Kjo me Jetën është një nga ato intervistat e ngrohta dhe të sinqerta, në të cilën zbulohen disa sekrete të vogla… Për një periudhë Jeta u shkëput nga muzika, për një arsye që ajo na e tregon vetë, por në këtë intervistë nuk kemi folur vetëm për këtë pauzë të saj apo për këngën e re që sapo e ka publikuar dhe që mban titullin “Një zemër”…

 

Mia Buci: – Jeta, nëse do ta nisnim intervistën duke folur për fotot e tua të fundit të cilat janë cilësuar mjaft sensuale, çfarë do të më thoje? Janë realizuar me një qëllim?

Jeta Faqolli: – Po, vërtet sensuale janë dhe me këtë qëllim janë bërë. Qëllimi i këtyre fotove ka qenë paralajmërimi i ardhjes së klipit më të ri që sapo ka dalë dhe që është një baladë e ndjeshme dashurie.

– Në një periudhë, ti u shkëpute pothuajse plotësisht nga shoubizi. Po përgatiteshe për një rikthim të madh?

– Ka qenë periudhë relaksi dhe reflektimi.

– Është mirë t’i mungosh publikut për ca kohë apo kjo sjell pasoja?

– Është më mirë të mungosh ca kohë, sesa të jesh aktiv me punë jo cilësore.

– Kur lançon një këngë, cilat janë shenjat që paralajmërojnë për sukses?

– Më përpara, nuk kam ditur si ta provoja një këngë nëse do të ishte apo jo e suksesshme, por kësaj radhe e kam testuar duke ua kam treguar të gjithë të afërmve të mi në makinë. Vura re që me të parën u ka ngjitur dhe kanë kërkuar ta dëgjojnë shumë herë të tjera.

– A pati kënga suksesin që prisje?

– Kënga është pëlqyer mjaft dhe kam marrë pa fund komplimente për këngën, tekstin dhe muzikën.

– Ka një sekret për të qenë gjithmonë këngëtare “in”?

– Unë nuk e di nëse jam “in” apo “out”, por di që përshtatem shumë me kohën e me rrymën. S’e di se sa ia kam arritur.

– Është Jeta nga ato vajza që nuk bëjnë punë shtëpie se u thyhen thonjtë?

– Aspak. Unë i përkushtohem shumë shtëpisë se më merr malli të rri dhe të bëj punët e saj. Pastaj dal edhe me shoqëri për kafe apo dreka, darka, kinema ose shoping. Më pëlqen shumë të argëtohem në përgjithësi.

– Çfarë pëlqen më shumë Jeta te Jeta?

– Pëlqej shumë sinqeritetin. Jam shumë e drejtë, shumë strikte dhe me rregulla në jetë.

– Çfarë mendon se e bëjnë tërheqëse një femër?

– Mendoj se të kesh stil në të veshur, në të folur, pra, të qenit klas. Kjo e zbukuron një femër vërtet.

– Hera e fundit që të është dukur vetja e bukur në pasqyrë…

– Zakonisht, ndihem e bukur kur jam e lumtur dhe në këto momente, ndihem vërtet e lumtur. (Qesh)

– Je femër që pret apo merr iniciativa?

– Varet nga ana shpirtërore… Kur ndihem mirë, i marr vetë inciativat dhe nëse jo, më mirë i pres ato.

– Biseda më e bukur që ke bërë kohët e fundit me dikë…

– E pata para ca ditësh, në Kosovë, me një kolegun tim.

– Çfarë ta tërheq vëmendjen në takimin me një mashkull?

– Më tërheq stili i të veshurit, të folurit, qetësia dhe siguria që ka ai.

– Mendimet që pushtojnë mendjen tënde kur je vetëm me veten…

– Mendoj shumë gjëra, se çfarë kam bërë dhe si i kam bërë. Atë që kam bërë keq, mundohem ta ndreq.

– Kur je e lumtur, çfarë të pëlqen të bësh?

– Kur jam e lumtur, jam shumë pozitive, fal shumë pozitivitet e bëj gjëra të bukura.

– Ku dhe kur ia lejon vetes disa doza çmendurie?

– Shumë rrallë ndodh dhe këtë gjë e bëj vetëm me persona të veçantë, me të cilët kam afrimitet.

– Për momentin dëshiron…

– Jo, në këtë moment s’e kam këtë ndjesi. (Qesh)

– Cilit person të famshëm mendon se i ngjan?

– Mendoj dhe ma kanë thënë se ngjaj me Nikol Kidmanin.

– Për çfarë ua dëgjon akoma fjalën mamit e babit?

– Nuk ua dëgjoj shumë, por as nuk më kanë rënë në qafë si dikur kur isha adoleshente. Çdo vendim e gjykim e marr vetë.

– Çfarë bën kur nuk të sheh asnjë?

– Kur jam në moment të vështirë, qaj dhe s’dua të më shohë njeri ashtu.

– Çfarë ndryshon më shumë te ti gjatë viteve?

– Rinohem. (Qesh)

– Çfarë ke vjedhur kur ke qenë e vogël?

– Kam vjedhur dy vezë në fshatin e kushërirës dhe ia çova mamit, por jam turpëruar pa masë se më detyroi mami t’ia ktheja të zonjës së kotecit të pulave dhe nuk kishte gjë më të turpshme e më të sikletshme. Ky ka qenë rasti i parë dhe i fundit që e kam bërë këtë gjë.

– Ke përgjuar ndonjëherë pas derës?

– Po, persona të ndryshëm. (Buzëqesh) Kur isha e vogël, kam qenë ca mistrece dhe shumë kurioze.

– Sipas teje, kur nis jeta e një femre?

– Mua më ka nisur 20 vjeçe e këndej.

– Kur thua jetë, ke thënë…

– Jetë janë bebat dhe qentë e vegjël. I dua shumë dhe mendoj se janë vërtet jetë.

– Planet që ke për nesër?

– Për nesër nuk kam ndonjë gjë të veçantë për të bërë. Thjesht, do të iki me dy shoqe jashtë Tiranës.

– Po për në vazhdim?

– Në vazhdim kam shumë plane, por do Zoti do t’i realizoj me sukses.

– Cila është një gjë e ke provuar, por nuk do ta bëje kurrë prapë?

– Kam hipur njëherë në një kënd lojërash, në një rreth gjigand që ngjitej e ulej me shpejtësi dhe s’di si shpëtova gjallë… Aty kuptova që kisha fobi nga lartësia dhe shpejtësia. S’do ta provoj kurrë më, jo vetëm atë, por asnjë nga lojërat e rrezikshme.

 

 

 

 

– Një ves i çuditshëm që ke?

– Kursehem ndonjëherë për gjëra që janë shumë të vogla, kur shpenzoj shumë zakonisht.

– Shoqja jote më e mirë?

– Xhulia.

– Frika jote më e madhe?

– Intrigat e njerëzve.

– Një vend ku do të doje të jetoje?

– Londra.

– Kujtimi më i lumtur nga fëmijëria?

– Kam arritur udhëtimet me tren në atë kohë dhe lumturohesha sa herë më merrte mami me vete kur vinim në Tiranë, te daja. E dashuroja trenin dhe më ka marrë malli të udhëtoj përsëri.

– Momenti më i sikletshëm në jetë…

– Ka qenë në ‘97-ën, kur u hapën armët dhe kam qenë e tmerruar se mos vinte ndonjë plumb qorr nga dritaret. Më ka mbetur gjatë kjo frikë.

– Çfarë do të doje të ndryshoje në pamjen dhe çfarë në personalitetin tënd?

– Do të më pëlqente të ndryshoja ngjyrën e flokëve dhe meqë i kam shumë delikatë, nuk abuzoj me bojën. Ndërsa sa i përket personalitetit, do të doja shumë të isha më e guximshme me disa njerëz dhe t’ua përplasja ca gjëra në fytyrë sepse jam shumë e butë dhe kam toleruar shumë.

– Kush ka ndikuar më shumë te ti gjatë jetës?

– Deri 18 apo 20 vjeçe prindërit, familja kurse më pas, vetë.

– Cila është ana negative e njohjeve me gjininë e kundërt?

– Nuk dinë ta respektojnë një femër.

– Cili është vendi i vetëm në botë ku ndihesh e sigurt?

– Familja ime, shtëpia ime.

– Cila është ekperienca që do të doje ta provoje të paktën një herë në jetë?

– Të kem një rol në ndonjë film të madh hollivudian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here