– Jam emigrant në Larisa të Greqisë, i datëlindjes 04.03.1954. Në Shqipëri kam gjithsej 32 vite me kontribute. Në rast se keni mundësi për të më sqaruar, kur e plotësoj moshën për të dalë në pension? A mund të dal në pension të parakohshëm? Për vitet para demokracisë kam patur paga të mira. A do të më merren parasysh këto paga?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar letërshkrues, bazuar në ligjin 104/2014, neni 16, i cili ndryshon nenin 31 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përcaktohet sa më poshtë: “Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji”. Bazuar në nenin 43 të ligjit 104/2014, i cili ndryshon nenin 92 të ligjit nr.7703 datë 11.05.1993, të ndryshuar, mosha e daljes në pension për ju është 65 vjeç, ndërsa vjetërsia për pension të plotë është 36 vite e 8 muaj. Në këto kushte, do të përfitoni pension sipas vjetërsisë që keni dhe bazës së vlerësuar, e cila për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Pra, baza e vleresuar është paga mesatare gjatë gjithë kohës së punuar me kontribute, e indeksuar me koeficientët përkatës të çdo viti. Përsa u përket pagave para vitit 1994, pavarësisht pagave që keni patur, ata përllogariten sipas pagave referuese të miratuara me Vendime të Këshillit të Ministrave, për çdo sektor e degë dhe për çdo post pune, të cilat indeksohen me koeficientët përkatës sipas vitit kur bëhet përllogaritja. Përsa i përket pensionit të parakohshëm, për të cilin kërkoni të sqaroheni, ai në terminologjinë ligjore të sigurimeve shoqërore emërtohet “pension i reduktuar”. Për përfitimin e pensionit të reduktuar, zbatohen kërkesat e nenit 17 të ligjit 104/2014, i cili ndryshon nenin 31/1 të ligjit 7703 datë 11.05.1993, të ndryshuar, ku përcaktohet:
– “Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension, të përcaktuar në nenin 92 kur: a) kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit 92; b) nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, është 0.6 për qind në muaj.” Në nenin 18 të ligjit 104/2014, i cili ndryshon nenin 32 të ligjit nr.7703 datë 11.05.1993 të ndryshuar, përcaktohet dhe përllogaritja e këtij pensioni; Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59 të këtij ligji. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.” Nisur nga më lart, me vjetërsinë kontributive që keni, nuk mund të përfitoni pension të reduktuar, sepse për këtë duhet nje vjetërsi e plotë kontributive prej 36 vite e 8 muaj, ndërsa sipas informacionit që keni dhënë, keni 32 vite me kontribute. Për të përfituar pensionin e reduktuar është një mundësi nëpërmjet pagesës sipas skemës vullnetare për të plotësuar dhe 4 vite e 8 muaj. Masa mujore për sigurimin vullnetar aktualisht është 4 752 lekë. Në këtë mënyrë, për 56 muaj që ju duhen për të plotësuar vjetërsinë në punë prej 36 vite e 8 muaj (56 muaj), duhet të paguani 266 112 lekë. Por ashtu, sikurse u theksua më lart, për çdo muaj që do të përfitoni pension para moshës 65 vjeç, do t’ju reduktohet pensioni për 0.6 për qind. Në rast se do të përfitoni pensionin e reduktuar 3 vite para, në moshën 62 vjeçare, pensioni i plotë i llogaritur do t’ju reduktohet për 21.6 për qind. Ju përshëndes dhe ju falënderoj për besimin.