Skip to content Skip to footer

Test A dini gjithçka për gripin?

 

 

I ftohti filloi dhe bashkë me të fillon edhe sezoni i gripit. Të gjithë, pak a shumë, prekemi prej tij, në varësi të gjendjes sonë shëndetësore dhe të mbrojtjeve imunitare. Një mënyrë e mirë për t’u mbrojtur është edhe të bësh vaksinën. Bëni testin tonë për të mësuar dhe shtuar njohuritë tuaja për këtë sëmundje kaq të përhapur…

 

  1. Mund të sëmuresh nga gripi sepse ke bërë vaksinën kundër tij.
  2. E vërtetë
  3. Gënjeshtër

 

  1. Ju mund ta përhapni gripin edhe para se ta mësoni që jeni sëmurë prej tij.
  2. E vërtetë
  3. Gënjeshtër

 

  1. Gripi nuk është sëmundje serioze.
  2. E vërtetë
  3. Gënjeshtër

 

  1. Një i sëmurë mund t’jua ngjisë gripin, vetëm nëse është afër jush.
  2. E vërtetë
  3. Gënjeshtër

 

  1. Kush duhet ta bëjë vaksinën e gripit?
  2. Vetëm fëmijët
  3. Vetëm pleqtë
  4. Të gjithë

 

  1. Vaksina e gripit mund të bëhet vetëm me injeksione.
  2. E vërtetë
  3. Gënjeshtër

 

  1. Cila është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin?
  2. Përdorimi i sapunit antibakterial.
  3. Larja e shpeshtë e duarve.

 

  1. Mund të sëmuresh nga gripi edhe kur del jashtë me flokë të lagur.
  2. E vërtetë
  3. Gënjeshtër

 

  1. Virusi i gripit ndryshon gjithë kohën.
  2. E vërtetë
  3. Gënjeshtër

 

  1. Antibiotikët mund t’ju ndihmojnë me gripin.
  2. E vërtetë
  3. Gënjeshtër

 

  1. Më mirë ta bëni vaksinën vonë, sesa hiç fare.
  2. E vërtetë
  3. Gënjeshtër

 

  1. “Gripi i stomakut” është një lloj gripi sezonal.
  2. E vërtetë
  3. Gënjeshtër

 

Përgjigjet

  1. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Këtë mit mbase e keni besuar edhe ju në një moment të caktuar, kur ju kanë thënë se filani u sëmur keqas pasi bëri vaksinën. Vaksinat e gripit bëhen me viruse të ngordhura, ose edhe pa viruse fare. Ju nuk mund të sëmureni nga gripi sepse keni bërë vaksinën. Mund t’ju dhembë pak dora, të keni dhimbje trupi dhe pak temperaturë, por do të ndjeheshit shumë më keq nëse do të sëmureshit nga gripi.

  1. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Ja, një nga gjërat e këqija të gripit: Ju mund t’ia ngjisni atë dikujt tjetër edhe para se të keni vetë simptoma dhe deri një javë pasi simptomat kanë kaluar. Disa njerëz, veçanërisht fëmijët dhe ata me sistem të dobët imunitar, mund ta përhapin për një kohë edhe më të gjatë.

  1. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Disa njerëz sëmuren aq keq prej tij, sa duhet të shtrohen në spital. Ata mund të kenë pneumoni, bronkit, ose ndërlikime të tjera. Gripi është më i rrezikshëm për fëmijët, të moshuarit mbi 65 vjeç dhe ata që kanë probleme shëndetësore. Afro 90% e njerëzve që vdesin nga gripi, janë të moshuar.

  1. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Njerëzit me grip mund t’ua ngjisin atë njerëzve që ndodhen edhe 2 metra larg (kijeni parasysh këtë herën tjetër kur të jeni në autobus dhe dikush është duke u kollitur apo teshtitur). Gripi zakonisht përhapet kur një person i sëmurë kollitet, teshtin ose flet. Pikla të pështymës dhe hundëve mund të futen në hundën apo gojën tuaj. Gripin mund ta marrësh edhe duke prekur diçka, si një dorezë dere apo telefon që ka viruse në të.

  1. Përgjigjja e saktë është c-ja.

Bërja e vaksinës së gripit është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur. Çdokush mbi 6 muajsh duhet ta bëjë atë çdo vit. Ajo do t’ju ndihmojë kundër 3-4 llojeve virusi që janë më të fuqishëm këtë sezon. Shkencëtarët e përditësojnë vaksinën çdo vit. Flisni me doktorin nëse keni probleme shëndeti, ose pyetje.

  1. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Fëmijët i urrejnë gjilpërat, ashtu si edhe shumë të rritur, por tani vaksinat mund të bëhen edhe në formë spërkatësi nga hunda. Në këtë formë mund ta bëjnë vaksinën njerëzit e shëndetshëm të moshës 2-49 vjeç, me kusht që të mos jenë shtatzënë. Kjo është edhe mënyra e preferuar e vaksinës për fëmijët 2-8 vjeç. Spërkatësi ka virusë të gjallë, të dobësuar, por nuk të transmeton gripin. Nëse vaksina nuk është e disponueshme në këtë formë aty ku jetoni, atëherë jeni të detyruar ta bëni në formën tradicionale.

  1. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Sapuni antibakterial ose xheli nuk ju mbron më shumë se larja e duarve me ujë e sapun të zakonshëm. Nëse ju i lani duart shpesh dhe mirë, do të hiqni qafe bakteret dhe viruset që ngjiten në to.

  1. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Në këtë rast mamatë tona nuk kishin të drejtë. Dalja jashtë me flokë të lagur nuk do të shtojë mundësitë për t’u sëmurur nga gripi (dhe as dalja jashtë pa pallto). E vetmja mënyrë për t’u sëmurur është të ekspozoheni ndaj virusit.

  1. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Gripi që po mban partnerin/en tuaj në shtrat, mund të mos jetë i njëjtë me atë që sëmuri mamanë tuaj vjet, sepse virusi i gripit ndryshon gjithë kohën. Viruset mund të ndryshojnë nga viti në vit, por edhe në mes të një sezoni gripi.

  1. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Nuk është nevoja t’i kërkoni doktorit antibiotikë; këta të fundit të ndihmojnë vetëm kundër infeksioneve të shkaktuara nga bakteret. Ilaçet antivirusale, si oseltamiviri (Tamiflu) dhe zanamiviri (Relenza) mund të luftojnë virusin e gripit dhe t’ju ndihmojnë të ndjeheni mirë më shpejt. Ato kanë më shumë efekt nëse i merrni brenda dy ditëve të para të shfaqjes së gripit, kështu që pyesni doktorin për to sapo të keni simptomat e para.

  1. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Mirë është ta bëni vaksinën në kohë, sapo ajo të dalë, në vjeshtë. Asaj i duhen afro dy javë që të fillojë të funksionojë, prandaj është mirë të bëhet para sezonit të gripërave, që zakonisht është nga dhjetori në shkurt. Nëse e bëni vaksinën në nëntor, ajo mund të zgjasë edhe përtej kësaj periudhe.

  1. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Shumë nga shkaktarët e “gripit të stomakut”, si baktere, viruse, ose parazitë mund t’ju bëjnë të keni të përziera, të vjella dhe diarre. Megjithëse këto simptoma mund të shfaqen me gripin sezonal, sidomos te fëmijët, gripi është kryesisht një sëmundje që lokalizohet në hundë, fyt dhe mushkëri, jo në stomak dhe zorrë.

Leave a comment

0.0/5