Si do të ndjeheshit në qoftë se do ta merrnit vesh që babai juaj do të martohet? Unë që po shkruaj këtë histori jam një bijë pa prindër tashmë. Kemi qenë një familje e lumtur unë me motrën dhe me prindërit. Jetonim në Shqipëri dhe të gjithë ishim në punë. Sigurisht, unë dhe motra, kur ishim më të vogla nuk punonim, por tani kemi punët tona, jo të lidhura me profesionet që ne kemi zgjedhur në jetë. Prindërit tanë janë lidhur me dashuri. Janë njohur që adoleshentë. Unë çuditesha se si ka mundësi që një dashuri të ishte kaq e fortë në moshën gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë vjeçare dhe të rezistonte duke të çuar deri në martesë. Në fakt, prindërit e mi nuk ishin të martuar, thjesht bashkëjetonin dhe ne vite më vonë e morëm vesh që ata nuk e kishin kurorëzuar lidhjen e tyre. Prindërit e mi në atë kohë ishin tridhjetë e gjashtë-tridhjetë e shtatë vjeç. Duken të rinj, krahasuar me vitet që kanë jetuar, por jeta i ka lodhur. Janë bërë si njeri pa njeri. Punë e vetëm punë. Asgjë më shumë. Nuk mbaj mend të dilnin ndonjëherë. Kur thashë më lart “familje e lumtur”, e kisha me kuptimin se ishim të katërt në një shtëpi. Tani në shtëpi nuk ka më asnjeri. Babi është larguar dhe motra është martuar, kurse unë jam ende beqare. Nuk besoja në meshkuj, pas kësaj që ndodhi me familjen time. Kur tradhtoi babi besimin e tre femrave në shtëpi, si mund të besoja një mashkull tjetër?
Historia është paksa e komplikuar dhe unë nuk di nga t’ia filloj. Gabim bëmë të gjithë që familja jonë u nda. Babi dhe mami filluan sherret sepse ne, unë me motrën zbuluam një lidhje të babit me një grua tjetër. Në fakt, këtë gjurmim ne e bëmë nëpërmjet Facebook-ut. Babi mbante dy adresa të ndryshme dhe te njëra kishte një “mike” më shumë se te adresa tjetër. Kjo na bëri mua e motrën të dyshonim. E kemi pjesë të tipit tonë që nuk besojmë shumë dhe dyshojmë për gjithçka. Hymë një ditë tek adresa e Facebook-ut të babit dhe pamë se çuditërisht, ai vetëm me këtë “miken” e veçantë italiane kishte shkruar më së shumti. Nëpër biseda kishte shumë fjalë të tipit, “vajza”, “djali” e tjerë. Nuk po i kuptonim hiç fare sepse mesazhet ishin fshirë, por pas dy orësh atij i erdhi një mesazh ku kjo mikja i shkruante: “Djali është sëmurë”. Ne nuk e kuptuam dhe me të tallur i thamë: “Cili djalë? Unë nuk jam mjek”. Një mesazh i rrufeshëm, erdhi pa u vonuar duke thënë: “Ti je një njeri i papërgjegjshëm për fëmijët” dhe loja jonë vazhdoi duke thënë (gjoja babi), se ai, të dyja vajzat i kishte shëndoshë e mirë. “Po, po, i tha ajo, po mos harro se ke dhe dy fëmijë të tjerë”… Nga fjalët e saj kuptuam se ajo kishte me babain dy fëmijë binjakë, një djalë e një vajzë, tetëmbëdhjetë muajsh!
Unë me motrën u skandalizuam kur morëm vesh se për çfarë flitej. Në fakt, babi shkonte shpesh në Itali ku po bënte dokumentet, por atje ai kishte një lidhje tjetër dhe dy fëmijë të tjerë. Kjo zonja jetonte në Itali, ishte italiane, por ne e dimë shumë mirë italishten. Të habitura dhe të skandalizuara po ashtu, nuk dinim si të vepronim. E mbajtëm të fshehtë dhe prisnim ndonjë të re në shtëpi. Meqë mami dhe babi nuk ishin martuar, unë dhe motra u thamë se donim që ata të martoheshin dhe të njiheshin si çift në gjendjen civile. Mami nuk tha gjë, por në dhomë na tha se babi kishte lidhje me një grua tjetër.
Nuk mund ta pranonim që babai ynë po mbante një lidhje të dyfishtë dhe që, për më tepër, mami e dinte këtë! Ishte turp për ne. Motra ishte e lidhur dhe donte të fejohej, por si do ta prezantonte babin te familja e djalit? Që kishte një baba tradhtar? Ne nuk e pranonim dot këtë dhe i thamë mamit që të martohej patjetër, sepse ky ishte një budallallëk, një veprim i pafalshëm. Mami na sqaroi që babi e kishte krijuar këtë lidhje që të bënte dokumentet për jashtë shtetit dhe të na tërhiqte edhe neve… Jam e sigurt se të gjithë i dini këto marifete që janë bërë për të përfituar dhe për të bërë letrat për jashtë shtetit. Ka vite kjo histori dhe janë vitet që të gjithë i kemi përjetuar si mos më keq, por ne, më shumë se të tjerët, kemi vuajtur ndarjen mes prindërve. Pati edhe nga ata “burra” shteti që lanë familjen për “gratë” e huaja, për ato palo gra të cilat hiqen si përparimtare dhe nuk e vrasin mendjen se po hyjnë, apo kanë hyrë në mes të një familjeje dhe e shkatërrojnë pa problem. Këto janë ato zoçkat të cilave nuk po u vë ndonjë emër tjetër.
Dhe fundin, e doni?
Babi nuk lidhi martesë me mamin tonë, por me të huajën, e cila e kërcënonte. Familja jonë u nda. Ne u shkatërruam për shkak të atyre dokumenteve që donte të merrte babi, për të na bashkuar në familjen e madhe evropiane. Para disa ditësh, babi bëri dasmën. Fëmijët e tij me tjetrën janë rritur dhe, shumë të lumtur, mbanin fustanin e mamit e hidhnin lulet në tapetin e kuq në kishën ku po bëhej dasma. Nuk e dimë se si do vejnë punët, por unë e urrej si baba dhe nuk dua ta shoh më me sy. Mami nga ana tjetër është lidhur me dikë tjetër. Kësaj here, u martua me celebrim. Kjo ishte sakrifica që donte të bënte babi im për të na bërë me letra dhe… na ndau me letra!