Vetëm pak kohë pas këngës “Kohën me kthy”, Kaltrina dhe Genci sjellin një version mjaft të ëmbël të saj, nën titullin “Nuk është njëjtë”. Ndjeshmëria që përcjellin vokali dhe pesha e fjalëve në këngë, tregon edhe njëherë se muzika e vërtetë është ajo që mbi të gjitha dëgjohet dhe jo shikohet. Dhe, pasi të keni dëgjuar duetin e lexuar intervistën, do të kuptoni pse Kaltrina është ajo që është dhe pse pas çdo kënge të saj, fshihet një hit.

 

Ariana Bregu: – Kaltrina, dueti “Nuk është njëjtë”, me Gencin e grupit Etnon, ka vetëm pak ditë që ka dalë dhe është kthyer që tani në një hit. Pse vendosët ta risillnit në këtë formë, këngën “Kohën me kthy”?

Kaltrina Selimi: – Si ide ishte shumë e mirëpritur nga unë, por ishte Genci ai që e mendoi gjithë punën rreth këtij projekti: si të përpunohej dhe si të vinte bashkë me videon si një këngë, mbi të gjitha, e këndshme.

– Në një tradhti që mban emrin e atij, fajtori është ai apo pala e tretë?

– Është ai! Nëse nuk do të donte ai, nuk do të ndodhte tradhtia, ndaj pse të gjykohet pala e tretë?

– Po Kaltrina, a është e njëjtë pas kaq vitesh?

– E njëjtë në shpirt, por ndryshe në pamje pasi vitet po ikin dhe lënë shenjë. Por, kam edhe një motiv më të madh për të jetuar e ai e ka emrin Tristan. (Qesh)

– Po në muzikë, çfarë të mban akoma të motivuar?

– Thjesht dashuria për muzikën, pa e lënë anash as publikun tim, që pret diçka nga unë.

– Është ndikues “presioni” i fansave për sjellje të projekteve muzikore?

– Është arsyeja më e madhe për të cilën punoj.

– Me çfarë të përngjet fuqia për të prekur zemrat e njerëzve përmes zërit?

– Përveç zërit, janë edhe vargjet e bukura dhe melodia e një kënge që prekin zemrat e njerëzve. Me çka më përngjan nuk di ta them, por që kanë një ndikim të madh, këtë e di, sepse me muzikë në jetë ndajmë edhe gëzimin, edhe vuajtjen.

– Duke kthyer kokën pas, ke patur ndonjë ide se do të ishe këngëtarja e njohur që je sot?

– Ka qenë një dëshirë e madhe e imja të arrija këtu ku jam. E shihja gjithmonë veten para publikut e në fund të ditës, për shumë vite, mbetej vetëm një ëndërr, por rëndësi ka që në fund u realizua.

– Unë nuk di një këngë tënden që të mos jetë kthyer në hit. E konsideron veten vajza e hiteve?

– Për vitet që kam punuar ndoshta kam një numër të konsiderueshëm të këngëve, por secilës i kam kushtuar shumë rëndësi dhe jam përpjekur të ketë më shumë cilësi sesa sasi. Megjithatë, është fat të kesh këngë të mira.

– Kaltrina e këngëve singëll apo e albumeve? (Qesh)

– Kaltrina e këngëve singëll! Fjala album nuk e di çka është. (Qesh) Nuk kam bërë ndonjëherë album.

– Cila është mënyra më e mirë për të testuar nëse një këngë do të pëlqehet në publik? Kur e kupton se ka për të ndodhur një gjë e tillë?

– Në fakt, nuk është se i kam testuar këngët te njerëzit. Unë dhe vëllai kemi qenë gjithmonë përzgjedhësit, por di një gjë, që kur isha në grupin Hana Band dhe në atë kohë, vëllai im i tretë ishte i vogël, kur ai i pëlqente këngët që po punoja, gjithmonë ato ishin edhe këngët më të pëlqyera për publikun. Kështu e kam kuptuar që fëmijët janë vula kryesore që siguron se një këngë do të ecë mirë.

– Është më e lehtë të këndosh për dashuri të humbura dhe zemra të thyera apo për marrëdhënie entuziaste, në kulmin e tyre?

– Baladat janë ato që më tepër flasin për dashuri të humbura dhe unë e gjej veten te baladat sepse aty më fle shpirti. I bie që më pëlqen t’u këndoj atyre zemrave të thyera. (Buzëqesh)

– Si e konsideron marrëdhënien me Dritonin?

– E përkryera ndoshta nuk ekziston, por lidhja jonë është aty afër.

– Çfarë kujton me nostalgji nga romanca e ditëve të para me të?

– Sapo ishim takuar dhe u desh të largoheshim nga njëri-tjetri për arsye se Dritoni jetonte në Londër. I kujtoj pa diskutim ato bisedat tona me orë të tëra përmes telefonit të cilat nuk na mjaftonin asnjëherë e përmes të cilave edhe njiheshim më mirë me njëri-tjetrin.

– Diçka që nuk ia ke thënë asnjëherë publikisht?

– “Edhe sikur dikush të ma kërkonte ta përshkruaja njeriun me të cilin doja ta kaloja jetën, nuk do kisha ditur ta mendoja më mirë se kaq sa je ti!”

– Çfarë ka ndryshuar Tristani në jetën e mami Kaltrinës?

– Ma ka zbukuruar, ndriçuar jetën akoma më shumë.

– Bën pjesë te këngëtaret që janë shumë aktive në dasma dhe mbrëmje muzikore?

– Kam qenë shumë aktive dhe vazhdoj të jem, por ndoshta largësia ka bërë të vetën.

– Ka një performancë që për një arsye ose një tjetër ka qëndruar më gjatë se të tjerat në mendjen tënde?

– Sinqerisht, çdo paraqitje para publikut është e ndryshme dhe e veçantë në mënyrën e vet, nuk mund të ndaj ndonjë.

– Klipet e tua tregojnë veç të tjerash edhe një Kaltrinë të dhënë pas modës. Sa i përkushtohesh dukjes, paraqitjes në skenë ose ditë pas dite?

– Jam akoma më e dhënë pas veshjes së përditshmërisë, pasi ndihem shumë më mirë dhe më komode sesa me veshje qoftë të ndonjë videoklipi, qoftë të paraqitjes sime skenike.

– A është muzika si moda, që gjithnjë rrotullohet dhe asnjëherë nuk e di se cila është veshja që do të rikthehet?

– Është e vështirë të japësh një mendim konkret për këtë sepse shumë nga këngët që dalin tani dallojnë nga të gjitha këngët e mëparshme të cilat të paktën unë i mbaj mend, por nga ana tjetër, ka edhe këngë të vjetra që po përpunohen dhe po kthehen prapë në hite.

– Një nga këngët që mendon se do t’u mbijetojë kohërave…

– Nëse flasim për të miat, është “Ditëlindja”.

– Diçka që do të kishe dashur ta bëje, veç muzikës?

– Muzika ka qenë gjithmonë e vetmja dëshirë, por pse jo në të ardhmen, në një moshë më të shtyrë, të jem një pedagoge e muzikës.

– Ke hasur shumë kritika e pengesa në rrugën tënde?

– Mund të kenë qenë vetëm pengesa të vogla, të tejkalueshme.

– Çfarë mendon për këngëtaret e reja, angazhimi i të cilave vërtitet më tepër te zhveshja dhe sensualja?

– Unë dëgjoj vetëm këngëtaret në kuptimin e plotë të fjalës. Kur e them këtë, mendoj për atë pjesë të këngëtareve që dinë të këndojnë dhe në realitet nuk ma vrasin syrin me zhveshjet. Në të kundërtën, s’i shikoj fare.

– Për çfarë je më shumë krenare?

– Që gjithçka që kam bërë deri tani, e kam arrit vetëm me forcat e mia.

– Çfarë ke më shumë kujdes në përzgjedhjen e njerëzve që të rrethojnë apo me të cilët shoqërohesh?

– Ne njohim shumë njerëz të mirë e fatkeqësisht, edhe të këqinj, me të cilët ndoshta na lidh puna, kurse në shoqëri është diçka krejt tjetër; aty futen vetëm ata të cilëve unë ua hap derën.

– A është gjithçka në vendin e duhur në jetën tënde?

– Në përgjithësi, është. Po të kërkoj diçka më tepër, do të jem mosmirënjohëse.

– Vazhdon të jetosh në Londër?

– Po, vazhdoj të jetoj në Londër dhe jam e obliguar të jetoj këtu edhe për 3 vite të tjera, derisa të bëhem nënshtetase angleze.

– Një periudhë, një ditë, një ngjarje që do të doje të kthehej sërish…

– Do të riktheja periudhën e adoleshencës dhe do ta jetoja më shumë, sigurisht.

– Çfarë është gjithçka për të cilën ke ëndërruar?

– Kjo që kam sot, familja në radhë të parë, pastaj edhe karriera ime.

– Duhet t’i mbajmë veshët hapur për ndonjë këngë të re tani që jemi në prag festash të fundvitit?

– Këtë vit, më vjen keq ta them, por s’do të ketë projekte të reja nga unë, kurse në fillim të vitit që vjen, shpresoj. (Buzëqesh)

– Meqë jemi këtu, ku do të të gjejnë festat?

– Në Londër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here