Kënga Magjike sapo mbylli siparin, duke vlerësuar me dy çmime edhe këngëtarin e mirënjohur korçar Endri Prifti. Përveçse si kantautori më i mirë, ai mori edhe çmimin e dytë të festivalit… Për përshtypjet që pati nga kompeticioni dhe për ta pyetur nëse i vjen keq që nuk doli në krye të renditjes, ne i morëm atij këtë intervistë 100% të sinqertë…
Fabjola Kuburi: – Endri, të ngeli ndonjë çmim pa u fituar? Je i kënaqur nga ky festival?
Endri Prifti: – Ky festival është shumë prestigjoz dhe shumë korrekt sa i përket organizimit. Është një festival i përkthyer në investim për këdo që ngjitet në atë skenë të magjishme, por ka një difekt shumë të madh: Çmimet që votohen nga vetë këngëtarët janë një pazar, është sikur ha njeri ndonjë karamele zana nga ato të xhaxhit. (Qesh) I propozova edhe Arditit ta ndryshojë këtë se bie shumë edhe niveli i këngëtarëve. Shumë pak janë ata që nuk bëjnë pazare, “më jep kaq, të të jap aq”, “më jep pikë të të jap një fustan”, “më jep pikë të të bëj një videoklip”. Janë kthyer këngëtarët në tregtarë. Të gjithë e dinë këtë. Unë do t’u sugjeroja të gjithë artistëve që të mos e bëjnë këtë se është turp për një artist të vërtetë. Nuk e kam me asnjeri personalisht, zonjushë e nderuar gazetare…
– Si ishin reagimet e miqve? A pati kritika?
– Reagimet kanë qenë nga më të ndryshmet për këngën e fundit. Unë e thashë që në fillim se kam shkruar një këngë që do të jetojë përjetësisht sepse i përket çdo njeriu dhe është një himn dashurie. Nuk ka njeri që nuk më ka përgëzuar për këtë kryevepër siç e quajnë vetë miqtë, fansat, kolegët e shumë të tjerë.
– Pse “Kënga e fundit”?
– Për këtë pyetje, përgjigjja më përket mua dhe është personale. Kuptohet edhe vetë në tekst dhe çdo njeri e ka një histori të tillë, thotë vetë kënga. Historia e kësaj kënge është një dashuri shumë e madhe, si çdokush nga ju ka dashuruar në jetë, kush më shumë e kush më pak. Dashuria për mua është një gjë shumë e madhe dhe mposht çdo gjë tjetër.
– Ti dhe Stefi keni një shprehje tuajën: “Na shkatërruat fare”. Mendon se “e shkatërrove fare” publikun me këtë këngë?
– Këtë përgjigje ta jep vetë publiku i mrekullushëm, që nuk do ta zhgënjejmë asnjëherë në jetën tonë. Jo vetëm që u shkatërruam, por jemi përlotur të gjithë nga kjo këngë.
– Kryesisht, këngët tuaja janë balada dashurie. Si e përkufizoni termin “dashuri”?
– Ne kemi shumë këngë, nga të gjitha rrymat muzikore. Ne u këndojmë nënave, u këndojmë fëmijëve, i këndojmë, mësuesit, doktorit, Shqipërisë, himnit sportiv dhe patjetër që i këndojmë dashurisë. Për mua, dashuria është gjëja më e shtrenjtë në botë.
– Të rinjtë e dëgjojnë dhe e duan muzikën tuaj. Çfarë do të donit të merrnin këta të rinj nga arti juaj?
– Gjithçka që shkruajmë ne, është risi në muzikën shqiptare, janë diçka e veçantë sepse buron nga shpirti, nga jeta reale. Muzika jonë lind e nuk trillohet apo kopjohet dhe merret shembull nga këngë të tjera.
– Në koncertet tuaja këndoni çdo herë live. Si mendoni, a është kjo një përparësi për ata që merren me muzikë?
– Ky fenomeni me këngëtarët që këndojnë me disk, ndodh vetëm në vendin tonë dhe vetëm ku ka klientë shqiptarë anembanë botës, që shkojnë dhe shohin një koncert me disk. Në asnjë vend evropian apo botëror nuk ta lejojnë këtë mashtrim.
– Keni një sekret suksesi apo një arsye pse jeni gjithmone të pëlqyer?
– Ne na do gjithë populli sepse ne i duam ata dhe nuk i zhgënjejmë asnjëherë me koncertet tona 100% live. U falim shumë dashuri, shumë respekt dhe shumë djersë.
– Si ka ndryshuar muzika që nga fillimet e tua e deri tani?
– Zanafilla jonë në muzikë është qëkur ishim 4 vjeç. E gjithë jeta jonë ka qenë muzikë dhe do jetë vetëm muzikë, pa u lëkundur ndonjëherë se mos biem nga niveli i artit tonë, asnjëherë. Do të jemi gjithmonë në ngritje.
– Bashkë me Stefin, numëroni koncerte të shumta në Shqipëri e Diasporë… Cili prej tyre ju ka lënë më tepër mbresa?
– Koncertet tona janë të gjitha njëlloj. Kanë ndryshim vendet, ambientet apo shtetet, por kënaqësia që marrim dhe japim është njëlloj.
– Arritjet profesionale janë edhe të shpërblyera monetarisht. Je i pasur?
– Ndihem shumë i pasur, vetëm nga dashuria që ka publiku ynë për ne.
– Në performancat artistike, imazhi ka rol të rëndësishëm… Sa kujdesesh për pamjen?
– Jo shumë. Jam shumë i thjeshtë, shumë i afruar me njerëzit, shumë i dashur. Ndoshta e kam gabim, ndoshta duhet t’i kushtoj më shumë vëmendje stilit tim, ngjyrave të mia apo flokëve të mi… Po çfarë thua, moj goce? Unë vishem shumë korrekt, pastër dhe siç ma ka qejfi. Patjetër që në çdo kompeticion apo emision televiziv, porositen veshje të reja, por për mua, primare është që, kur marr mikrofonin në dorë, të këndoj atë që do publiku im.
– Nëse përballë do të kishe veten, cilën pyetje do t’i bëje të parën dhe cilën nuk do t’ia bëje kurrë?
– Oh, sa shumë pyetje ke bërë moj gazetare! (Qesh)
– Sa ndikon në jetën tënde fakti që je personazh publik?
– Nuk ka asnjë lloj ndikimi. Unë jam aty ku janë të gjithë dhe ndihem njëlloj si të gjithë.
– E kishe imagjinuar se do të vinte një ditë ku do të kishe statusin e njërit prej kantautorëve më të mirë shqiptarë?
– Kjo është më e pakta. Dua t’u them dashamirësve të muzikës tonë është kjo që thesaret tona janë shumë. Ne do të lëmë një histori shumë të madhe në muzikën e këtij vendi dhe e them me bindje që akoma s’kanë parë asgjë.
– A ka rivalë Endri?
– Secili është për veten e tij, fjalën “rival” nuk e pëlqyer asnjëherë. Unë dua që çdo koleg i imi, qofshin këngëtarë, qofshin kompozitorë, të nxjerrin dhe realizojnë këngë të bukura.
– Çfarë do të më thuash pa të pyetur?
– Jemi në prag festash dhe dua t’i uroj gazetës suaj e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen anembanë, të kenë shëndet, lumturi, të mira dhe mbi të gjitha, dashuri për njëri-tjetrin. Ju falënderoj nga zemra të gjithëve dhe një vit i mbarë; të na bekojë Zoti të gjithëve. Faleminderit shumë. Endri.