Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Djali që dua
Florian Agalliu: Qëllimi im në jetë… Mia!
A të verbon sinusiti?

Florian Agalliu: Qëllimi im në jetë… Mia!

Ai ishte një ndër pretendentët kryesorë për të fituar këtë edicion të spektaklit “Dancing vvith the stars”. Kjo intervistë me Florin është realizuar në prag të etheve të finales së DVVS, nga ku kemi marrë edhe emocionet e tij të freskëta, por përveç kërcimit, është edhe një vajzë për të cilën Flori flet me shumë ndjenjë…

 

Mia Buci: – Së pari, më thuaj, fizikisht, kur ke qenë më në formë se tani?

Advertisement

Florian Agalliu: – Asnjëherë, të them të drejtën; gjithmonë kam vuajtur pak nga mbipesha. Dancingu më stimuloi shumë që të përpiqesha të rikrijoja trupin tim. Ishte një shtysë të cilën do të vazhdoj ta ruaj sepse me sa duket, kështu qenka më mirë. Ndihem i fortë dhe i shëndetshëm…

Nuk është paksa ironike që dikush që bën një emision për kuzhinën të jetë kaq elegant apo kaloritë që merr në “Blind taste” i djeg në “Dancing vvith the stars”?

– Në fakt, me mua ka ndodhur e kundërta; “Blind taste” më ka ndihmuar shumë të afrohem me kuzhinën, ta pëlqej gatimin, të njoh produktet dhe të ushqehem shëndetshëm. Nuk përtoj të gatuaj për veten apo familjen, kur vjen puna e të ushqyerit shëndetshëm. Është një kulturë të cilën e fitova me vonesë, por po mundohem ta shfrytëzoj në maksimum.

Cili është perceptimi yt për një jetë mirëfilli të shëndetshme?

– Ushqimi që konsumojmë dhe sporti që bëjmë… Nëse do të ushqeheshim mirë dhe aq sa trupi ka nevojë, atëherë do të mjaftonte shumë pak sport për të qenë gjithmonë në top formë. Nëse do të ushqeheshim keq, do të duhej të flinim në palestër. Nuk ka shumë kosto, mjafton të përdorim më shumë perimet, të eleminojmë sheqerin dhe çdo lloj ushqimi të konservuar. Sa më afër tokës, aq më mirë!

Beson në mënyrë të verbër apo je nga ata “beso kontrollo”?

– Besoj shumë te njerëzit nga të cilët rrethohem. Ndonjëherë, edhe jam zhgënjyer!

Le t’i kthehemi kërcimit që duket se e kishe marrë shumë seriozisht… Pse kështu?

– Po pse jo, fundja?! Është një format interesant, ku kishe mundësi nga java në javë të ekperimentoje në kategori të ndryshme, të ndjeje emocionet e garës ku në fund edhe mund të fitoje dhe përveç këtyre, ke në xhep dhe disa leksione kërcimi që do të më shërbejnë shumë në punën që bëj.

– Çfarë do të të zhgënjente në një eksperiencë të tillë?

– Do më zhgënjente vetja! Nëse do të dështoja për gabimet e mia, vetes nuk do t’ia falja kurrë, ndërsa të tjerëve po. Është shumë i dhimbshëm kompromisi me veten, nuk duhet të tolerosh asnjëherë nëse ke qëllime dhe plane konkrete! Përpiqem shumë t’i bëj moral vetes herë pas here; motivohem në mënyra të ndryshme.

Si është ajo historia me përjashtimin nga kursi i baletit për paaftësi dhe këmbët e shtrembëra?

– Në shkollë fillore kam ndjekur një kurs kërcimi, nga të paktit që zhvilloheshin në ato kohë. Theksoj këtu që mund të ketë qenë kursi i 100-të ku më angazhonin prindërit e mi, pasi për një arsye apo tjetrën, gjithmonë i lija përgjysmë. Me kërcimin ishte ndryshe, e kisha shumë qejf, kisha një vesh të mirë ritmik, por përveçse kërceja keq, i kisha edhe këmbët e shtrembëra. Teoria e mjeshtrave në atë kohë ishte që t’i fusja në rërë të nxehtë me shpresën që do të drejtoheshin. Nuk them që nuk e provova, por nuk mund të them as që m’u drejtuan. Dhe ja ku jemi pas kaq kohësh me po të njëjtat këmbë, po të njëjtën formë dhe çuditërisht, në rrethana shumë të ndryshme!

– Nëse ky edicion do të të nxirrte ty fitues, çfarë do të kishe për t’iu thënë ish-mësuesve që nuk ditën të shohin te ti talentin e fshehur në këtë disiplinë?

– Flasim… (Buzëqesh)

– Por kërcimi është vetëm sfida e radhës, pasi baza jote është aktrimi. Duket sikur shpresa e vetme për t’ia dalë mbanë për aktorët është të merren me humor, se “humori nuk të lë kurrë pa bukë”… Është e vërtetë?

Nëse i referohesh “Portokallisë”, kjo është e vërtetë. “Portokallia” tashmë është kthyer në institucion humori, që ka më shumë se 11 vjet që prodhon personazhe dhe mban gjallë shqiptarët çdo të dielë në darkë. T’i bësh të tjerët të qeshin është shumë herë më e vështirë sesa të bësh një punë krahu, ndaj nuk do ta cilësoja kaq të thjeshtë. Aktorët punojnë ku ka treg. Këto janë kushtet! Teatri është në rrezik, ka nevojë për buxhet më të madh, salla të reja, rikonstruksione godinash etj. Nuk mjafton vetëm dëshira e mirë…

– Është e vërtetë që aktorët e humorit e bëjnë dramën shumë mirë, kurse aktorët e dramës, e kanë të vështirë me humorin?

– Nuk besoj se është kështu. Nuk mund të ndahen aktorët në kategori, ndryshe do të kishim dy profile studimesh të ndryshme. Një aktor duhet dhe mund t’i luajë të dyja.

– A ka benefite televizioni?

– Po, më kryesori është popullariteti, pastaj të tjerat janë si çdo punë e zakonshme. Shkon, var xhaketën dhe lodhesh si gjithë të tjerët që bëjnë punë të ndryshme.

– Pas gjithë këtyre eksperiencave në film, teatër, televizion me programe të ndryshme, mund të thuhet se i ke vënë gjërat në vijë?

– Unë sapo kam filluar; ka akoma shumë për të bërë! Gjërat në vijë do të përpiqem t’i vë rreth të 60-tave.

– Ke pranuar se je më pranë dramës dhe se të pëlqen të shohësh filma aksion. Po në një film horror, si do ta shikoje veten?

– Që të sqarohem; filmat aksion i shoh kur dua të fle! Janë filma që nuk të lodhin fare. Mund dhe t’i shohësh pa zë dhe titra e sërish i kupton. Ndërsa sa i përket horrorit, për mua është si çdo film tjetër. Aty punën më të madhe e ka regjia, ndërsa aktori do të bëjë thjesht rolin pa ose me një dorë të prerë.

– Të tremb vetmia?

– Mua më pëlqen shumë vetmia; gjithmonë më ka pëlqyer. Kam shumë gjëra për të bërë dhe përpos kësaj, jam gjithmonë me veten time, e cila s’më lë kurrë të mërzitem.

– Të jep përshtypjen e djalit shumë të mbarë… Ndonjë ves, për të prishur syrin e keq?

– (Buzëqesh) Të jesh djalë i mbarë në këto kohë, nuk mendoj se quhet më kompliment. Jetojmë në kohë të vështirë. Megjithatë, nëse mund të quhet ves, po të them që fle vonë dhe zgjohem herët.

– Si baba i një vajze, çfarë do të doje për të?

– Sigurisht, më të mirën, por më kryesorja është shkollimi dhe parimet jetësore. Pastaj e ka në dorë ajo se ç’do të bëjë në vazhdim. Detyra ime është t’i tregoj rrugën që më kanë mësuar edhe mua.

– Deri në ç’masë synon të jesh mbrojtës me të, veçanërisht në lidhje me djemtë?

– Është shumë herët për të folur për këtë. Nuk e kam ndjerë akoma këtë lloj shqetësimi, por një gjë është e sigurt, që kurrë nuk do të jetë vetëm.

– Si do të kishte qenë nëse do të kishe patur djalë?

– Besoj se me djemtë është më e vështirë, se e kam kuptuar me veten. Sidomos në adoleshencë, djemtë janë gjithmonë më problematikë nëse nuk i ke nën kontroll sistematik.

Për të gjithë romantikët, çfarë vlen për të shkëputur nga historia jote e dashurisë?

– Duhet të lodhesh për të gjetur njeriun e duhur dhe pastaj duhet të lodhesh sërish për ta pasur gjithmonë pranë!

– Duhet hedhur poshtë teoria: “Martesa, varri i dashurisë”?

– Këtë teorinë, me siguri, do ta ketë shpikur ndonjë beqar!

Bukuri te një femër do të thotë…

– Me siguri jo bjonde dhe as thonj me xhel.

– Nëse nuk do të kishe qenë partner dhe baba, çfarë do të kishe qenë duke bërë tani?

– Duke parë një film shoqëruar me një filxhan kafe! (tani është ora 1 e mëngjesit)

– Një episod që të risjell gjithnjë të qeshura?

– Mia, kur flet anglisht! (Qesh)

– Diçka që të fut në mendime?

– E ardhmja!

– Heroi yt?

– Im atë!

– Ajo që nuk do ta bëje kurrë në jetë?

– Nuk do të vonohesha kurrë në një takim!

– Nëse do të mund të jetoje në cilindo vend, cilin do të zgjidhje dhe pse?

– Irlanda! Ka fusha me bar, det dhe birrë cilësore!

– Cili është këndi yt i preferuar në shtëpi?

– Ballkoni; aty ku kam veglat e stërvitjes!

– Filmi i preferuar i të gjitha kohërave?

– Kam shumë, por nuk do të mërzitesha ta shihja për të 100-ën herë “Lista e Shindlerit”, “La vita e bella”, “Pianisti” etj.

– Çfarë të përcjell gëzim, energji, humor të mirë?

– Dita e diel dhe kur nuk më prishet makina!

– Një situatë komike me një mesazh dërguar gabimisht dikujt?

– Nëse dërgon një mesazh gabim nuk besoj se ka vend për humor përveç në ndonjë rast të rrallë. Mua nuk më ka ndodhur…

– Mënyra më e këndshme për të shpenzuar një fundjavë?

– Gjithmonë me familjen! Duke shpenzuar sa më shumë kohë me Mian dhe duke u përpjekur që ajo të kënaqet sa më shumë. Kur ajo qesh, çdo gjë tjetër ndalon!

– Qëllimi yt në jetë?

– Mia! Të rritet e lumtur!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Djali që dua

Next Post

A të verbon sinusiti?

Advertisement