– Jam i lidhur me një vajzë, por ajo është shumë seksi dhe kur mendoj se do të bëjmë dashuri, më kap ankthi nëse do të jem në lartësinë e saj. Si shpjegohet ky ankthi im? Si t’ia bëj që të jem i lirshëm?
– Nuk e di moshën tuaj, por me siguri duhet të jeni pak i vogël, përderisa mendoni kaq gjatë. Sado e bukur apo seksi të jetë një femër, kjo s’duhet t’ju pengojë të bëni marrëdhënie seksuale lirshëm me të. Megjithatë, është edhe normale të keni këto ndjesi, pasi shumë meshkuj i përjetojnë sidomos para një femre që e dëshirojnë shumë dhe që kanë kohë që e ëndërrojnë. Ju në ato momente mendoni sikur jeni më i miri dhe bëni gjithçka që ndjeni, mos kini ndrojtje fare dhe mos mendoni nëse jeni apo jo në lartësinë e duhur. Nëse filloni të mendoni kështu, nuk do të keni një marrëdhënie të kënaqshme. Kështu, në momente intime nuk është mirë të mendoni shumë gjatë, por thjesht të përqendroheni te marrëdhënia, te të bërit dashuri me të dashurën tuaj. Besoj se gjithçka do të shkojë mirë.
– Djali im e ka penisin shumë të vogël, ndaj doja të konsultohesha me ju, Doktor Evi. A mund të më jepni një numër telefoni?
– Nuk e di se çfarë moshe ka djali juaj, por gjithsesi, kjo është një temë e cila duhet diskutuar duke e vizituar djalin tuaj nga afër. Mund të më telefononi në këtë numër telefoni: 0682213329. Jeni të mirëpritur. Faleminderit.
– Më ka rënë dëshira për të bërë seks. Mos vallë ka ndikuar fakti që tani jam bërë nënë? Jam 28 vjeçe. Si ka mundësi të më bjerë dëshira, ndonëse e dua burrin tim? Si ta rregulloj këtë problem, ju lutem?
– Ka shumë nëna të reja që e vuajnë këtë gjë kur janë në muajt e parë pas lindjes. Në këtë periudhë tek ato mbizotëron ndjesia e mëmësisë dhe shqetësimi për ta rritur beben sa më mirë. Ju tashmë e keni përqendruar gjithë vëmendjen te fëmija dhe duke mos i kushtuar më rëndësi seksit, pak nga pak, ju ka ikur edhe dëshira. Gjithashtu, lodhja e stresi që shkakton rritja e një fëmije, ndikojnë në anën seksuale, aq më tepër nëse ju nuk keni shumë përkrahje nga bashkëshorti në rritjen e fëmijës. Gjithsesi, unë si mjek do t’ju këshilloja të mos frikësoheni. Fakti që jeni e ndërgjegjshme se ju ka rënë dëshira, është një hap drejt shërimit. Ju mund të filloni të afroheni me bashkëshortin tuaj, kërkojini edhe ndihmë nëse është e nevojshme. Nëse keni probleme fizike, ndonjë dhimbje apo tjetër gjë, bëni një vizitë mjekësore dhe gjithçka zgjidhet. Ama, duhet ta dini se seksi te femrat është shumë i lidhur me anën emocionale, shpirtërore e psikologjike, ndaj duhet të kujdeseni për gjendjen tuaj shpirtërore dhe të kërkoni edhe ndihmën e bashkëshortit për këtë gjë.