Jovan Nikoliç është largimi i parë nga radhët e Partizanit. Malazezi kishte ardhur me bujë të madhe në gusht të këtij viti dhe aventura e tij me “demat” zgjati vetëm katër muaj. Mesfushori nuk pati shansin ta tregonte veten dhe vendosi të kërkonte largimin nga skuadra e trajnerit Starova. 24-vjeçari ndjen keqardhje për faktin se nuk iu dha mundësia për të treguar aftësitë e tij dhe për të thënë se sa vlen në të vërtetë. Malazezi shprehet se nuk ka folur kurrë me trajnerin dhe nuk i është shpjeguar asnjëherë se pse nuk është përfshirë në planet e tij. Nga vendi fqinjë ku ndodhet, ai ka rrëfyer gjithçka për gazetën tonë në një intervistë të sinqertë dhe me dashamirësi.
Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Nikoliç… si je?
Jovan Nikoliç: – Përshëndetje brate (vëlla)… Mirë, faleminderit.
– Ke disa ditë që je larguar nga Partizani… Me çfarë po merresh?
– Po, është e vërtetë ka pak ditë që u largova. Jam kthyer me familjen dhe tani po qetësohem. Po e marr veten nga kjo aventurë që përjetova.
– Si do ta cilësoje këtë aventurë?
– Pavarësisht të gjitha gjërave që më ndodhen me karrierën time, nuk mund t’i vë një notë negative, pasi nxora një mësim.
– Para se të flasim për këto, më thuaj, pse vendose të largoheshe?
– Vendosa të largohesha pasi nuk kisha pse të qëndroja më kur trajneri nuk më llogariste në ekipin e parë dhe luaja për ekipin B. Nuk isha i kënaqur dhe nuk mund ta pranoja këtë situatë rreth meje. Unë jam lojtar profesionist dhe nëse vazhdoja të qëndroja aty, vetëm do të humbja kohë kot.
– E kërkuat ju largimin?
– Po, e kërkova vetë. Kisha një muaj që i shprehja dëshirën time drejtuesave. Ne vendosëm që të ndërprisnim bashkëpunim me një shtrëngim duarsh.
– A i morët të gjitha detyrimet financiare?
– Po, po, klubi m’i dha të gjitha detyrimet. Nuk kam probleme në këtë aspekt.
– Si ishte situata juaj te “demat”?
– Në fillim, gjithçka ishte mirë. Më pritën mirë e më afruan me grupin. U aktivizova në triangolare dhe po stërvitesha fort, por pastaj trajneri nuk më afroi me grupin. Unë vazhdova të bëja punën time dhe po prisja mundësinë që nuk m’u dha kurrë. Përfundova në ekipin B dhe luaja vetëm në kupë. U bë një situatë e vështirë edhe në aspektin psikologjik.
– A keni folur ndonjëherë me trajnerin?
– Starova nuk ma shpjegoi kurrë se pse nuk po luaja. Nuk foli asnjëherë dhe nuk më përkrahu që të afrohesha me formacionin. Nuk e kuptoj pse ndodhi kjo. E meritoja të kisha të paktën një mundësi.
– Ishte i drejtë trajtimi që ju bë juve?
– Nuk më trajtuan mirë. Më blenë e më prezantuan si blerje të rëndësishme dhe pastaj më hodhën në këtë mënyrë. Nuk ishte e drejtë mënyra si më trajtuan.
– Keni ndonjë merak?
– Nuk më pëlqen vetëm fakti se nuk pata mundësinë për të treguar sa vleja, për tjetër, jo. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që jam larguar. Nuk kisha pse të duroja më, pasi ishte një kohë e humbur dhe situatat nuk do të ndryshonin, unë e kuptoja.
– Jeni penduar që erdhët në Shqipëri?
– Jo, nuk jam penduar aspak. Nuk më eci me sportin, por kjo nuk do të thotë se gjithçka nuk ishte e bukur…
– Çfarë do të mbani mend për mirë?
– Kam njohur shumë miq të rinj, djem fantastikë dhe ia kam kaluar shumë mirë me ta. Gëzoj respekt maksimal dhe do t’i ruaj gjithmonë si kujtime të bukura.
– Ju ka bërë përshtypje diçka nga Shqipëria?
– Po, mësova një kulturë të re. Shqiptarët janë një popull dashamirës dhe mirëpritës. Do të rikthehem përsëri për të pirë kafe në Tiranë dhe për të takuar ata që lashë këtu.
– Si janë planet e Nikoliçit tani?
– Do të qetësohem deri në janar dhe do të kaloj më shumë kohë me familjen time.
– A keni ndonjë ekip që është i interesuar për ju?
– Për momentin, nuk kam shikuar asgjë në këtë aspekt, por në merkaton e janarit do të gjej edhe ekipin e ri.
– Ju uroj suksese dhe paçi fat, brate…
– Faleminderit vëlla, kënaqësi të flisja me ty…
Dritan Dervishi: Nikoliçi, një djalë i shkëlqyer
Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Dritan Dervishi ka folur gjatë konferencës për shtyp të ekipit ndër të tjera edhe për lojtarin malazez, Jovan Nikoliç. Ai ka shpjeguar se 24-vjeçari e kishte kërkuar vetë largimin.
“Nikoliçi kërkoi të largohej që para një muaji. Ne si staf teknik ia plotësuam dëshirën dhe ramë dakord të dyja palët që ta linim të lirë. Partizani i ka kryer të gjitha detyrimet ndaj tij”.
Drejtori i të kuqve ka folur edhe për karakterin e malazezit:
“Ishte një lojtar me një karakter shumë të mirë dhe djalë shumë i mirë. Kënaqësi të punoje me të. U largua me shtrëngim duarsh dhe kjo ishte zgjedhja më e mirë. I uroj fat për të ardhmen e tij”.