Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Aslaidon Zaimaj: Kënga që buroi nga problemet e mia me shëndetin

Këngëtari i ri 23 vjeçar, Aslaidon Zaimaj është nga qyteti i Durrësit, por prej vitesh jeton dhe aktualisht studion në vitin e dytë në dëgën e “Psikologjisë” në qytetin e bukur me kullën e pjerrët, në Piza të Italisë. Interpretimi i shkëlqyer i këngës “Bohemian Rhapsody” nga Queen, por edhe talenti i padiskutuar e bënë atë fitues të çmimit të parë në talent shoun “The Voice Of Albania 4”.

Aslaidoni është një artist me shumë vlera, një talent i padiskutuar, por mbi të gjitha, një njeri me këmbë në tokë. Më pëlqen modestia e tij ndërsa flet për jetën e sukseset dhe thjeshtësia që e karakterizon, një virtyt që vetëm artistët e mirëfilltë dhe me kulturë mund ta kenë në ditët e sotme. Ndërsa shoh e dëgjoj shumë artistë me ankesa apo pakënaqësi gjatë provave të festivalit, e kundërta ndodh me Aslaidonin; çdo provë që ai kalon është perfekte… Këtë vit ai vjen për herë të parë si konkurrent në festivalin e RTSH-së por, çfarë pret Aslaidoni nga ky festival? Si është konkurrenca për të? A është synimi i tij Eurovizioni? Kujt i drejtohet ai me mesazhin e fuqishëm që sjell me këngën me titull, “Merrmë që sot”? Të gjitha këto, ai i rrëfen në këtë intervistë.

 

Advertisement

Sava LENA: – Përshëndetje Aslaidon! Pas fitores në “The Voice of Albania”, këtë herë takohemi në festivalin e 54-ërt të këngës në RTSH. Çfarë do të thotë për ty ky prezantim?

Aslaidon ZAIMAJ: – Ky është objektivi më i rëndësishëm që kam pasur për këtë vit, pas “The Voice” dhe Top Festit. Shpresoj të shkojë gjithçka mirë sepse ky konkurrim është shumë i rëndësishëm për mua.

– Kënga pjesëmarrëse në këtë festival titullohet, “Merrmë që sot”. Si erdhi kjo këngë te ti?

– Në fakt, kënga nuk u parashikua për këtë festival. Një ditë të bukur më erdhi një ide në kokë, fillova ta luaja melodinë me kitarë dhe më pas ia propozova kompozitorit të këngës, Briz Musarajit. Kështu, kënga u realizua menjëherë. Në përfundim të këngës, kur e pamë se shkoi mirë, menduam ta sillnim në festival.

– Për çfarë flet kënga?

– Unë pata një problem shumë të vështirë shëndetësor dhe më thanë se duhet të operohesha në mënyrë të menjëhershme. Në atë kohë kisha një vend pune shumë të mirë, por ky lajm i keq m’i prishi të gjitha planet në atë moment dhe më duhej të kthehesha në Itali për të kryer këtë operacion. Përveç të tjerash, nuk isha mirë as nga ana psikologjike. Çdo gjë më dukej e errët dhe nuk po gjeja dot një rrugëdalje. Ndihma që po më ofronin njerëzit, nuk po më bënte përshtypje sepse ndihmën duhet ta gjeja brenda vetes. E mora gjithçka me qetësi dhe më në fund e gjeta mënyrën si të dilja nga ajo situatë e vështirë. Përveç operacionit në stomak, kisha edhe shumë probleme të tjera. Në fund, mendova që gjithë këtë dëshpërim që kisha në ato momente të këqija e të errëta të jetës sime, ku unë nuk po e gjeja dritën, ta hidhja te një këngë sepse kjo është e vetmja gjë që mund të bëj më mirë.

– Me fjalët “Merrmë që sot”, i drejtohesh Zotit?

– Po! Nuk jam fetar, por kam shumë besim se ekziston Zoti atje lart. Në ato momente, nuk dija kur t’i drejtohesha sepse isha shumë keq nga gjendja fizike, por edhe më shumë nga ajo shpirtërore. Ndjehesha shumë vetëm dhe sado që personat që më rrethonin, familja e shokët, mundoheshin të më ndihmonin sadopak, në ato momente nuk doja të shihja njeri me sy, kështu që mendova t’i drejtohesha Zotit, pasi nuk dija më çfarë të bëja. Në fund e kuptova se gjithçka është e brendshme. Në qoftë se arrin t’i rregullosh të gjitha ato gjëra që nuk funksionojnë në atë moment, forcohesh. Dhe tani, unë besoj se jam më i fortë seç isha më përpara.

– Kënga përcjell vetëm gjendjen tënde të rëndë emocionale dhe shëndetësore?

– Në fillim, kur një person e dëgjon këngën, mund të mendojë se ka shumë pesimizëm apo mistere brenda saj, por kënga është shumë pozitive. Jam shumë i sigurt se brezi im gjykohet shumë dhe kjo gjë nuk e ndihmon aspak këtë brez të ri. Ky mendoj se është një gabim shumë i madh. Unë dua të marr shembull nga brezi i vjetër, por kjo nuk ndodh. Pikërisht atëherë kur je vetvetja, ky rreth nuk të pranon. Urtësia merret si dobësi dhe këto janë gjëra të cilat nuk i duroj dot. Mesazhi i këngës është shumë pozitiv, duke shprehur mesazhin që gjithkush të jetë vetvetja sa më shumë. Nëse jeni të urtë, le të jeni edhe më të urtë se është më mirë kështu, por nuk duhet të fshihesh kurrsesi. Nëse ke dëshirë të vendosësh një vëth, një tatuazh, apo të bësh një prerje flokësh, atëherë bëje, mos u ndal prej paragjykimeve. Duhet edhe të mësohesh të mos paragjykosh, gjë të cilën unë po e mësoj çdo ditë.

– Prej një muaji, këngët kanë filluar transmetimin e tyre. Cilat janë komentet pozitive apo ato negative për prezantimin tënd në Fest 54?

– Deri më tani kanë ardhur komente shumë pozitive, që nuk i prisja. Isha përgatitur që kënga të kritikohej, pasi është një këngë shumë e veçantë, ndryshe nga ato që dëgjohen shpesh. Dëgjoj shumë fjalë të mira për muzikën, tekstin e shkruar nga Big Basta (me idenë time), pra, kënga është pëlqyer dhe kam shumë shpresa. Komente negative nuk kam dëgjuar  për këngën, por për një foto që kam bërë tani për festival e cila është bardhë e zi. Një person më kishte shkruar: “Pse kaq shumë negativitet?!”. I thashë se unë nuk mund të flas për dashuri, për përralla të bukura, në qoftë se nuk i ndjej. Fallcitetin në muzikë nuk e duroj dot. Te fotoja, në atë moment, kam dashur të shpreh errësirën time. Dua të ndriçoj gjithçka, por nuk mund të ndriçoj dot pa errësirën. Errësira është pjesë e imja.

– Si është të punosh me një staf si RTSH-ja?

– Mund të them se janë të gjithë shumë të mirë, të sjellshëm, orkestra është perfekte, organizimi i shkëlqyer dhe nuk më duhet të pres shumë për të bërë provën. Më pëlqen gjithçka.

– Si e sheh përballjen me kolegët e tjerë në konkurrim?

– Pjesa më e bukur e festivalit është kjo përballje, që ka një lloj konkurrence. Kjo është gjëja më e bukur, adrenalina që do të përballesh me dikë tjetër. Kjo është një sfidë e bukur.

– Cila këngë të ka pëlqyer më tepër?

– Do të veçoja këngën “Asaj”, që e këndon Nilsa Hysi, me të cilën kemi qenë bashkë në “The Voice”. Edhe kënga e Eneida Tarifës më ka pëlqyer.

– Kë sheh si konkurrentin tënd më të fortë?

– Si konkurrentë të fortë shoh këto që përmenda më lart, një këngëtare të cilën nuk e njihja më parë, Flaka Krelanin, e cila ka një këngë shumë të fortë, Enxhi Nasufin, gjithashtu. Ka edhe këngë të tjera shumë të mira, por të më falni, se nuk i njoh të gjithë këngëtarët.

– A është Eurovizioni synimi yt?

– Sigurisht që po. Dua të arrij në finale dhe shpresoj për një fitore.

– Deri ku shkon ambicia jote në muzikë?

– Këtë ende nuk e di, sepse sa herë që arrij të kryej një synim që i vë vetes, nuk jam i kënaqur me veten dhe mendoj se çfarë mund të sjell më shumë. Besoj se nuk do të kënaqem asnjëherë duke kërkuar gjithmonë dhe më të mirën. (Qesh)

– Çfarë do t’i thuash publikut që do të të ndjekë në festival?

– I kujtoj se unë do të këndoj në natën e parë, i katërmbëdhjeti në radhë. Shpresoj që kënga t’i pëlqejë dhe uroj që publiku të kënaqet me perfomancën time.

– Çfarë do të veshësh?

– Do të jem shumë thjesht. Duke qenë se në përgjithësi në paraqitjet e mia kam qenë me ngjyra të errëta, këtë herë mendova që pantallonat të jenë të zeza dhe këmisha, të jetë e kuqe. Më pëlqejnë shumë këmishat, janë në tipin tim dhe ndjehem njëkohësisht shumë i lirshëm me to.

– Si e ke menduar paraqitjen skenike?

– Deri tani mendoj të jem i vetëm në skenë, ku do të lëviz dhe do të shpreh shumë nga mesazhi i këngës sime me këto lëvizje.

– Ssi e mbush kohën Aslaidoni?

– Meqenëse jam këngëtar, po mendoj pak edhe për pamjen e jashtme. Kam dy muaj që kam filluar palestrën dhe po bëj shumë aktivitet fizik. Në këto momente, nuk jam në një punë fikse, kështu që mundohem t’i kushtoj më shumë kohë familjes e shoqërisë. Nuk më pëlqen të rri shumë në shtëpi, aty preferoj vetëm të fle dhe të dëgjoj muzikë, asgjë tjetër.

– Meqenëse pak ditë na ndajnë nga ndërrimi i viteve, ku do të të gjejë ty Viti i Ri 2016?

– Nuk e kam të sigurt, por me shumë mundësi mendoj se do të jem në Itali. Mamanë dhe vëllain i kam aty dhe dua ta festoj Vitin e Ri me familjen time.

– Nga pret ta marrësh urimin e parë?

– Urimin e parë e pres nga vëllai, të cilin e kam shumë xhan.

– Po puthjen e parë?

– (Qesh) Atë puthjen për të cilën ti po më pyet, nuk mund ta marr dot në natën e ndërrimit të viteve sepse ajo jeton në Shqipëri, por do të marr një tjetër puthje të ëmbël dhe me shumë dashuri nga mamaja ime.

– Si ishte për ty viti 2015?

– Vitin 2015 e konsideroj të shkëlqyer, përveç momenteve jo të mira me shëndetin… Edhe këto momente të vështira të jetës sime më kanë ndihmuar për të zbuluar te vetja gjëra që nuk i dija më parë.

– Çfarë pret nga viti i ardhshëm?

– Pres vetëm surpriza, zbulime, gjëra të mira që nuk i mendoj, por që pres të më vijnë vetë. Së fundi, doja t’u uroja të gjithë atyre personave që më ndjekin, si edhe lexuesve tuaj: Gëzuar festat, të jeni sa më mirë dhe të kënaqeni me familjet tuaja.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Xhemil Zeqiri: Kush ka të drejtë në debatin "Shqipëria 1945-2015"

Next Post

Si t’i kthehem jetës normale?

Advertisement