1Të nderuar lexues dhe botues të gazetës! Kam kohë që dua t’ju shkruaj, por brenga, dhimbja, turpi e mendimi që edhe kush e lexon historinë time do më telendisë, më kanë stepur. Tashmë jam dyzet e katër vjeçe e dhimbja po më gërryen.
Kam lindur në një fshat të thellë në jugun e Shqipërisë. Jemi shtatë fëmijë, pesë djem e dy vajza. Jemi rritur në varfëri të plotë jo vetëm se ashtu ishte koha e kooperativave, por edhe ishim shumë fëmijë, edhe biografinë e kishim përtokë e pushteti i asaj kohe nuk u jepte mundësi prindërve të mi të punonin në shtet që të kishin paga më të mira.
Babi im ka punuar në minierë gjithë jetën, me mendimin që të merrte rrogë sa më të lartë për të ushqyer fëmijët. Për atë rrogë, ai i bëri mushkëritë e tij blozë në minierë, si gjithë minatorët e tjerë. Sot jeton mes ilaçesh e spitalesh. Nëna ime pothuajse s’ka punuar se çdo një vit e gjysëm ishte shtatzënë. Dy fëmijët e parë i ka lindur të vdekur nga puna e rëndë në kooperativë e më në fund, mjekët e spitalit në qytet u bindën se duhej t’i jepnin raport të gjatë. Mjeku i konsultores së fshatit, edhe në shtatzaninë e fundit i thoshte se duhej të dilte në punë. Ajo është rritur jetime dhe veç mungesës së prindërve, edhe gjithë andrallat e tjera i duheshin. Pas vizitave të shumta e raporteve që i dhanë në qytet, nëna arriti të lindte fëmijët e parë. Vëllai im i madh ka lindur yll i bukur e thonë edhe sot mamitë e qytetit që kanë asistuar në lindje. Edhe sot ashtu është, të pushojnë sytë kur e sheh. Jo pse është vëllai im, por është djalë për t’u pirë në kupë. Pastaj lindën edhe dy djem e më në fund, linda unë. Mamaja ime thotë edhe sot që gëzimi për çupën ka qenë si gëzimi për djalin e parë që arrita ta sjell shëndoshë e mirë në jetë. Më pas erdhi vëllai tjetër, më pas një motër me kaçurrelat më të bukur në botë e më pas një vëllaçko tjetër. O Zot, një shtëpi si çerdhe apo kopësht, quajeni si të doni familjen time. Kemi patur shtëpi të vogël e ne dukeshim fëmijë akoma më shumë.
Mamaja ime duke qenë se ishte në shtëpi ato pak rroba që kishim i lante e i pastronte shkëlqenin gjithmonë. Mbaj mend që një triko (deve quhej në atë kohë filli me të cilin ishte e punuar) mamaja ime e ka prishur çdo verë për ta sajuar me modele të ndryshme për secilin që e ka veshur. I shtonte ndonjë vizë sipas fillit që i dhuronte tezja ose nusja e xhaxhit. Mamaja ime nga familja e saj ka patur vetëm një motër, por edhe nusen e xhaxhit e ka dashur si ta kishte motër prej gjaku. Edhe xhaxhin e kemi patur si shok, se ishte goxha më i ri se im atë. Për ne ka qenë festë, lumturi e paparë kur vinte xhaxhi me familjen e tij. Ata kishin tre fëmijë dhe na dukeshin sikur ishin pjesë e familjes tonë edhe ata. Ne u rritëm shumë shpejt. E mbaj mend veten që në shkollë kemi shkuar me vëllezërit e vegjël e motrën në krah se prindërit duhet të punonin, sigurisht, në punët më të rënda. Fëmijëri të vështirë kemi kaluar, por të bukur mes lojërave në lëndina e brigje. Kështu, vëllai i madh mbaroi shkollën e mesme dhe bëri një kurs për shofer. Në atë kohë ishte fat i madh të arrije të bëheshe shofer. U bë shumë i zoti dhe ishte djalë i pafjalë. Ai filloi punë menjëherë pas kursit si shofer i kryetarit të kooperativës. Sigurisht, rroga e tij na dha dorë menjëherë. Pas tij mbaruan shkollën dy vëlllezërit e tjerë njëri pas tjetrit e filluan punë në kooperativë. Erdhi radha ime të mbaroja shkollën e meqenëse vëllai ishte shoferi i kryetarit, më rregulloi që të filloja punë te furra e bukës. Punën e kisha pranë shtëpisë dhe meqenëse në punë kisha gra të reja në moshë, e bënim me radhë të iknim më shpejt, apo të merrnim himet (mbeturinat pasi sitet mielli). Na vinte radha ndonjëherë për të marrë edhe miell sepse na dilnin thasët me peshë më të madhe. Kështu, ekonomia në shtëpinë time ndryshoi.
Përveç ekonomisë, kishim ndryshuar edhe ne fëmijët që ishim rritur. Vëllezërit që ishin më të mëdhenj, duke e patur mendjen të zgjeronin shtëpinë, nuk shihnin çupat lart e poshtë, por unë s’i mbaja dot sytë larg djemve. Kam qenë një vajzë e hijshme dhe bija në sy e sigurisht më kishin ngacmuar djemtë e gjithë fshatit dhe të fshatrave përreth. Shkolla e mesme ishte në fshatin tim për disa fshatra rreth e rrotull, kështu që kishim varacion për të kullotur sytë. Ndërsa flirtimet ishin të përditshme, zemra më rrihte për një djalë të fshatit tim. Ai ishte goxha më i madh. Kishte dy vite që kur më përshëndeste më shihte ndryshe e kishte filluar të më pyeste më gjatë. Në ditët e fundit të shkollës madje më shoqëroi rrugës për në shtëpi se pa një djalë që donte të më fliste.
– Po të shoqëroj, bukuroshe se të kanë zënë pritë, – më tha.
– Çfarë? – thashë dhe ngriva. – Të kanë zënë pritë, djali i X po të pret se helbete, po mbaron shkolla e s’kanë ku të të shohin më, – tha ai dhe eci përkrah meje. – E për ta çuar deri në fund, unë nuk dua që të të flasë njeri. Dua të flas veç vetë më ty, të shoh veç unë, të të afrohem veç unë. Me një fjalë, jam xheloz me Xh të madhe, – tha dhe më shikoi sikur do të më hante. Në atë moment kaluam në rrugën kryesore dhe nuk fola derisa e kaluam atë djalin që më “kishte zënë pritë” dhe pastaj e pyeta jo vetëm me naivitet:
– Ti, xheloz me Xh të madhe për mua? Pse, çfarë kam bërë e çfarë më ke ti mua që na u bëke xheloz? – thashë e qesha sa më hëngrën mushkëritë.
– Ja që ti më pëlqen e dua të të kem për vete, meqë nuk e paske kuptuar akoma. Nuk ke bërë asgjë të keqe, të paktën deri tani e më saktë, nuk do të të kisha lënë të bëje asgjë me askënd se po të ruaj për vete. Pastaj, më ndjek zanati si magazinier e di t’i ruaj gjërat e mia.
U pataksa nga gjithë ato fjalë njëkohësisht, por diçka kisha kuptuar.
Ai, një moment, u ndal e u kthye nga unë. – Pse, ty nuk të pëlqej fare unë? – më tha dhe nuk lëvizi për të ecur. Unë bëra të ecja, por ai më ndaloi.
– Nuk e di, s’e kam menduar asnjëherë, – i thashë, ndërkohë që u përpoqa të merresha me çantën e shkollës që ai të mos shihte dridhjen e duarve të mia.
– Epo, duhet ta mendosh dhe të më tregosh. Tashmë je vajzë e rritur dhe mund të të kërkojë njeriu diçka që i kërkohet një të rriture. Për shembull, unë e dua shumë buzëqeshjen tënde dhe buzët e tua. – U skuqa deri te veshët dhe sigurisht ai e pa e u kthye të ecte. – Dhe ta dish se nuk dua të pres shumë, kam tre vite që të shoh e të ruaj e më ka humbur durimi. Të dua në krahët e mi, kuptove? – më tha ndërsa ecnim, ai normalisht e unë e mpirë akoma më shumë nga ç’më tha në fund.
– Do ta mendoj, – thashë dhe e mbylla gojën. Rrugës përballë nesh po kthenin nga puna në fusha disa bashkëfshatarë tanët dhe N. filloi të fliste muhabete koti për të mbjellat e të korrat që ata të mos dyshonin te ne. Rruga fatmirësisht mbaroi shpejt dhe unë u ndava me të. Kur më dha dorën, më tha:
– Do që të vij të të kërkoj unë apo do vish të më gjesh vetë në magazinë kur të kesh ndërmend të hapësh gojën për të folur? – dhe qeshi.
– Do përpiqem të gjej mundësi e kohë dhe të vij vetë, – i thashë dhe ika me vrap. Nuk është se s’më pëlqeu propozimi i tij, por m’u duk shumë arrogant me mënyrën si ma tha. M’u duk si urdhër, por gjithsesi, ishte urdhër i bukur. Të nesërmen ajo fjala “urdhër” në trurin tim u regjistrua si “ftesë”, por me mbarimin e shkollës, edhe të dalat do të kufizoheshin. E thashë më parë që fillova punë menjëherë pasi mbarova shkollën, kështu që e gjeta një mënyrë të arratisesha. Pas një muaji që ai më kishte përcjellë deri në shtëpi, pas mendimeve të gjata në punë, një ditë ia dola të kaloja nga magazina ku punonte N- ja.
– Erdhe më në fund! Mendova se harrove se ç’fola rrugës, – tha dhe nuk më dha dorën, por më mbështolli në një përqafim të menjëhershëm nga i cili mezi u lirova.
– Mos, se do na shohë njeri! – thashë.
– Le të na shohin, asgjë s’po bëj, po përqafoj të zgjedhurën time, – tha dhe mbylli derën e magazinës. E kuptova që s’kisha nga t’ia mbaja.
– Po ti, nga e di se ç’do të të them unë? Pse e mbyll derën?
– Epo, unë arrij të lexoj në sytë e tu, – më tha. – E di që edhe ty të pëlqej po aq sa më pëlqen ti mua. – Më mori në krahë dhe pas një përqafimi të shkurtër, i liroi krahët e po më shihte në sy.
– Hë, do më thuash që s’të pëlqej? – ishte shumë serioz në pyetjen e tij. E pashë që ishte i përgatitur edhe për ndonjë “jo” timen.
– Jo, erdha të të shoh që të mendoj më mirë për ty, – i thashë. – Nuk di si të ta kujtoj fytyrën kur mendoj se ç’duhet të të them, – i thashë.
Ai u kthye menjëherë me fytyrë nga dritarja, më kapi fytyrën mes duarve të tij e më tha: – Më shih mirë, që në ëndrrat e tua të jem veç unë!
Ndërsa po e shihja me vërejtje, e kuptova që edhe po dridhesha. Ai filloi të më përkëdhelë e përqafojë, por kishte diçka që më bëri përshtypje. Me aq sa kisha parë në filma, meshkujt përpiqeshin të fusnin duart poshtë rrobave apo t’i zhvishnin të dashurat e tyre, ndërsa N., jo, ai vetëm po më përqafonte e përkëdhelte mbi rroba. Mund të kemi ndenjur të përqafuar ashtu për dhjetë minuta dhe më në fund, ai më puthi në buzë.
– Tashmë e kam përgjigjen tënde, – tha dhe më pa.
– Po, – i thashë – e ke përgjigjen time.
E kështu filloi historia e dashurisë sime të parë. Takoheshim herë të magazina e tij e herë në një cep të lagjes nga ana e shtëpisë sime. Pas dy-tre muajsh përqafimesh erdhi edhe marrëdhënia jonë e parë seksuale. N.-ja më thoshte që donte të bindej se isha e virgjër e pastaj të fejoheshim e martoheshim. Sigurisht, ishte shumë i ëmbël, nuk ishte i dhunshëm e as fshatar. Megjithëse kishte lindur e jetonte në fshat, kishte diçka ndryshe nga meshkujt e tjerë të fshatit.
Në fillim, sapo takoheshim, më thoshte: “Hajde shpirti im” dhe më mbështillte në krahët e tij. Pasi filluam të trashnim marrëdhënien tonë, më thoshte: “Hajde gruaja ime”, por nuk po ndihej për fejesë apo për të dërguar të atin që të më kërkonin dorën në shtëpi. Kisha kohë që s’ndihesha mirë e kisha filluar të dyshoja dhe një ditë, i thashë vetë që s’mund ta shtynim më kështu.
– Unë nuk do të dal dot gjithmonë të të takoj ty pa më parë njeri e të dal pa thënë gjë në shtëpi, kështu që duhet ta zgjidhim këtë punë.
– Fillove nga pretendimet edhe ti, si gjithë të tjerat?! Duhet të të dërgoj babanë të të kërkojë në shtëpi që të dalësh e të më takosh?! – m’u vrenjt, ndërsa më tërhoqi për bluze e filloi të ma zbërthente.
– Prit, ma sqaro pak këtë “si gjithë të tjerat”, ça domethënë? – thashë, ndërsa m’u zu fryma.
– Epo, ja, të gjitha vajzat thonë më parë, fejohemi, pastaj takohemi e bëjmë dashuri e të tjera e të tjera si këto budallallëqe, – tha ai.
– Po unë kam një vit që bëj dashuri me ty dhe nuk të kam thënë ashtu, po tani me të vërtetë që po zgjaten gjërat si shumë, – i thashë, ndërsa lotët m’u mblodhën në sy. Nuk doja të qaja në sy të tij dhe po përpiqesha të mblidhja veten kur m’u përgjigj.
– Pse, do të më kërcënosh ti, nuk do të vish më në takim? Këtë do thuash, nëse unë të them që nuk do të vij të të kërkoj në shtëpi? – dhe po më priste t’i përgjigjesha.
– Nuk thashë këtë gjë, pse i ndryshon fjalët? Ajo që thashë është se nuk mund të vazhdojmë kështu shumë gjatë.
– Epo atëherë, edhe ca shkurt do vazhdojmë, nëse jo shumë gjatë, – tha dhe u kthye nga “puna e qejfi i vet” me përkëdheljet e tij. Nuk e di si bëra dashuri atë ditë, por sapo arrita në shtëpi u shtriva dhe u ngrita vetëm të nesërmen për në punë.
Në takimin tjetër i thashë edhe shqetësimin tim të fundit që ishte më kryesori: – Ka tre muaj që nuk më ka ardhur cikli, kam frikë se jam shtatzënë.
– Çfarë? Si mbete shtatzënë ti? Jam i sigurt që me mua s’e ke, – tha dhe i iku fytyra. – E ke menduar mirë se i kujt është fëmija apo më thua kot mua që të më mbetesh në dorë?
– Si i kujt është fëmija? Po unë vetëm me ty kam bërë dashuri, si i kujt është fëmija?! – shastisa unë, por njëkohësisht e kuptova që N-ja nuk do të merrte asgjë përsipër.
– Atëherë, po ta them, fëmija nuk është i imi, ti bëj si të duash. Unë po iki dhe mos më shqetëso më, – tha dhe u kthye të ikte. E kapa përkrahu dhe iu përgjërova të mendohej.
– Të lutem mos më thuaj këtë gjë, ti e di shumë mirë që s’kam të dashur tjetër. Ti e di shumë mirë që fëmija është yti.
– Atëherë po të them se nuk dua fëmijë me ty. Fiksimin që kisha për ty e hoqa. Besoj ia ke kaluar edhe ti mirë me mua.
Ai iku dhe unë, sigurisht, nuk mundesha ta ndaloja. Për tri ditë në shtëpi isha si hije. Vëllai i madh e pa që nuk isha në vete fare dhe një ditë më pyeti se ç’kisha. Ç’të bëja? Të mos i tregoja, barku do rritej e do merrej vesh. T’i tregoja, ishte si ta vrisja.
– E kam një hall, – i thashë – po nuk di si dhe me kë ta zgjidh.
– Po më mirë se më vëllanë, nuk ke tjetër, – tha dhe u ul përkrah meje të më dëgjonte.
Ia tregova fill e për pe. Deri në fund, duroi e nuk foli. Në fund, qau bashkë me mua dhe më tha: – Do ta presim N-në, nëse bëhet i gjallë edhe për një javë. Ndryshe, do të ikim në spital bashkë, – u çua e iku.
Ç’të thosha unë e zeza?! N.-ja nuk u bë i gjallë asnjëherë. Vëllai im një ditë më mori e më dërgoi në një spital në një tjetër qytet. Atje kish folur me një mami dhe bëra abortin. Pas dy orësh, dola nga spitali me zemrën copë. Vëllai kishte qarë jashtë spitalit gjithë kohën e në fakt, e qara e tij dhe e imja bashkë vazhdon akoma edhe sot, sa herë takohemi. Këtë krim timin e di vëllai im i madh dhe N.-ja, po sërish krim mbetet, edhe pse nuk e mori vesh askush tjetër.
A.