Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Masturbimi më është bërë sëmundje

 

– Përshëndetje i nderuar psikolog! Unë që po ju shkruaj jam një djalë beqar, 20 vjeçar. Kam një problem sepse masturbohem çdo ditë, më është bërë si sëmundje. Jam munduar ta lë, por nuk mundem. Shkoj 3-4 ditë maksimumi, por prapë duhet ta bëj dhe sa herë që e bëj, pendohem, mërzitem e bie në depresion. Nëse do të më jepnit një këshillë, do t’ju isha shumë mirënjohës. Faleminderit.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – I nderuar 20 vjeçar, duke lexuar letrën tënde, m’u kujtua diçka kur isha në shkollën fillore… Babai im, mjek popullor, i thoshte kushëririt tim adoleshent: “Sa herë ke dëshirë për t’u masturbuar, çohu e lëviz, ndrysho vend e bëj një punë dhe “vala” e epshit të kalon e ti qetësohesh. Bëj kështu herë pas here, frenoje veten mos u mëso keq…” Atëherë, unë 8 vjeçari, nuk e kuptoja se ç‘ishte kjo bisedë dhe as nuk e dija që pas 5 vitesh do të më duhej dhe pas 20 vitesh do të isha psikologu që do të shkruaja librit “Edukata seksuale” me 304 faqe, ku kapitullit për onanizmin ose masturbimin i kam kushtuar plot 15 faqe…

Advertisement

Sot masturbimi konsiderohet si diçka normale me të cilin adoleshentet dhe të rinjtë, të rejat, meshkujt dhe femrat jo vetëm që njohin trupin e stërvitin aparatin psikoseksual, por edhe qetësohen kur kanë dëshirë për seks e nuk kanë partner ose partnere. Në këto kushte, masturbimi është jo vetëm i këshillueshëm e i dobishëm, por edhe çtensionues e relaksues, pra, kur trupi “ulëret” dhe ëndrrat erotike jo gjithmonë e luajnë rolin për hapjen e “valvolave” natyrore. Në praktikën time shumë vjeçare si psikolog klinik, i këshilloj të rinjtë e të rejat që të mos u bëhet ves masturbimi e të mos e teprojnë, pasi turbina e seksit nëpërmjet masturbimit ose seksit ka tendencën që t’i gllabërojë të gjitha energjitë që duhen për zhvillim fizik e intelektual dhe për t’u përgatitur për jetën e ardhshme. Në të gjitha rastet që kam trajtuar me psikoterapi, kam kuptuar se dëmin më të madh nuk e shkakton masturbimi, por frika e madhe që kanë të rinjtë (më shumë meshkujt) nga masturbimi, edhe pse të gjithë e bëjnë këtë. Fëmijët dhe adoleshentët e painformuar tremben edhe më shumë dhe logjika nuk mund të komandojë gjithmonë sistemin e frenimit, aq më tepër, kushtet tepër erotizuese sot!

Në disa raste, fëmijët, të trembur nga “dëmi” i masturbimit, humbasin besimin në vetvete dhe shpresat për të ardhmen. Kjo ndodh se duke qenë se janë marrë me masturbim dhe nuk janë në gjendje ta shmangin këtë ves, e quajnë veten të dëmtuar e të pandreqshëm, bëjnë një jetë pa shpresë, madje mund të pësojnë edhe trauma të rënda dhe gjendje depresive ose ankth. Për ta sqaruar më mirë këtë që thamë, duhet ta shohim pak historikisht problemin. Mbi 200 vjet më parë, mjeku zviceran Tisso shkroi librin e parë për masturbim, në të cilin autori e quan këtë ves shumë të dëmshëm e me pasoja fatale. Madje Tisso e quan atë edhe shkakun e lindjes së shumë sëmundjeve të ndryshme si epilepsia, paraliza etj. Më vonë u vërtetua se ai nuk sillte ndonjë sëmundje, por frika u përhap. Në fakt, gjatë pjekurisë seksuale, kur organizmi është në pjekje formim, përsëritja e shpeshtë e onanizmit nuk ka se si të mos pasqyrohet negativisht në zhvillimin e përgjithshëm fizik e mendor të organizmit të adoleshentit, por jo se ai sëmur. Edhe pas Tissos, disa autorë të tjerë, ndoshta me dashje, kanë falsifikuar shkencën mjekësore dhe duke dashur që ta parandalojnë onanizmin, kanë pardorur si mjet frikën nga masturbimi pasojat “fatale” të tij. Prandaj mund të dëgjosh edhe sot mite të gabuara mbi “shterimin” ose “tharjen” e palcës së kurrizit, trurit etj. si pasojë e onanizmit. Shpesh të rinjtë trembin edhe njëri-tjetrin dhe siç thamë, të tremburit u shkakton trauma psikologjike dhe rënie shpirtërore ose gjendje depresive etj. Sidomos ata që kanë vullnet të dobët e që s’janë në gjendje që ta frenojnë veten mund të bëhen edhe neurotikë, diagnozë që kërkon psikoterapi speciale. Kjo vjen ngaqë, si edhe ti djalë, ata megjithëse kanë frikë nga pasojat e onanizmit, përsëri e vazhdojnë atë. Pas çdo akti, adoleshentin ose të riun e vret ndërgjegjja dhe e mundon frika aq sa mund ta quajë veten të shteruar, të degraduar e ndoshta të padenjë për të jetuar, më keq se çdo njeri tjetër që nuk merret me onanizëm. Kështu, i riu, ngaqë nuk e frenon dot veten, mund të humbasë edhe interesin për jetën, për mësimin, punën etj. Ndoshta ndonjëri pret me frikë martesën duke e quajtur veten me potencë seksuale të dëmtuar. Dhe pikërisht frika, vërtet mund të shkaktojë ndonjë impotencë, edhe pse fallco. Në ndonjë rast të rrallë, i riu bie aq shumë moralisht sa mund të mendojë edhe për vetëvrasje. Për ilustrim po sjell shkurtimisht një pjesë nga përvoja ime para ca vitesh, me një djalë 19 vjeçar. Ai nga një fshat i Elbasanit, vjen në klinikë dhe kërkon që të bisedojë veças me mua. Dukej shumë i shqetësuar dhe i rënë moralisht. Unë i hoqa turpin dhe ai pak nga pak “u rrëfye”. Kishte dëgjuar rastësisht nga ca shokë e më pas nga babai se onanizmi ishte shumë i dëmshëm. Djali i trembur nga dezinformacioni kishte filluar ta shikonte me dyshim e frikë çdo ndryshim në organizmin e tij dhe i dukej sikur pasojat e “rënda” të onanizmit kishte filluar t’i vuante te vetja. Filloi të lexonte për sëmundje të ndryshme dhe i dukej sikur po e kapnin… Dhimbja e natyrshme e gjendrave të gjoksit dhe enjtja e tyre e kishin trembur edhe më shumë. I bindur se ishte i sëmurë, djali i kishte kërkuar ndihmë një mjeku në fshat fqinj, që s’e njihte, të cilit nga turpi s’i kishte treguar as emrin e vërtetë. Për fat të keq mjeku nuk e kishte qetësuar djalin, por e kishte paralajmëruar se, po qe se do ta vazhdonte onanizmin, pasojat do të ishin më të rënda. Djali ishte larguar si i mpirë dhe i bindur se po kryente një “vetëvrasje” të ngadalshme, megjithatë, onanizmin s’kishte mundur ta ndalonte (edhe sikur ta ndalonte, ai tani mendonte i dëshpëruar se ishte tepër vonë për të). Kështu, djali mezi mbaroi shkollën e mesme. E quante veten të degraduar dhe kishte vendosur të mos martohej. Ai ishte i bindur se askush në botë nuk merrej me onanizëm si ai. Ishte me vullnet të dobët e temperament melankolik. Jeta më nuk e gëzonte, as në futboll apo në shëtitje nuk shkonte. Edhe me shokët nuk luante. Pas 2-3 seancave i dhashë për të lexuar dy libra të Adem Harxhit që për mua është një autor brilant dhe ai mori informacionet e sakta për seksin e seksualitetin rinor. I lexova dhe disa pjesë nga librat e mi, duke ia shpjeguar edhe me shembuj konkretë nga jeta. E qetësova duke e bindur se asgjë e keqe nuk e priste, se sperma nuk është pjesë e palcës kurrizore ose e trurit, siç ia kishin “argumentuar” atij, por prodhim i disa gjëndrave përkatëse. E këshillova që ta qetësonte veten dhe ta rrallonte onanizmin i cili varfëron ndjenajt, harxhon kot energjitë dhe frenon zhvillimin fizik, psikik e mendor. E binda se duhet ta plotësonte jetën me gjëra të dobishme si punë, lexime, sport e veprimtari të ndryshme, se kështu do ta kishte edhe më të lehtë për ta “harruar” onanizmin. Ta hiqte vemendjen nga trupi dhe ashtu u bë, djali u fut në punë. Prindërit kishin edhe nevoja ekonomike dhe ai kishte vendosur që t’i ndihmonte ata me të holla. Në punë shkonte i pari dhe punonte shumë. Gjithë ditën vëmendjen e përqendronte te puna. Të tjerët filluan ta respektonin dhe atij i vinte mirë. Filloi të flinte më mirë, ishte më i qetë. Filloi edhe të lexonte, të dëfrente e të luante me shokët. Nisi të merrej edhe me sport dhe ishte i gëzuar që aftësitë dhe forcat po i “riktheheshin”. Me onanizëm tani merrej më rrallë, pasi unë e këshillova që ta rrallonte e jo ta ndërpriste fare atë. U dashurua, u martua dhe jeton i lumtur. Mbaj mend se një ditë më ftoi për kafe dhe unë mendova se mos kishte ndonjë nevojë për seancë. Në bisedë ai më tha se ishte i lumtur dhe shumë mirënjohës.

Nga biseda del më qartë se sa rëndësi kanë dijet mbi seksin dhe edukatën seksuale, të cilat për fat të keq, ende i pengon mjegulla e tabusë. Prindërit dhe edukatorët kanë në dorë fillimin e jetës së fëmijëve, por sa të vështirë e kanë ata të shohin përmes kësaj mjegulle se ç’drejtim do të marrë jeta e tyre në të ardhmen, se në ç’mënyrë do të vazhdojë e si do të përfundojë ajo. Në mes të kësaj mjegulle, lëvizin duke sajuar dredha elementet dhe teoritë që ende nuk i ka mposhtur dot njeriu dhe viktimat vazhdojnë… Këtu u vjen në ndihmë edhe interneti, jo vetëm me qëndrimin ulur kur gjaku qëndron pa lëvizur e “grumbullohet” tek organet seksuale por edhe eksitimi i parakohshëm, zgjimi shumë i hershëm i pasionit seksual i cili bëhet aq “grykës”.

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Krijimet tuaja...

Next Post

Edi Rama- oktapodi i gjyqësorit shqiptar! Nga Jakup Gjoça

Advertisement