Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më duket se jam njeri pa ndjenja

 

– Përshëndetje. Para dy muajsh njoha një vajzë të cilën në fillim e pëlqeja, por isha me dy mendje, të vazhdoja ose jo me të. S’e di pse me kalimin e kohës më vinin mendime nga më të ndryshmet në kokë, aq sa m’u krijua një si ankth. Fillova të mos e ndjeja më këtë vajzë. Nuk ishim takuar vetëm, vetëm në grup nja dy herë me shoqërinë, por fillova u bëra tip i ftohtë. Nuk duroja dot asgjë, doja të rrija shtrirë, gjumi më dilte shumë herë herë e s’më zinte më, nga sikleti. Vajza e mori shumë me qejf që mund të kishim një lidhje, por unë s’e duroja dot më dhe i thashë të mos flisnim më, se unë nuk kisha ndjenja. Ndenja ca kohë pa folur dhe isha pak më mirë, por përsëri vija re që nuk më tërhiqte asnjë femër. M’u duk vetja pa ndjenja. Thashë mos e kisha vetëm me atë, por jo. Pastaj më ndodhi një fatkeqësi; më vdiq një shok dhe kur e mora vesh, u trondita. Doja të shkoja te varri, por nuk mundja, më filluan mendime sikur do të më ndodhte edhe mua ajo gjë, sikur do të vrisja veten, më duket çdo gjë e kotë dhe pa vlerë. Nuk më hiqet nga mendja mendimi sikur do vras veten. Më kap me faza; kur jam mirë, kam frikë për fazën kur nuk jam mirë. Kur i mendoj, nganjëherë më kap kriza, humbem fare, këputem. Kam vajtur te neurologu, më dha ca mjekime, por më tha që duhet të bëja terapi. Si thoni ju, t’i mbaroj këto që kam, këtë mjekim apo të konsultohem me psikolog?

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Ty, djalë, siç thotë populli, po të bëhet mendja “havale” që do të thotë, ke telashe nga mënyra e të menduarit. Pse? Sepse, për çdo gjë që ndodh, ti bën ca analiza të stërholluara, madje të gabuara e nuk e lë të qetë veten me pyetjet pa fund: “Po sikur? E pse?”, me përgjigjet e pafundme negative. Kjo është një ndër 7 “motrat” e ankthit, pasi sa herë që ti ia bën vetes këto pyetje, ke menduar diçka të keqe. Nuk mbarojnë ndonjëherë ato, aq sa me humor thuhet se “pse?”-në nuk e ka gjetur as Sterio Spasse. Është plotësisht normale që ty në fillim të të pëlqejë një vajzë, por ngaqë ti nuk e njeh mirë atë, është normale që ta kesh me “dy mendje” e të jesh i pasigurt… Pastaj, ajo nuk të tërheq më sepse aq “pati” e aq dha… Pra, kot mërzitesh se nuk je ti ai që e ke në dorë këtë gjë… Të gjitha këto janë zhvillime në jetë dhe s’mund të ketë “receta”. Atëherë, ti përsëri fillon dhe fajëson veten, fillon e dyshon sikur ti je “antifemër”, pra, tani ti nuk i sheh më femrat si më parë, por më tepër me qëllimin për të “verifikuar” veten dhe nga meraku, ja “përfundimi”: Beson se je një njeri pa ndjenja! Mirë që nuk kujton se mos je homo! Si nuk e kupton se po “manipulohesh” nga mendimet e këqia e dyshimet te vetja të cilat sadopak i ka kushdo? Ti i ke ato të shumta sepse u jep rëndësi, pra, i beson ato e të kthehen në mendime obsesiv. Kam lexuar një thënie brilante të Profetit Muhamed i cili thotë: “3 gjëra janë nga të cilat nuk shpëton askush: zilia, hamendësimi dhe oguret… Do t’jua tregoj unë se si të veproni: nëse bëhesh ziliqar mos urre, nëse hamendëson, mos heto dhe nëse të kapin oguret, ec dhe mos u ndalo!”. Çfarë fuqie mendimi nga njeriu më i mençur i 20 shekujve! E shikon pra, se çfarë bën ti? Hamendëson ose supozon në mënyrë të gabuar dhe i bën “verifikimet” po në mënyrë të gabuar. Ngjashëm me një klient timin i cili nuk pati ereksionin me një femër të bukur dhe nxitonte për te të tjerat me një frymë jo për kënaqësi, por për të “verifikuar” a është apo jo potent! Unë e binda se ai, edhe pse nuk është impotent, po e “tërheq” impotencën, pasi frika e sikleti zbehin jo vetëm arsyen, por edhe ndjenjat. Ose dikush që ka frikë sëmundjet dhe e mat tensionin në çdo lëvizje të tij dhe është pikërisht frika që ia çakordon tensionin e nga ana tjetër, janë po lëvizjet e tensionit që ia shtojnë frikërat. Ja, pra, rrethi vicioz, pasi këtu nuk ka shkaqe shëndetësore, por vetëm psikologjike. Dhe mendimet frikësuese obsesive kur nuk i njeh, nuk ndalen e nuk mbarojnë me kaq, pasi çdo gjë që ndodh apo dëgjon, ty të bën që të futesh në “rol”, në rolin e një fatkeqi, ku pas atij që e pëson, të duket sikur “radha” do të jetë e jotja, edhe pse të duket krejt absurd mendimi: Po sikur të vras veten? Ti përsëri nuk e ndalon dot atë dhe beson atë sikur kesh “punë” me të. Në fakt, e vetmja “punë” që ke ti në këtë mendim është frika që ti ke ndaj tij, sepse për të vrarë veten, ti ke frikë edhe ta mendosh e jo më ta bësh atë! Kjo është arsyeja pse ne psikologët themi se “zero” është mundësia që të ndodhë ajo që të tremb ty, por të fantazuarit vazhdon në mënyrë të pavullnetshme deri në atë pikë sa ti kujton vërtet se mos do ta humbësh qoftë edhe për një çast të vetëm kontrollin e do të bëhet hataja. Kurrë po të them s’të ndodh kjo! Mirëpo edhe tani që ti e lexove nga unë fjalën “kurrë”, ka mundësi që “shejtani” siç thonë fetarët, të të thotë: “Kurrë mos thuaj kurrë!”. E shikon pra se çfarë loje luhet edhe me probabilitetet shumë të vogla, madje edhe zero?! Ja, me çfarë lupe zmadhuese i sheh ti ato që dëgjon apo i shikon(!). Ti paske vajtur te neurologu i cili në fakt kontrollon vetëm nëse e keni të rregullt apo jo funksionimin e organeve. Ty organet të funksionojnë super dhe kot shkon aty si “breshka te nallbani”, pasi nuk e ke problemin me keqfunksionim të organeve, por me mënyrat e gabuara të të menduarit, të cilat nuk i ndryshojnë barnat, por vetëm psikoterapia. Normalisht, barnat gjumëvënëse të qetësojnë siç mund ta qetësojë fjala vjen një burrë shumë xheloz gruaja duke i dhënë të pijë alkool e të harrojë disi ndoshta që është i martuar, ose një student të trembur nga provimet që e kanë vënë në gjumë ilaçet e psikiatrit…

Advertisement

Barnat kundër ankthit në doza të vogla, që quhen qetësues të vegjël, mund të përdoren, por po kaloi më tepër se një muaj, atëherë ndikimi i tyre nuk është më kimik, por psikologjik, plus që bëhen shkas për varësi, pa përmendur këtu disa efekte anësore, të cilat edhe kur nuk janë aq të bujshme, përsëri nuk të lejohet të ngasësh makinën apo punë të tjera që kërkojnë përqendrim.

Duhet patjetër që të bëni disa seanca me psikolog klinicist, e theksojmë, me psikolog klinicist e me shumë përvojë, pasi trajtimi i gjendjeve të ankthit do vërtet mjeshtëri të madhe. Në seanca ai do t’ju mësojë se si do të duhet të veproni me këto mendime obsesive. Atëherë, nëse ti do të vije për trajtim, pas disa pyetjeve testuese, unë ndër të tjera do të të këshilloja kështu, ndaj merr lapsin në dorë dhe lexoji me vemendje shpjegimet e mëposhtme:

Çfarë e fuqizon një mendim negativ? – Interesimi dhe preukupimi juaj! Në qoftë se ju nuk e keni një interesim të veçantë në lidhje me një mendim, atëherë ai e humb ndikimin te ju. Ju mund ta provoni që tani. I lini mendimet që të rrjedhin në mendjen tuaj, por mos u preokuponi për to. Thjesht qëndroni si një spektator ose vëzhgues dhe i lini mendimet të kalojnë. Me fe thuhet: “mos ia bëj qejfin shejtanit”, duke u trembur nga ato që të thotë ai. Fillimisht, ju mund të keni një moment të vështirë që t’i vëzhgoni këto mendime, për shkak se prirja juaj për t’u preokupuar për to rritet. Kjo ju ndihmon të mësoni se ju nuk jeni mendimet tuaja, mendimet janë thjesht formë energjie e krijuar në mendje. Po përse i krijon mendja këto? Asnjë s’e di këtë, është diçka që do të ndodhë, pse të shqetësohemi? Është si të pyesësh: Pse zemra rreh? Me pak praktikë ju do të bëheni shumë i zoti për t’i vëzhguar mendimet dhe për të mos u përfshirë në to. Duke mos u preokupuar, ju do të reshtni së fuqizuari ato. Pra, në qoftë se ju nuk merreni me mendimin dhe në qoftë se ju nuk i jepni fund, ai do të shuhet. Atëherë, çfarë janë mendimet? Dihet se ngjarjet e kaluara ruhen në memorie. Gjendja e mendjes si dhe besimet tuaja gjithashtu ruhen në memorie. E gjithë kjo është një ruajtje e pavetëdijshme pasi mendja e bën këtë në mënyrë automatike. Kujtimet dhe interpretimet janë krijuar ne mendje duke u bzuar në kushtet e “jashtme” të së kaluarës dhe gjithashtu, në kushtet natyrore gjenetike. Këto mendime, interpretime dhe gjykime lindin si mendime në një mendje dhe mund të jenë pozitive ose negative në varësi të gjendjes se mendjes. Këto mendime prodhohen ose lindin duke u bazuar në incidente apo kujtime të së kaluarës, projektime për të ardhmen dhe interpretime të situatave të pranishme në jetë. Kur mendimet janë negative si natyrë (mendime shqetësimi, ankthi, stresi, fyerja, faji) ato sjellin rezistencë në ecjen në jetë dhe kjo rezistencë ndihet si vuajtje.

Jeta është si një lumë energjish pozitive dhe për pasojë, çdo mendim negativ qëndron në kundërshtim me to, duke shkaktuar mosmarrëveshje e cila përjetohet si vuajtje në trup. Ja, pra, kjo gjë ndodh edhe me ty, sepse mendimet në mendjen tënde fitojnë fuqi nga vëmendja dhe interesimi yt. Vëmendja është si benzinë për trurin, pra, kur u jepni rëndësi mendimeve negative, ju në mënyrë të pandërgjegjshme e nxisni atë dhe në këtë mënyrë i jepni vrull këtij mendimi negativ. Vrulli i mendimeve negative në mendjen tuaj do të ulet dhe do të dobësohet automatikisht kur ju të ndaloni së ushqyeri këto mendime me vëmendjen tuaj, pra, u ktheni “shpinën” vesveseve. Përqendrohuni te mendimet pozitive që prodhon mendja. Sa herë që mendja prodhon mendime pozitive, si mendimet e dashurisë, kënaqësisë, bukurisë, pasionit, paqes, vetëvlerësimit etj.), fokusohuni në të, i ushqeni ato dhe u jepni vemendje. Kjo do e ndihmojë mendjen të tërheqë sa më shumë mendime pozitive dhe vendi të mos mbetet “bosh”. Ose, meditoni. Të meditosh do të thotë të mos mendosh asgjë. Pra, ajo çka ju duhet për t’u çliruar nga mendimet obsesive është që t’i vrojtoni ato pa u përfshirë në to. Ju do të bëheni shumë i zoti në këtë gjë, me pak praktikë. Dhe, mos u përpiqni ta kuptoni këtë praktikë; thjesht zbatojeni atë. Sa më shumë përpiqeni ta kuptoni, aq më shumë mendja përfshihet në të. Thjesht, vëzhgojeni mendjen dhe do ta kuptosh që ti nuk je mendja. Mendja është si një makinë në kokën tuaj që prodhon mendime bazuar në interesin dhe në vëmendjen tuaj. Ji i lirë nga mendja, duke i privuar asaj interesin tuaj.

Seancat me një psikolog klinik shumë shpejt do t’ju bënin që të ktheheni nga “viktimë”, në një shkencëtar menaxhues të problemeve të ankthit dhe fiksimeve. Ashtu si gjuha e huaj që mësohet mirë, vetëm me mësues, pra, me trajnim.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Sa vjetërsi pune më duhet për pension?

Next Post

VETËM ME RAPORTET RECIPROKE PËRBALLË SHTETEVE DO TË ARRIJMË TË BËHEMI SHTET I RIBASHKUAR DHE ME SOVRANITET! Nga Fadil Shyti

Advertisement