– Përshëndetje! Jam një zonjë që i lexoj gjitha rubrikat tuaja. Unë kam një kërkesë të thjeshtë: dua të di se me çfarë hiqen njollat te tapetet, për shembull? Njolla e çokollatës, njolla e kafesë etj. Jam e interesuar sepse kam dy fëmijë të vegjël të cilët janë shkaktarë të këtyre njollave. Doja ca këshilla praktike me solucione shtëpiake. Faleminderit.
– E nderuar zonjë, një nënë, sidomos në kushtet tuaja duhet të jetë sa më praktike në shtëpi dhe t’ia gjejë zgjidhjen çdo gjëje në kushte shtëpiake. Ato që konsumojmë në shtëpi, ndodh shpesh që të kenë dhe funksione të dyta ose ndihmëse për atë çfarë shtroni ju në kërkesën tuaj. Më poshtë do t’ju japim disa këshilla për të gjitha nënat, vajzat apo zonjat të cilat gjenden para situatave të tilla.
– Kur tapeti apo dhe qilimat njollosen me çokollatë, si fillim merrni një letër kuzhine, vendoseni mbi njollë dhe përthitheni atë. Më pas, hidhni pak detergjent enësh te njolla dhe në fund lajeni me sapun të lëngshëm. Nëse nuk ka rezultat, përdorni pak benzinë të pastër mbi njollen (benzol), ama me kujdes shumë të madh, duke mbajtur larg fëmijët tuaj dhe çdo mjet ndezës.
– Edhe në rastet kur njolloset me vaj ose salcë, veproni me metodën e parë, me letrën e kuzhinës, ilaçin e enëve dhe hiqet menjëherë.
– Njollat e kafes, çajit, verës, qumështit dhe pijeve freskuese hiqen në këtë mënyrë. Në fillim, merrni një copë të bardhë të cilën e njomni me ujë dhe fërkoni njollën, në mënyrë që të tretet pak njolla në ujë. Në vazhdim, mund të përdorni një solucion që përdoret për të larë rrobat e leshta. Në mungesë, përdorni solucionin që përdorni për të pastruar sobën.
– Për njollat e gjakut, përdorni metodën e mësipërme. Nëse nuk shihni rezultat pozitiv, përdorni pak tretësirë oksigjeni, të cilën mund ta gjeni dhe në farmaci.
– Nëse njolla ka lidhje me manikyret, përdorni pak aceton nga ai që përdorni për të pastruar thonjtë. Ama kini kujdes, përdoreni lehtë dhe jo duke ushtruar forcë, sepse mund t’i dëmtoni ngjyren e tapetit.
– Njollat e qirinjve hiqen në këtë mënyrë: vini mbi njollë një copë të bardhë të pastër dhe sipër hekuroseni me hekur me temperaturë të ulët. Përpara kësaj procedure mund të përdorni dhe letrën thithëse të kuzhinës. Nëse përsëri nuk shikoni rezultat, përdorni pak benzol, siç ju thamë më sipër, gjithmonë me kujdes. Balta hiqet pasi të jetë tharë me fshesë elektrike. Duhet të keni parasysh që në çdo rast, tapeti të fërkohet në drejtim të pushit që ka, në mënyrë që të mos prishet dekoracioni. Një kujdes të veçantë duhet t’u kushtohet qilimave të punuar me fije mëndafshi sepse janë më delikatë.
– Së fundi, ju këshilloj t’i pastroni herë pas here qilimat tuaj me uthull të bardhë në masat 1 me 3, fundja edhe me një pecetë të lagur në këtë raport që ju dhashë. Në një litër ujë, hidhni 3 lugë uthull. Uthulla e bardhë ndihmon shumë për njollat, është dizinfektuese për bakteret dhe gjallëron shumë ngjyrat. Nëse e lani tapetin, atëherë në ujin që do ta lani, hidhni një shishe të tërë uthulle, në mënyrë që të marrë pamjen që ju thashë më sipër, t’i rigjallërohen ngjyrat dhe të pastrohet plotësisht nga njollat dhe bakteret. Rezultate pozitive jep edhe soda e bukës për pastrimin, dezinfiktimin dhe heqjen e aromave të pakëndshme nëpër tapete. Hidhni një shtresë me sodë buke dhe lëreni të paktën 2 orë mbi tapet ose qilim. Më pas pastrojeni me fshesë me korent dhe do të shikoni rezultate aq të mira, saqë do të ngeleni të habitura.