Eni Koçi vjen me dy hite të reja, bashkëpunimin me Gretën edhe Gold Ag “Me mu” dhe këngën solo “Si dikur”. Kënga e parë numëroi dy milion klikime në pak ditë, ndërkohë që Eni thotë se edhe kënga e re do të ketë të njëjtin sukses. Si gjithmonë e bukur edhe shumë spontane në intervistë, ajo na tregon për punën me Gretën, vitin 2015 dhe për planet që ka. “Fillimi i mirë gjysma e punës”, shprehet Eni ndërkohë që më këndon pak nga refreni i këngës… Ajo tregon se është një vajzë shumë e thjeshtë që studion shumë, lexon libra, por edhe pak e rrezikshme për meshkujt pasi merret me kikboks… Qesh kur e pyes nëse propozimi që u përfol kaq shumë nëpër rrjetet sociale, ishte i vërtetë, por thekson se është singëll…

 

Rita Rrjolli: – Eni, erdhe shumë shpejt me dy hite të reja… Si ia bën?

Eni Koçi: – Përpiqem të gjej gjithmonë materialet e duhura, në mënyrë që këngët të pëlqehen nga publiku.

– Sa kohë të morën përgatitjet e këngëve?

Rreth 1 javë na u desh për ta mbyllur këngën audio dhe dy ditë kemi qenë duke xhiruar videoklipin që ishte në bashkëpunim, ndërsa kënga e dytë më mori pak më shumë kohë.

– Sa kohë mendohej bashkëpunimi mes teje, Gretës edhe Gold Ag-ut?

Aspak! Bashkëpunimi ynë ka dalë krejtësisht në mënyrë spontane. Kishim një material të bukur e menduam ta punonim të tre.

E veçanta e kësaj kënge?

Besoj se fakti që jemi bashkuar 3 artistë, secili me stilin e tij, duke sjellë diçka të veçantë.

– Doli ashtu siç e prisnit?

Akoma më mirë nga ajo që prisnim.

– Çfarë mund të kishe përmirësuar ende?

Asgjë.

– A i dedikohet dikujt në veçanti kjo këngë?

Jo, kënga trajton një temë të përgjithshme komerciale. Për më shumë, përgjegjësi për tekstin është Goldi, s’e di çfarë ka patur në kokë kur e ka shkruar.

– Po kënga “Si dikur”, nuk është një dedikim?

– Jo, nuk janë dedikime sepse unë mundohem t’i qëndroj afër publikut dhe jo të këndoj për dikë në veçanti.

– “Me mu” ka renditur dy milion klikime në kohë rekord…

Jam shumë e kënaqur, pasi pas përfundimit të çdo kënge, çdo artist këtë pret, suksesin e pëlqimin nga publiku.

– Ishe e ftuar në Londër për fundvit… Si të pritën?

Si gjithmonë, ishte një pritje e ngrohtë mes fansash që e dashurojnë muzikën time. I falënderoj!

– Flitet se Eni Koçi është një ndër këngëtaret më të paguara në tregun shqiptar…

Hëm… Nuk kam koment për këtë. (Qesh)

– Këngët dhe klipet i vetëmenaxhon?

Jo, kam njerëz të cilët punojnë e kujdesen, por sigurisht që kujdesem edhe vetë.

– A mendon se këngët komerciale po pëlqehen gjithmonë e më shumë?

Këngët komerciale do të pëlqehen gjithmonë pasi ne jemi ballkanas dhe këngët që kanë ndërthurje të folkut me komercialen janë pjesë e jona.

– Si e shikon tregun muzikor ndër vite?

Ka këngëtarë e kompozitorë të shkëlqyer të cilët kanë sjellë vepra muzikore të shkëlqyera. Jam e kënaqur për prurjet, talentet e reja dhe për mundësitë që po u jepen këtyre talenteve për të depërtuar në tregun muzikor shqiptar.

– Ndonjë këngëtare tjetër me të cilën aspiron të bashkëpunosh?

Kam shumë kolegë me të cilët kam miqësi, po aq sa edhe simpati profesionale, por bashkëpunimet mendohen dhe vijnë në kohën e duhur…

– E ke provuar veten në tallava?

Më pëlqen dhe duke qenë se më pëlqen, e kam provuar.

– Do ta pranoje një bashkëpunim me Muharrem Ahmetin?

E kemi patur në plan një bashkëpunim dhe e filluam punën, por duke qenë se të dy e kishim kohën të limituar, nuk arritëm ta çonim projektin deri në fund. Por, ai është një artist me vokal të shkëlqyer!

– Si ia bën për të mbajtur një standard muzikor?

Punoj me njerëzit e duhur, përzgjedh këngët e tekstet dhe kujdesem për detajet e vogla, por shumë të rëndësishme.

– Mendon se fama është e lidhur me fitimet?

Sigurisht.

– Thashethemi më i habitshëm që ke dëgjuar për veten?

Dëgjoj pa fund e janë shumë skandaloze, por edhe më bëjnë për të qeshur njëkohësisht, me faktin që njerëzit kanë shumë kohë për thashetheme, por s’po di të specifikoj ndonjë rast.

– Të bëjnë më përshtypje fotot apo komentet në rrjetet sociale?

Jo, më duken tepër qesharake, por janë normale, përderisa merr përsipër të jesh person publik.

– Si është një ditë e jotja e zakonshme?

Çohem herët e bëhem gati për shkollë. Gjysmën e ditës e kaloj në shkollë e librari. Më pas shkoj në stërvitje për kickbox. Pastaj varet nga darka si rrjedhin planet, ndoshta në studio, ose qëndroj në shtëpi të studioj. Gjatë fundjavës, jam nëpër koncerte.

Sa kohë i dedikon pamjes së jashtme?

Mjaftueshëm, aq sa më duhet…

– A është e vështirë të jesh gjithmonë në qendër të vëmendjes?

Është diçka e bukur. (Qesh)

A bën saktifica?

Bëj, varet nga situatat dhe nga njerëzit.

– Po veshjet edhe aksesorët, cilës markë ua beson?

Nuk jam shumë e fiksuar mbas markave dhe nuk kam një firmë fikse. Kam shumë nga Micheal Kors, Dior…

– Për çfarë shpenzon më shumë?

Më shumë me parfume.

– Si i ke raportet me paranë?

Fatmirësisht, mendoj se di ta menaxhoj goxha mirë… (Qesh)

– Bën dhurata?

Bëj, edhe pse e kam pak të vështirë të përzgjedh…

Nga kush merr më shumë dhurata?

Nga familja, shoqëria, por edhe nga fansat.

– A ka diçka personale, apo profesionale që s’e ke realizuar ende?

Kam shumë synime në jetë dhe me shumë punë e përkushtim besoj se do të realizohen të gjitha.  

– Je ende singëll?

– Single and building my empire… (Vetëm dhe duke ndërtuar perandorinë time)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here