tradicionale. Ime më është më e mira kur bëhet fjalë për ëmbëlsira e për pjata të rënda. Im atë di të bëjë zgjedhjet më të mira të përbërësve. Gjithçka çalon tek ime motër, që do të doja të ishte sadopak si ne. Por, ajo di të ushqehet mirë… (Qesh)
– Të shohin pak “çuditshëm” vlonjatët e tjerë që pikërisht një “burrë Vlore” merret me një punë që në Shqipëri ka qenë deri vonë “ekskluzivitet” i femrave?
– (Qesh) Probleme të tilla nuk kam pasur, vlonjatët e mi nuk i kanë më këto komplekse. Të gjithë, me sa kam parë, dinë të ushqehen mirë në Vlorë.
– Nuk të ka “thumbuar” ndonjë shok në këtë pikë?
– Përkundrazi, më pyesin përherë se kur do ta ndaj një darkë me ta.
– Për ty, kuzhina do të vazhdojë të jetë pasion, apo profesion?
– Kuzhina do të jetë profesion prej pasionit.
– Dhe së fundi… ç’thotë sfera e dashurisë?
– Relativisht mirë, por me pak kanellë do të ishte edhe më mirë. (Buzëqesh)
– Populli thotë se “ca janë gatuar me sheqer e ca me zeher”. Me çfarë ishte gatuar Renatoja, me çfarë Sokoli dhe me çfarë Fundimi?
– Renatoja ishte gatuar me pak arrë moskat, Fundimi me sheqer e Sokoli me kanellë.
Kuic kuzhine
– Çfarë i mungon jetës tënde për të qenë e ëmbël?
– I mungon për momentin një libër me receta, me emrin e firmën time, ama sapo të realizohet kjo e fundit, kam frikë se do të sëmurem nga sheqeri! (Qesh)
– Që dashuria të jetë e plotë, çfarë asortimenti i duhet shtuar patjetër?
– Siç e thashë edhe më sipër, duhet të ketë pa dyshim kanellë! Jo shumë ëmbëlsi, as hidhësi, por diçka që të lërë shenjë e të falë emocione.
– Çfarë bën në kuzhinë, me një kitarë në dorë?
– Këndoj një version akustik të “Paint it black” nga Rolling Stones, duke lyer pastat me të zezën e sepies.
– Çfarë duhet t’i shtosh patjetër gatimit të një peshku Vlore?
– Gatimi është dashuri. Thjesht sigurohu të jetë një pjatë e mirë dhe ti ta duash e ta pëlqesh vetë atë që ke gatuar.
– Me çfarë duhet ta joshë shefi i kuzhinës një femër që bën të paarritshmen?
– Edhe femra më e paarritshme është e dobët para një pjate të mirë! (Qesh)
– A duhet të dijë një shef kuzhine si gatuhet kukureci?
– Një shef kuzhine duhet të dijë çdo gjë të ngrënshme dhe jo. Kukurecin pa dyshim, oh sa e preferoj!
– Për çfarë ka nevojë intervista jonë, që të konsiderohet një pjatë interesante?
– Intervista juaj ishte interesante sepse e gatuat dhe e përgatitet ju me kaq përzemërsi e për këtë ju falënderoj, por do të ishte e mrekullueshme nëse do të kishte pak tartuf. (Buzëqesh)