– Përshëndetje! Ju kam shkruar edhe një herë tjetër, por po ju shkruaj sërish, pasi kam nevojë për një përgjigje nga psikologu juaj. Jam një grua e martuar me një jetë martesore shumë të rregullt. Burrin e kam 55 vjeç dhe mendoj se në këtë moshë njeriu është i pjekur dhe duhet të ketë prioritete familjare, por më shqetëson shumë fakti që kërkon marrëdhënie shumë shpesh. Ndoshta unë e gjykoj kështu. Përditë ose edhe dy herë në ditë më kërkon marrëdhënie dhe më tepër jam shqetësuar se në Facebook flet me të panjohura rreth erotizmit, qoftë me femra dhe me meshkuj. Më thotë se kalon kohën. A duhet të shqetësohem për këto probleme (në fakt, po lajthis), apo e kam unë difekt pranimin e këtyre gjërave?
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Oh, moj zonjë, t’u shtoftë jeta, ç’më ke bërë të qesh, por edhe të çuditem! A e di pse? Se në vend që të gëzohesh që ke një burrë besnik dhe potent, ti thua në fund të letrës se “po lajthis” sepse të duket e papranueshme, por edhe e pakuptueshme pse burri yt 55 vjeçar të kërkon seks përditë. Nuk thonë kot se 40 vjeç fillon jeta dhe në moshën 50 vjeçare e pas ndjehet edhe më shumë një si “adoleshencë e dytë”, sidomos nga meshkujt. “Çeljet” e vjeshtës janë të bukura, vërtet të bukura dhe ato duhen jetuar e shijuar. Edhe femrat, pas menopauzës, normalisht, janë më të çliruara, më të qeta dhe “shpërthyese” në krevat. Mirëpo, ja se çfarë na thua ti: “Në këtë moshë njeriu është i “pjekur” dhe duhet të ketë prioritete familjare” dhe ju shqetëson shumë fakti që burri ju kërkon seks shpesh. Më vjen t’ju them me humor: “U djegsh inshallah moj e “pjekur” që tani e quan jetën seksuale si diçka të “papjekur” jo serioze, kur duhet të ndodhë e kundërta! Tani, gjërat e krevatit janë më të qeta e më të bukura, të këndshme, pse jo me “art” të veçantë, sepse femra çlirohet nga frikërat e shumta si ajo e shtatzanisë dhe meshkujt, nga telashet e shtëpisë e të rritjes së fëmijëve etj.
Në një konferencë ndërkombëtare me psikoterapistet, psikanalistja e shquar franceze Fransua Dolto, më ka thënë se femrat franceze, në moshën 60 vjeçare e më pas, ndihen krejt të çliruara e të “lulëzuara” si trëndafilat që çelin dhe ripërjetojnë një pranverë ndryshe, një rini të dytë, të bukur! “Po te ju?”, më pyeti ajo. Më vinte që t’i thoja se te ne shumica e femrave në këtë moshë veshin ndonjë robdëshambër si një thes dhe kthehen në “nënoke”, në vend që ta kompensojnë rënien e bukurisë me veshje, sjellje e mendime pozitive. Ato e mendojnë veten vetëm si plaka e gjyshe.
Tani që po shkruaj, pashë në një gazetë një foto të Sharon Stoun, e cila drejt të gjashtëdhjetave, ka një trup si prej atleteje dhe po mendoja se sa gjynah që grave tona në Shqipëri, sapo fillon menopauza, me mendjen e tyre u duket se tani gjithçka “mbaroi” dhe duhet që ato vetëm t’u shërbejnë kalamajve të fëmijëve, të pastrojnë, gatuajnë dhe kaq. Në fakt, çdo moshë ka bukurinë e vet dhe ashtu si çdo stinë që ka lulet e veta, po ashtu s’duhet të ketë asnjë moshë pa dashuri e pa seks… aq sa mundeni, madje edhe në moshë të thyer. A të të them dhe një fjalë “në vesh”? Ushqeje e furnizoje burrin sepse i “urituri” kërkon, larg qoftë, edhe jashtë shtëpisë dhe ec e “gjeje”. Ti zonjë duhet të lexosh libra dhe të kuptosh se sa të nevojshëm e ka seksin burri sidomos në moshën drejt të gjashtëdhjetave, por edhe më pas, madje ca më shumë. Ndaj ti, në vend që t’i përgjigjesh e ai të gjejë “gjithçka” te ti, e mërzit veten kot e ndoshta e refuzon. Diku në një libër fetar kam lexuar se nëse burri “kërkon” dhe bashkëshortja ia refuzon intimitetin, gjithë natën atë e mallkojnë deri edhe melekët e vet, domethënë, engjëjt që Zoti ia ka caktuar asaj për ta mbrojtur! Çfarë thënieje brilante dhe me shumë kuptim!
Pra, ti, në vend që të gëzohesh për burrin tënd, e sheh atë si një “monstër” apo si “maniak seksual”, prandaj edhe e ke hak një “dush” të ftohtë. Meqenëse shumica e klientëve të mi gjatë seancave duan të dinë edhe se sa e si janë normat e jetës intime, unë po jap disa shpjegime për ju dhe për të gjithë lexuesit, edhe pse receta këtu nuk ka.
– Shpesh, njerëzit me potencë seksuale të ulët shqetësohen shumë duke kujtuar se janë të sëmurë, prandaj del e nevojshme të japim disa shpjegime më të plota për potencën seksuale normale dhe “normat” e jetës seksuale. Potenca seksuale përcaktohet nga komponenti fizik i cili te burrat është më i fortë sesa te gratë (gjë që vërehet edhe nga tendosja e organeve seksuale nën presionin e spermës) dhe nga komponenti psikik, i cili përsëri te burrat është më i fortë, si rezultat i veprimit të hormoneve seksuale të cilat sikur “erotizojnë” trurin. Megjithatë, potenca seksuale ka karakter të theksuar individual sepse në të ndikojnë një sërë faktorësh, si: veçoritë individuale, lodhja, ushqyeshmëria, mosha, gjendja e organizmit etj. Prandaj nuk mund të caktohen norma mbi numrin e akteve seksuale ose siç quhet ndryshe, “norma të shpeshtësisë”, përderisa ato janë individuale dhe dallohen nga një diapazon i gjerë. Ekziston edhe një diagnozë që quhet varësi nga seksi, që do të thotë, varësi e tepruar e cila trajtohet me psikoterapi. Më së shumti, këtë e kam gjetur te ca meshkuj të cilët duke mos pasur suksese e kënaqësi të plotë në jetën shoqërore, përpiqen ta nivelojnë atë me “sukseset” apo plotësimet në seks. Edhe pse kjo gjendje e tyre është gati qesharake dhe mjerane, unë i trajtoj dhe i ndihmoj ata si fajtorë të pafaj.
Ekziston edhe njëfarë lidhjeje ndërmjet mbipeshës dhe pasionit seksual. Shpesh, shëndoshja, te disa njerëz shoqërohet me ulje të pasionit seksual, ose e kundërta, duke humbuar potencën seksuale, disa shëndoshen. Pra, diapazoni i fuqisë së pasionit seksual ka lidhje me shumë faktorë, është i ndryshueshëm. Disa njerëz mendojnë se potenca seksuale është i vetmi faktor që përcakton forcën e burrit. Ndoshta duke dëgjuar për “bëmat” seksuale nga njerëz që u pëlqen të mburren për potencën e tyre, disa që kanë potencë të ulët ose mesatare shqetësohen shumë e ndoshta bien në depresion duke e kujtuar veten për të sëmurë ose të paaftë seksualisht. Prandaj është mirë të dihet nga çdo njeri se potenca e tij seksuale ka lidhje me strukturën biologjike e psikologjike të organizmit, si dhe me disa faktorë të tjerë, si: mosha, ushqimi, lodhja, gjendja shpirtërore etj. Prandaj, me kalimin e moshës, denduria e akteve seksuale në martesë bie. Në qoftë se gjatë muajve të parë të martesës bashkëshortët mund të praktikojnë 2-3 herë marrëdhënie seksuale, me kalimin e viteve mund të zbresin 2-3 herë në javë ose në muaj, prandaj s’mund të flitet për normë. Kështu, në qoftë se për një 25 vjeçar mund të quhej normë 3 kontakte në javë, nuk do të ishte “jashtë norme” po qe se ai do të mund të bënte më pak ose më shumë akte seksuale, deri në 6-7 herë në javë. Megjithatë, për ilustrim, po përmendim të dhënat e shkencëtarit amerikan A. Kinsej, i cili ka anketuar mijëra njerëz dhe ka nxjerrë njëfarë mesatareje lidhur me dendësinë e marrëdhënieve seksuale sipas moshave:
– Për moshat nga 21-25 vjeç afërsisht 3 herë në javë;
– burrat në moshën 25-35 vjeç 2 herë në javë;
– në moshat rreth 45 vjeç, mesatarisht, 1 herë në javë.
Por nuk ka asgjë të keqe në qoftë se një 55 vjeçar është i aftë dhe 6-7 herë në javë, ndërsa një 25 vjeçar, për 1-2 herë në javë. Shumë çifte që kam trajtuar me psikoterapi i preokupojnë një sërë pyetjesh që i përkasin higjienës së jetës seksuale dhe kjo është e natyrshme. Nga vëzhgimet del se ata, pas informacioneve që marrin, i pastrojnë “ferrat” dhe e shmangin “mjegullën” e tabusë seksuale, për të “mbjellë” në çdo stinë “lulet” më të bukura të dashurisë e të seksit.