Breshër
– Kam parë në ëndërr sikur binte shumë breshër. Më kujtohet që për pak kohë u zbardh çdo gjë. Gjatë kohës që binte breshëri, unë isha në merak për vajzën sepse ajo ishte përjashta në kohë të keqe. Faleminderit. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?
– Një ëndërr e tillë me breshër tregon se ju jeni të tërhequr emocionalisht. Disa situata që mendoni se i keni nën kontroll, në fakt nuk i keni dhe kjo po ju shkakton një gjendje të trazuar emocionale. Po kaloni një periudhë të vështirë, e cila do të jetë një sprovë për ju nëse jeni duke kaluar krizë në jetën familjare ose në lidhje me vajzën tuaj për të cilën jeni e shqetëuar vazhdimisht dhe arsyet se pse i dini vetëm ju.
Festa dhe i dashuri
– Çfarë do të thotë të shikosh veten sikur je në një festë? Aty ishte edhe i dashuri im dhe shumë njerëz të tjerë që nuk i njihja. Isha e shqetësuar sepse aty ishte ish-e fejuara e të dashurit tim. Isha zënë në realitet me të dhe mezi i flisnim njëri-tjetrit. Nga frika se mos ma merrte të dashurin, iu afrova ish-të fejuarës së tij dhe i fola ashpër, duke e shikuar vëngër në sy. Ajo më tha: “Nuk më intereson aspak i dashuri yt”. Ndërkohë, i dashuri po më shikonte me nerva se pse po i flisja asaj. Pres një shpjegim. Çfarë kuptimi ka?
– Ëndrra juaj e tregon shumë qartë që kohët e fundit ka patur tension mes jush dhe keni diskutuar mbi një çështje që ka lidhje me seriozitetin e lidhjes tuaj. Ky lloj diskutimi ju ka lënë një shije të keqe dhe jeni në ankth, pasi keni frikë se mos ai rikthehet tek ish-e fejuara. Nuk duhet të keni frikë se do ta humbisni, vetëm ruani qetësinë dhe mos e ngacmoni mbi të kaluarën. Nëse hapni tema të së kaluarës, rrezikoni të ftoheni bashkë. Gjithçka e keni në dorë ju. Jepini qetësinë e kohën e duhur dhe fati do të jetë në anën tuaj.