Është ende e re në moshë dhe jeton në Belgjikë, por këto nuk e kanë penguar që të merret me muzikë, madje të sjellë për publikun këngë të bukura dhe të vazhdojë të punojë për të sjellë akoma edhe më të bukura. “Si ti” është prurja e saj më e fundit e cila e ka njohur më mirë me publikun. Ne, jua prezantojmë këngëtaren nga afër…
Fabjola Kuburi: – Taunita, ka pak kohë që ke hyrë në tregun muzikor e duket se ke hyrë me këmbë të mbarë, përderisa këngët dhe puna jote po marrin vlerësimin e duhur. Ke patur ndonjëherë mëdyshje për rrugën së cilës i je futur?
Taunita Pira: – Jo, nuk do ta kisha quajtur mëdyshje. Kjo rrugë ka qenë dhe është akoma ëndrra ime. Si artiste e re, besoj se është normale që duhet të kesh pak durim ta shohësh si po pritesh nga publiku, a po i pëlqejnë publikut gjërat që i sjell ti, kështu që ka shumë mundësi të kem pasur pasiguri në atë aspekt, mirëpo për të dyshuar, nuk kam dyshuar asnjëherë.
– Çfarë sjell për publikun kënga “Si ti”?
– Diçka të freskët dhe të thjeshtë. Për mua, teksti dhe klipi përshkruajnë një forcë që mund ta ketë çdokush pas përfundimit të një lidhjeje dashurie.
– Cila është ajo që nuk do ta tregoje publikisht, por konfidencialisht?
– Nuk kam ndonjë gjë të cilën s’e di publiku dhe që do të hezitoja ta tregoja.
– Çfarë mendon për jetën?
– Për mendimin tim, je ti ai që i jep jetës drejtim dhe që vendos çfarë do të bësh në këtë jetë. Nëse bën gjëra që ty të bëjnë të ndihesh mirë, koha ecën sa hap e mbyll sytë, ndërsa kur bën gjëra që s’të bëjnë të ndihesh mirë, normale që as nuk shtyhet.
– Nëse do të vendosje të bëje një ndryshim në jetën tënde, cili do të ishte ai?
– Do të kisha ndryshuar vendin ku jetoj. Belgjika është vend shumë i mirë për të jetuar, por dëshira ime është të shoh sa më shumë vende në të gjithë botën.
– Çfarë është dashuria për ty?
– Nuk kam shumë eksperienca dashurie, por kam qenë gjithmonë e mendimit që nëse dy persona duhen, kudo e kurdo do bashkohen. Dashuria e gjen një rrugë.
– Dashuria vjen vetë apo duhet ta kërkosh?
– Besoj se ajo vjen vetë, nëse ti i ndez dritën e gjelbër. (Qesh)
– Ti e ke gjetur?
– Jo, unë s’e kam gjetur akoma. Më duket e ka zënë trafiku. (Qesh)
– Si do të doje të vinte dashuria?
– Shumë spontane dhe reale. Gjërat e mira duan kohë, kështu që kam kohë. (Buzeqesh)
– Sa seriozisht e ke marrë angazhimin me muzikën?
– Shumë seriozisht, ngaqë e kam pasur gjithmonë ëndërr. Për mua, rëndësi ka që jam në hapat e parë. Duhet shumë që kënga të bëhet profesioni im, përveçse pasion.
– Të ka ndodhur të duash të bësh një këngë vetëm për qejfin tënd?
– Po, më ka ndodhur. Kam shumë qejf t’i lançoj disa këngë që i kam bërë në Belgjikë për qejfin tim dhe të shoqërisë sime. Janë projekte të cilat kanë lindur papritur dhe kanë dalë shumë të bukura.
– Nëse je përballë publikut, si duhet të sillesh?
– Besoj se publikun duhet ta shikosh pak si pasqyrë. Nëse ke pozitivitet dhe je e qeshur, automatikisht e shpërndan dhe e reflekton këtë edhe te publiku.
– Nga kush do t’i merrje mësimet më të mira për muzikën?
– Do ta kisha problem për ta takuar mësuesin tim, ngaqë ka vdekur. (Qesh) E kam fjalën për Majkëll Xheksonin. Gjithmonë kam pas admirim për të si artist dhe si njeri. Ai s’ka qenë vetëm këngëtar, por edhe ka ditur të performojë, të kërcejë. Ai ka qenë dhe është ikona e muzikës. Në çdo aspekt mund të mësohet prej tij. Edhe pse fizikisht nuk është mes nesh, këngët dhe arti që ai la mbas, kanë lënë vulë. I pushoftë shpirti në paqe!
– Femra, e kupton ndonjëherë që e ka tepruar me blerjet?
– Unë personalisht e kuptoj, kur dëgjoj mamin që më bërtet. (Qesh)
– Je e vendosur në atë që mendon apo ndodh edhe që lëkundesh?
– Në jetën e përditshme mendoj shumë para se të veproj, ndërsa në muzikë e bëj menjëherë atë që kam vendosur sepse unë mendoj që po le shumë kohë në mes, ndryshojnë shumë gjëra dhe është më mirë të ecësh me mendimin e parë.
– Si je në raport me të tjerët?
– Mundohem gjithmonë të jem versioni më i mirë i vetes, si në sjellje, ashtu edhe në gjithçka tjetër. Para se të veproj, gjithmonë e vë veten në vendin e tjetrit: “A do të më pëlqente mua?”, apo “Si do ta prisja unë këtë gjë?”.
– Sikur të kishte një Taunitë tjetër?
– Besoj se nuk do t’i ndahej as ajo artit, për shembull aktrimi, modelimi. Të gjitha këto fusha të artit më interesojnë shumë dhe aty e gjej veten në çdo aspekt nga pak, kështu që edhe Taunita tjetër kështu do ishte.
– Të frikëson më shumë tradhtia apo budallallëku?
– Budallallëku sepse është diçka afatgjatë, kurse tradhtia është një zgjedhje që ti e bën ose jo.
– Sa është numri i miqve që ke ne Facebook dhe sa prej tyre njeh nga afër?
– Kam mjaft miq në Facebook. I kam ata të afërmit e mi që i shoh shpesh, pastaj kam ata që i njoh, por s’mbajmë kontakt dhe aq, kam edhe një grup njerëzish që nuk i njoh, por më ndjekin.
– Si i ke marrëdhëniet me fansat?
– Unë i dua shumë fansat dhe të gjithë ata që tregojnë respekt dhe dashuri për një person. Më pëlqejnë komentet dhe mbështetja e tyre. Më pëlqejnë edhe kritikat, por vetëm nëse thuhen në një mënyrë që mos të të lëndojnë ty apo personalitetin tënd.
– Do të doje më shumë një premtim apo duartrokitje?
– Duartrokitje, sepse premtimet mbahen shumë rrallë. (Qesh)
– Projekte që presin të realizohen?
– Kam shumë projekte dhe ide për të ardhmen, por di të them që çdo gjë do të lançohet në kohën e vet. Kam në plan që në të ardhmen ta angazhoj veten më shumë në këngë, tekste dhe klipe. Dua të jem unë ajo që do të merret tërësisht me këngën e saj. Besoj se kjo tregon edhe më shumë se kush është Taunita në të vërtetë, kështu që më pëlqen ta shpreh përmes muzikës sime.