Shtatzani
– Mami im më ka parë në ëndërr sikur jam shtatzënë. Çfarë kuptimi ka?
– Shtatzania është një ëndërr e bukur në përgjithësi, paraqet jetën tuaj personale, idetë tuaja për të ardhmen, dëshirën për të patur pse jo, edhe një fëmijë, qëllime të reja në jetë. Kjo ëndërr mund të ketë lidhje edhe me një projekt që keni ju ose mamaja juaj në lidhje me ju, por që do të marrë formë të suksesshme shumë shpejt, përderisa ju ka parë shtatzënë. Është një periudhë e mirë për ju, ndaj shfrytëzoni çdo shans që ju jepet.
Isha në provim
– Në ëndërr kam parë sikur isha në një provim dhe nuk i dija fare përgjigjet e pyetjeve që më kishin rënë. Ju lutem, më thoni, ç’do të thotë?
– Provimet në ëndërr tregojnë frikën e dështimit tuaj në jetë. Keni ankth për diçka dhe këtë e dini vetëm ju. Keni një vetëbesim të ulët, po mendoni se nuk keni zbatuar tërë fuqinë tuaj për të arritur ato që dëshironi në jetë. Ëndrra ju jep një mesazh shumë të qartë; duhet të keni më shumë vetëbesim.