Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Vajzat kerkojne djem...
Pjerin Gjondrekaj: Mos e lini në harresë muzikën tonë!
Vajzat kerkojne djem...

Pjerin Gjondrekaj: Mos e lini në harresë muzikën tonë!

Tashmë prej disa kohësh, gazeta “Intervista” bën pjesë të një rubrike të veçantë artistë të rinj, me dëshirën për t’i promovuar e inkurajuar, duke u dhënë vlerësimin e duhur dhe një shtysë për të ecur përpara. Këtë javë, i ftuari ynë është shkodrani Pjerin Gjondrekaj, i cili aktualisht po punon me këngë të tijat, por prej kohësh jetën ia ka kushtuar muzikës popullore. Në qytetin e tij dhe jo vetëm, ai është një ndër këngëtarët më të kërkuar në mbrëmje, evente dhe gëzime familjare. Pjerini, sapo ka kurorëzuar dashurinë e tij me këngëtaren Floriana Shtylla, në dasmën ku vetë çifti ka kënduar një këngë për kënaqësinë e të ftuarve. Këngëtarë të tillë që këndojnë me shpirt, i duhen artit shqiptar…

 

Fabjola Kuburi: – Pjerin, përshëndetje! Tashmë, je një këngëtar i njohur në zhanrin tënd që është muzika popullore, por a ka qenë e vështirë rruga për të arritur në këtë stacion?

Advertisement

Pjerin Gjondrekaj: – Rruga nuk ka qenë e lehtë, por me ndihmën e njerëzve të duhur dhe mbështetjen e vazhdueshme të familjes ia kam arritur ta bëj ëndrrën time realitet. Kam filluar duke marrë leksione private pianoje me një ndër profesoret më të njohur, Lekë Jakova, për tre vite dhe fillimisht, në publik jam njohur si pianist, duke shoqëruar këngëtarë të ndryshëm, por edhe duke kënduar. Pasi disa këngëtarë me të cilët bashkëpunoja pëlqyen jo vetëm aftësitë e mia si instrumentist, por edhe si këngëtar, vendosa t’i jepja prioritet të kënduarit.

– E mban mend këngën e parë që ke kënduar para shokëve të klasës?

– Këngën e parë që kam kënduar e kujtoj shumë mirë, pasi është një emocion që nuk harrohet lehtë, aq më tepër që unë kam qenë një fëmijë i ndrojtur. Ndryshe me çfarë fëmijët e sotëm “ushqehen” përsa i përket muzikës, unë jam rritur me muzikë popullore qytetare shkodrane, kështu që kënga ime e parë do ishte patjeter pjesë e kësaj sfere muzikore. Kënga e parë titullohet “Pranvera filloi me ardh”.

– Kënga është traditë familjare apo thjeshtë dhuratë e Zotit?

– Muzika për mua është patjetër një dhuratë e Zotit, që me sa duket na u dhurua disa personave në familje, kështu që mund të them se kënga dhe të kënduarit është një talent i trashëguar në familjen time.

– Të jesh këngëtar, do thotë që në të njëjtën kohë të jësh edhe person publik. Ka krijuar ngarkesë emocionale kjo për ty?

– Të them të drejtën, në fillim ka ndikuar emocionalisht sepse nuk isha mësuar të takoja njerëz që më komplimentojnë dhe e pëlqejnë muzikën time, më dukej diçka e çuditshme dhe më vinte pak në siklet. Por, vitet kaluan dhe eksperienca bën të vetën. Tani mund të them që e marr me shumë sportivitet dhe u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që e mbështesin punën time.

– Këngët popullore duket se janë dashuri më vete për ty. Mendon se e ke ruajtur traditën e këngëve të zonës dhe të veriut, në përgjithësi?

– Po, është e vërtetë, kënga popullore është stili në të cilin e gjej më shumë veten sepse ajo është muzika me të cilën jam rritur. Jam munduar ta ruaj me fanatizëm origjinalitetin e muzikës sonë tradicionale dhe besoj se kjo është ajo që më diferencon më së shumti nga të tjerët. Por, në ambientet në të cilat këndoj, mundohem të prek pak nga të gjitha rrymat sepse jo të gjithë njerëzit kanë të njëjtën shije, kështu që mundohemi t’i kënaqim të gjithë, pa përjashtim.

– Përveç skenave, për të cilat do të na flasësh pak më poshtë, sa vend zënë te ty sot, dasmat?

– Dasma si angazhim shumë i shpeshtë në sezonin e verës, zë një vend të rëndësishëm në aktivitetet që unë zhvilloj. Pjesa tjetër u takon koncerteve dhe aktiviteteve të ndryshme!

– Një këngëtar, për të qenë i suksesshëm, duhet të ketë edhe grupin me të cilin punon në evente të ndryshme, të cilin e ke edhe ti, apo jo?

– Po, është e vërtetë. Unë punoj me grupin Univers, i cili përbëhet nga 5 anëtarë, ndër të cilët, dy janë muzikantë dhe tre jemi këngëtarë. Grupi, patjetër që luan një rol të rëndësishëm qoftë në paraqitjen më serioze të vetë këngëtarit, qoftë edhe në mbështetjen muzikore që të japin në performancat live.

Cili ka qenë udhëtimi yt i parë jashtë vendit si këngëtar? A kujton diçka të veçantë nga ai udhëtim?

– Udhëtimi im i parë jashtë vendit ka qenë në Milano, bashkë me disa kolegë shumë të nderuar. Ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë për mua sepse ishte shumë emocionuese të këndoja dhe të bëja muzikë për shqiptarët që jetojnë atje. Ky ka qenë aktiviteti i parë jashtë Shqipërie në vitin 2010, që është pasuar nga shumë koncerte dhe mbrëmje festive të tjera të përqendruara në qytete të ndryshme të Italisë, të cilat vazhdojnë edhe sot, gjithmonë e më intensive.

– Ke bashkëpunime me autorë tekstesh dhe kompozitorë apo ende jo?

– Deri tani nuk kam publikuar akoma materiale muzikore të reja që janë shkruar për mua, pasi janë në përpunim e sipër, por besoj dhe shpresoj që shumë shpejt do të kemi gati këngë të punuara nga kompozitorë dhe autorë shumë të njohur të skenave shqiptare.

– Ti, sapo ke kurorëzuar edhe dashurinë tënde, në një ceremoni shumë të bukur martesore, duke zgjedhur për bashkëshorte një këngëtare me emër, Floriana Shtylla (Gjondrekaj). Kjo ka impaktin e saj në rrugën e muzikës?

– Vendimi për të lidhur jetën me njeriun tim të zemrës duke krijuar familje, ka qenë më i bukuri që kam marrë deri tani. Ne jemi njohur në aktivitetet të përbashkëta muzikore dhe pas disa kohësh morëm vendimin që të fillonim një jetë së bashku. Ajo është fansja ime më e madhe, por më sheh edhe me syrin kritik prandaj i marr gjithmonë për bazë sugjerimet dhe kritikat e saj. Ajo është njeriu që më lumturon në çdo moment të jetës time, është frymëzimi im!

– Do vazhdosh të rrugëtosh me këngë jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij?

– Dëshira për të përcjellë zërin dhe muzikën time te sa më shumë njerëz është qëllimi dhe dëshira ime më e madhe. Nëse do të më jepej mundësia për të kënduar për shqiptarët anembanë botës, do të më pëlqente shumë ta bëja një gjë të tillë.

– Meqë jemi në fund të kësaj interviste, na premto se me zërin dhe pasionin që ke për muzikën, do vazhdosh të përcjellësh tek admiruesit, këngët tona të bukura!

– Patjetër që po. Për aq kohë sa të kem mbështetjen e publikut, unë do të vazhdoj të këndoj e të përcjell tek artdashësit muzikën tonë të bukur. Besoj se është e rëndësishme të mos e lëmë në harresë muzikën tonë të bukur tradicionale, por të vazhdojmë ta transmetojmë te njerëzit sa më shumë art të vërtetë, që edhe brezat e rinj të njihen me muzikën e vendit të tyre dhe ta duan atë po aq shumë sa edhe ne.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Vajzat kerkojne djem...

Next Post

Vajzat kerkojne djem...

Advertisement