Mbase ky është lajmi më i trishtuar ushqimor i vitit: Bananet mund të zhduken! Një sëmundje vdekjeprurëse po prek të gjitha bananet e llojit Cavendish në Azinë lindore dhe juglindore, por tani ajo është përhapur edhe në kontinente të tjera, në Afrikë dhe Australi. Sëmundja e Panamasë, siç është quajtur, ka kohë që shkatërron plantacione bananesh, që prej viteve ‘60, por tani po i shkatërron të gjithë frutat e shijshme të verdhë. Ekspertët parashikojnë se është çështje kohe para se sëmundja vrasëse e bananeve të kalojë në Amerikën Latine, ku rriten më shumë se 60% e bananeve që eksportohen në botë. Në një studim të publikuar në gazetën “PLOS Pathogens”, shkencëtarët analizuan përbërjen gjenetike të sëmundjes së Panamasë dhe konfirmuan se problem është një klon i vetëm i sëmundjes, që quhet “Tropical race 4”.
Sëmundja e Panamasë është një kërpudhë që prek rrënjët e bimëve të bananeve dhe shkakton zverdhjen dhe kalbjen e gjetheve. Aktualisht, nuk ka asnjë mënyrë për të kontrolluar apo shëruar sëmundjen, përveçse përdorimi i trajtimeve me kimikate të tokës, por këto kanë një efekt shkatërrues në mjedis dhe, për pasojë, janë të ndaluara në shumicën e vendeve. Gert Kema, ekspert bananesh në universitetin e Vaningenit tha: “Ne e dimë se origjinën Tropical race 4 a ka në Indonezi dhe është përhapur prej andej, ka gjasa në fillim në Tajvan, pastaj në Kinë dhe në pjesën tjetër të Azisë juglindore. “Kërpudha vdekjeprurëse tani ka kaluar në Pakistan, Liban, Jordan, Oman dhe Mozambik, si edhe në verilindje të Australisë”.
Sigurisht, zhdukja e bananeve do të përbënte një humbje të madhe për të gjithë, por ajo do të ishte edhe më shkatërrimtare për fshatrat dhe qytetet që jetojnë me eksportin e saj. “Miliona njerëz e fitojnë bukën e gojës falë bananeve, duke patur mundësi t’i çojnë fëmijët në shkollë dhe të mbajnë familjen”, thuhet në sitin e informacionit për sëmundjen e Panamasë. Për pasojë, kjo sëmundje, veç të tjerash, kërcënon me varfëri.