Të rejat e fundit nga Universiteti i Harvardit
Doktoreshë Detina Zalli ka studiuar Mjekësi Molekulare në Universitetin e Sussex-it. Më pas, vazhdoi doktoraturën në Universitetin e Leicesterit. Në vitin 2012, ajo u zhvendos në Universitetin e Harvardit, në të cilin punon aktualisht si kërkuese shkencore. Ajo është gjithashtu themeluese e “VVe speak Science”, një institut jofitimprurës, qëllimi i të cilit është rritja e nivelit të shkencës së mjekësisë dhe njohja e njerëzve më të rejat e fundit të saj…
Adrian Rakipi: – Doktoreshë, a mund të na tregoni se cilat janë të mirat e masazhit?
Dr. Detina Zalli: – Të mirat e masazhit janë të shumta e të shumanshme. Studimet e shumta vërtetojnë se masazhi redukton nivelin e hormonit të stresit, kortizolit, duke ulur pra edhe stresin. Masazhi është një metodë natyrale dhe e sigurt për largimin e stresit dhe në dallim nga format e tjera të mjekësisë alternative, është vërtetuar apo dëshmuar praktikisht si pjesë e strategjisë për menaxhimin e stresit. Bazuar në hulumtimet e Institutit Franklin për trurin dhe stresin, është arritur në përfundimin se masazhi nxit çlirimin e endorfinës, që qetëson sistemin nervor periferik. Klinika Mayo e identifikon masazhin si një metodë mjekësore rezultative për të reduktuar stresin dhe dhembjet. Gjithashtu, masazhi pakëson ankthin te fëmijët me depresion dhe te gratë me anoreksi. Po ashtu, pakëson ankthin dhe simptomat që shfaqen me rastin e lënies së duhanit. Kur bën masazh, trupi relaksohet, gjë që sjell edhe normalizimin e zemrës dhe frymëmarrjes, rënien e presionit të gjakut, zvogëlimin e prodhimit të hormonit të stresit dhe relaksim muskular. Po ashtu, pas relaksimit, përmes masazhit, ngrihet niveli i serotoninës, që është një substancë që ndikon pozitivisht në emocion dhe mendim.
– Thuhet se masazhi pakëson edhe dhimbjet e trupit…
– Po, masazhi përmirëson funksionin e kyçeve dhe pakëson dhembjet te njerëzit me artrit, redukton tendosjen e muskujve pas ushtrimeve trupore dhe përshpejton shërimin e muskujve të lënduar, apo të mbingarkuar, duke reduktuar inflamacionin dhe duke nxitur riparimin e qelizave muskulare. Vetë trupi ynë është i koduar që të çlirojë kimikate që e qetësojnë dhembjen kur bëhet masazh.
Kohët e fundit, shkencëtarët bënë një eksperiment shumë interesant në lidhje me masazhin. Ata morën 11 meshkuj dhe i angazhuan fizikisht deri në lodhje. Më pas, ata iu nënshtruan masazhit në vetëm njërën prej këmbëve. Më vonë, pas masazhit, pasi dhembja u lehtësua, shkencëtarët morën biopsi prej të dyja këmbëve, pra, nga këmba e masazhuar dhe nga ajo e pamasazhuar. Nga ato biopsi ata panë se çfarë kishte ndodhur në qelizat e këmbëve. Doli që këmba e masazhuar ishte “komanduar” për të prodhuar më shumë proteina që nxisin prodhimin e energjisë që shërben për rritjen e qelizave, duke bërë edhe riparimin e fibrave muskulare.
– Thuhet se masazhi nxit edhe qarkullimin e gjakut…
– Po, masazhi nxit qarkullimin e gjakut dhe qarkullimin limfatik e kjo më pas nxit furnizimin me oksigjen dhe substanca ushqyese të qelizave, duke realizuar edhe relaksimin e normalizimin e indeve të buta si muskujt, indet lidhore dhe ligamentet, gjë që relakson nervat dhe indet. Organet po ashtu përfitojnë nga masazhi, pasi edhe ato zotërojnë rrugë neurologjike të perceptimit të dhembjes sikurse muskujt, kockat dhe nervat. Kur muskujt, nervat dhe kockat janë të tendosura, kjo gjithashtu ndikon në ngarkesë dhe keqfunksionim të organeve, ngaqë janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
– Mund të na jepni një shembull konkret?
– Po ja, dhembjet e shpinës mund të nxisin dhembjet menstruale te femrat dhe dhembjet apo spazmat menstruale mund të shkaktojnë tensionim të muskujve të poshtëm të shpinës. Masazhi për këto arsye mund të përmirësojë simptomat shoqëruese gjatë funksionimit të organeve dhe muskujve.
– Ekziston një mendim se masazhi nxit edhe krijimtarinë. E vërtetë është?
– Po, kjo shpjegohet edhe shkencërisht. Masazhi rrit nivelin e dopaminës, një hormon i çliruar nga hipotalamusi. Dopamina influencon aktivitete të veçanta, si piktura dhe përdorimi i instrumenteve muzikore. Kjo ndikon në frymëzim dhe në gjendjen shpirtërore. Ata persona që kanë më pak dopaminë, shfaqin ngathtësi, përqendrim të dobët dhe shpërqendrim. Oksitocina është një tjetër neurohormon që lirohet gjatë masazhit. Ky hormon nxit socializimin me njerëzit e tjerë dhe mund të ndihmojë në shtatzani, lindje dhe ushqimin me gji.
– Ju e keni fjalën për masazhe të gjata?
– Jo, nuk është e thënë. Edhe një masazh i lehtë e i shpejtë dhe jo i thellë që zgjat vetëm 15 minuta, e ngre nivelin e adrenalinës përmes stimulimit të sistemit nervor simpatik. Ndërsa masazhi i ngadalshëm, i zgjatur, i thellë dhe me një ritëm më të lartë, e ul nivelin e adrenalinës duke krijuar ndjenjën e të relaksuarit dhe gjumin e thellë.
– A ka edhe sëmundje specifike që shërohen me masazh?
– Masazhi ndikon në shumë sëmundje. Ai është i dobishëm në rastet me diabet, Alzhaimer, migrenë etj., sepse shton qarkullimin e gjakut në lëkurë, gjymtyrë, pjesë të ndryshme, enë të gjakut të kokës apo të trurit. Disa ekspertë, madje, mendojnë se masazhet speciale dhe profesionale mund të ndihmojnë në shërimin e kancerit. Efekti relaksues i masazhit zvogëlon pasojat fizike të stresit dhe pakëson rreziqet e shoqëruara me hipertension, aritmi të zemrës, ankth, spazma, pagjumësi, dobësim apo ligështim, çrregullime seksuale, të tretjes dhe problemet psikologjike. Po ashtu, shkencëtarët mendojnë se masazhi nxit shkarkimin e helmeve nga trupi, por kjo ende nuk është vërtetuar me prova shkencore.