Logjikë e dehur
Sonte në mbrëmje erdhe ti
Siç vjen sa herë që vetëm pi
Dhe shton mërzitjen time…
Ti je pendimi im i marrë
Më gjen gjithmonë kur jam i vrarë
Më shtyn nëpër mendime!
E kur logjika është e pirë
Përhap imazhin tënd të ngrirë
Kudo që të hedh sytë…
Hajde më vrit me një goditje
Ç’më le të vdes kështu në pritje
Ja ku jam, më mbyt!
Më merren këmbët në errësirë
E ti më sheh e pamëshirë
Kurrë s’ke pasur zemër…
Ti nuk e di ç’është dashuria
Unë prapë të dua për çudi
Kësaj s’i vë dot emër
Ti je në zemër e logjikë
Por unë të shoh e ndjej si frikë
Kam frikë që të të dua
Sonte në mbrëmje erdhe ti
Siç vjen çdo natë kur vetëm pi
E mendjen më merr mua! Bledi Ylli
Shiu
Shiu dhe era luajnë me çadrën
E bërë qull, hyj të luaj dhe unë
Pranë detit, dola të luaj me dallgët
Me shiun dhe erën, luajta më shumë
Shiu vazhdonte të binte akoma
Mbi çadrën dhe mua rraskapitur
U kënaqa tek luaja e bërë qull
Si asnjëherë, s’e kisha pritur…
E dua shiun dhe erën bashkë
Se kanë një melodi të bukur
Më kënaq kur personazh bëhem unë
Në lojën e tyre, si një flutur… Fleta Satka
Trëndafili rozë
Mbi petale vesa ra,
ngjyra ëmbël vezulloi.
Gonxhet nisën të lulëzojnë
drita e tyre më ngazëlloi.
Të këputa me ngadalë
shumë malli më kish marrë.
Ty s’të erdhi keq aspak
Të gëzuar do rrinim bashkë.
Ti më fale bukurinë.
Unë të fala pafajësinë.
Ti më dhurove freskinë.
unë të dhurova ngrohtësinë… Daniela Nure
Të të duash ty
Të të duash ty, më parë duhet të marrohesh
Aq sa mos të t’marrë në dorëzim as xhami e as kishë
E nëse në krahët e tua, pas vdekjes zgjohesh
Pa dyshim që mund të ngjallesh sërish!
Të dashurosh një si Ti, do t’thotë t’jesh i çmendur
Pa shpirt, pa zemër, pa sy, verbuar përjetësisht.
Dhe pasi buzët e tua, të t’ken përmendur
Mes tyre do ngelesh i kryqëzuar si Krisht! Skënder Lazaj
Shalli
Ngatërruar flokët me erën
ziheshin a thua janë armiq.
Edhe veriu po grindej me derën
e unë s’u mundova t’i pajtoj hiç.
Dhe fjala me buzën u zu, u mbyt
ishte edhe kjo një betejë e humbur.
Çuditërisht, veç shalli që mbaja në fyt
po rrinte qetësisht, pa u tundur. Angjelina Ndoj
Pa zemër
Në sytë e mbyllur, ti bëhesh ëndërr
E në sytë hapur, asgjë s’të ngjan
Në ç’qiell u bëre aq e ëmbël
E cila tokë ty nuk të mban?!
Kur vjen dita, ikën ti
Kur bëhet natë, ti vjen e etur
Në ç’ëndrra ditësh bëhesh hi
E unë në ç’ëndrra terri mbetur!
Kam frikë të t’marr në krahët e mi
Ndjej frikë kur them tëndin emër
Qëkur m’u bëre dashuri
Më le… ah. Më le pa zemër! Bledi Ylli