E kush thotë se dashuritë me shikim të parë s’ekzistojnë?! Nuk besoni te dashuria me shikim të parë?! Epo, historia e Erkandit me Tedin do t’ju bëjë të ndryshoni mendim. Një rrugëtim i nisur thjesht, ashtu siç nisin të gjitha dashuritë, duke ndjekur një rrugë naive dhe të sinqertë, për të mbërritur drejt një fejese të lumtur. Erkandi është ndër sportistët më të mirë të peshëngritjes shqiptare në të gjithë historinë e saj. Ai i ka dhënë Shqipërisë shumë tituj kombëtarë e ndërkombëtarë, për të rinj e për të rritur, nga evropianët deri te botërorët, por medaljen më të rëndësishme ka atë që i ka falur zemrës, Tedin e tij, vajza simpatike që e ka rrëmbyer “Herkulin” thjesht me një shikim. Përshtypjet e para janë shumë të rëndësishme e duket se kanë qenë pikërisht këto që e kanë vulosur historinë e tyre të dashurisë.
Eraldo Harlicaj: – Hej, përshëndetje! Si jeni njohur ju me njëri–tjetrin?
Erkand Qerimaj & Tedi: – Përshëndetje Eraldo… Ne jemi njohur në një ditë shumë të ftohtë dimri. Në qytetin e Shkodrës te një lokal, ku shkëmbyem edhe shikimet e para. Më pas gjërat rrodhën vetvetiu, sepse pavarësisht se lokali ishte i mbushur, ne të dy dukej se e kishim harruar që ishim në tavolina të ndryshme, komunikonim me sy deri në momentin që Erkandi foli kur po largohej, në mënyrë që në një moment të dytë, të mos ishin harruar ato shikime.
– Çfarë mendove herën e parë që e pe?
Erkandi: – Më tërhoqën shumë sytë e saj, trupi, veshja, çdo detaj. Natyrshëm mendimi i parë që më erdhi në mendje ishte: “Dua ta njoh!”
Tedi: – Mendimi i parë kishte të bënte me buzëqeshjen e tij, m’u fiksua ajo buzëqeshje, më provokonte ta shihja pa pushim. I gjithë lokali me dukej bosh, ishim vetëm unë dhe ai.
Të dy: – Pa dyshim, dashuri me shikim të parë!
– Kush e bëri hapin e parë?
Erkandi: – Tedi, edhe gjatë shikimeve që shkëmbenim dukej e ndrojtur, prandaj me dëshirë unë e hodha hapin e parë. Nëpërmjet të afërmve të përbashkët, arrita të gjeja numrin e Tedit dhe pa hezituar, i telefonova. Biseda vijoi natyrshëm, thjesht dhe pa komplekse.
Tedi: – Në fakt, telefonata e parë e Erkandit më emocionoi shumë dhe gjysmën e fjalëve i kam ngatërruar jo më kot pasi isha në gjumë dhe kur më tha “Erkandi jam…” mu duk më shumë si ëndërr! E prisja atë telefonatë.
– Çfarë ju tërhoqi më shumë te njëri-tjetri?
Erkandi: – Mua më tërhoqi më së shumti komunikimi, mënyra se si e gërshetonte seriozitetin me ëmbëlsinë, energjia dhe pozitiviteti që pasqyronte më bëri shumë për vete. Tedi ishte 16 vjeç kur u njohëm, por tiparet e adoleshencës mund t’i dalloja vetëm kur buzëqeshte si fëmijë apo krijonte atmosferë harmonike, sepse në situata të ndryshme, kishte një sjellje serioze dhe korrekte.
Tedi: – Erkandi është njeri i thjeshtë dhe shumë i dashur; këto detaje më tërhoqën në fillim. Kur dilja me të nuk doja ta njihja Erkandin si kampion, por si njeri. Mënyra se si fliste dhe tregonte për veten pa zbukurime dhe komplekse më përcolli shumë kënaqësi takim pas takimi.
– Kush e dha puthjen e parë?
Erkandi: – Unë e “vodha” puthjen e parë. Është një nga momentet më të bukura të dashurisë sonë. Ishim në makinë, e përcolla Tedin për në shtëpi dhe në momentin që ajo po largohej e putha. Ajo u skuq dhe u largua, ndërsa unë u ndjeva aq mirë…
Tedi: – Edhe unë u emocionova, por qeshja dhe qaja në të njëjtën kohë nga entuziazmi i tepruar. Në moshën që kisha unë, gëzimi nuk kontrollohej lehtë.
– Kur i thatë vetes se kjo\ky është e duhura/i duhuri për mua?
Erkandi: – Sa më shumë e njihja aq më shumë vërehej simbioza. “Kjo është e duhura”, mendova kur mbështetëm njëri–tjetrin edhe në momente shumë të vështira. U dashurova edhe më shumë pas saj kur e shihja se si shqetësohej për mua, më përkëdheli, më qëndronte pranë dhe kur e takoja, ndjeja kënaqësi e qetësi. Si sot, pas katër vitesh dashuri.
Tedi: – “Ky është i duhuri”, mendova kur vëreja çdo ditë e më shumë se sa shumë kombinonim në komunikim, në emocionet e përbashkëta, kur sillej me ëmbëlsi kundrejt meje. Edhe pse kishim kaluar kohë bashkë, më mbante afër si ditën e parë! “E dua dhe dua ta dua gjithmonë”, i thashë vetes, kur në një moment të bukur po edhe të vështirë më vështroi dhe më tha: “Gjithçka do ta kalojmë bashkë, do jemi një!”.
– Cila është nofka që i keni vënë njëri-tjetrit?
Të dy: – Fjalë përkëdhelëse përdorim shumë bashkë, por “Tushi” dhe “Tushe” janë të përditshme.
– Cili është vesi më i keq i tjetrit?
Erkandi: – Kur mërzitet për ndonjë gjë, Tedin duhet ta pyesësh shumë herë për të treguar arsyen.
Tedi: – Erkandi është pak ngacmues dhe nganjëherë qesh shumë edhe kur e sheh se po kaloj në seriozitet. Megjithatë, i shkon për shtat sepse si natyrë, i merr gjërat me sportivitet.
– Për çfarë bëni fjalë më shpesh?
Të dy: – Bashkë kemi 4 vite dashuri dhe sa më shumë njihemi, aq më pak ngatërrohemi, megjithatë si çdo çift, edhe ne kemi ato gërricjet e vogla. Kemi të përbashkët ndjenjën e humorit dhe ndonjëhere njëri nga ne e kalon cakun, pavarësisht se grindja mbyllet me buzëqeshje e harmoni.
– Data juaj më e rëndësishme?
Të dy: – 27.12.2013, kur u fejuam, pas 3 vitesh lidhje.
– Nëpër evenimente, gara apo çmime më shumë emocione ka Erkandi apo Tedi?
Të dy: – Të dy jemi natyra emocionale, por Tedi është më e ndjeshme. Ka raste që përlotet.
– Kush është më romantiku?
Erkandi: – Të them të drejtën, Tedi ma merr.
Tedi: – Lexoj shumë libra romantikë dhe ata më frymëzojnë të bëj sa më shumë surpriza.
– Dhurata më e bukur që keni shkëmbyer?
Erkandi: – Tedi më ka dhuruar një cirk-lojë ku janë të montuara fotot tona në kohë të ndryshme, kujtime shumë të bukura dhe gazmore. Sa herë e shoh, në mendje më vijnë ato momente.
Tedi: – Kisha ditëlindjen dhe po e festonim në bregdet së bashku. Erkandi më përqafoi fort dhe ndjeva se në qafë po më vendoste një varëse shumë të bukur me flutur. Ajo dhuratë më pëlqen shumë dhe më kujton momente shumë romantike.
– Si e kaloni kohën kur jeni përkrah njëri-tjetrit?
Të dy: – Shumë bukur. Nuk ka rëndësi ku jemi; rëndësi ka që jemi bashkë. Na pëlqejnë të njëjtat gjëra, shpesh shohim filma në kinema, dalim xhiro, na pëlqen të udhëtojmë apo thjesht të qëndrojmë në shtëpi duke dëgjuar muzikë dhe duke pirë nga një gotë verë.
– Kënga juaj?
Të dy: – “Dirty dancing – Time of my life”, edhe romantike, edhe ritmike.
– A keni ndonjë plan për martesë?
– Kemi një vit fejesë dhe po e shijojmë këtë etapë. Ende nuk kemi vendosur për martesë, kohën para e kemi.
Erkandi dhe sporti
– Si po shkojnë përgatitjet për në Botëror?
– Stërvitja po shkon mirë. Jam duke zhvilluar nga dy seanca në ditë në bazë të ditëve të caktuara dhe jam i lumtur me rezultatet e arritura. I kam filluar përgatitjet më 1 shtator e gradualisht do të arrij aty ku duhet.
– A jeni në formën maksimale?
– Akoma nuk është në nivelet maksimale, por duke pasur parasysh se kalova një dëmtim të rëndë që më mbajti gjashtë muaj larg stërvitjes, jemi shumë të kënaqur si unë, si trajneri im, Zef Kovaçi. Unë e pasqyroj stërvitjen time edhe në Facebook dhe Instagram dhe çdo ditë, kilogramët janë në rritje.
– Me çfarë pretendimesh shkoni në këtë kompeticion kaq të rëndësishëm?
– Unë kërkoj që të arrijmë të mirën time. Nëse kjo gjë ndodh deri në ditën e garës, jam i sigurt se do të arrij rezultate shumë pozitive. Kjo është një garë kualifikuese për lojërat olimpike “Rio 2016” dhe së bashku me trajnerin do të bëjmë më të mirën që të shkojmë sa më lart, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi unë vij pas një dëmtimi shumë të gjatë dhe nuk kam aq shumë stërvitje. Megjithatë, vitin tjetër kemi edhe Europianin e Olimpiadën dhe disa aktivitete të tjera, ku do të kem mundësi të shfaq veten.
– A mund të themi që dëmtimi ka mbetur pas?
– Ky dëmtim më prishi goxha punë, pasi nuk munda të merrja pjesë në Evropian këtë vit, por më ka penguar edhe në garat që kam zhvilluar. Tashmë, ka mbetur pas, stërvitja shkon mirë dhe forma ime është në rritje.
– Erkand është përfolur në media që peshëngritja nuk do të marrë pjesë në Botëror…
– Është e vërtetë, por në të gjitha takimet që kam pasur, presidenti i federatës, sekretari dhe drejtuesit ma kanë garantuar pjesëmarrjen. Nuk më intereson çfarë flitet nëpër media. Unë kam për detyrë të bëj stërvitje dhe të marr rezultatet.
– Ju keni thënë se primare për ju janë garat jashtë vendit dhe jo në Shqipëri. A mund të na e qartësoni këtë deklaratë që edhe u keqinterpretua?
– Në radhë të parë më lejoni të sqarohem se unë nuk i nënvlerësoj garat në Shqipëri. Kjo deklaratë nuk ka pasur tendencë negative apo ulëse ndaj kompeticioneve në vendin tonë. Unë i respektoj dhe i mbështes maksimalisht organizimet kombëtare, por kam thënë që më me interes shoh garat ndërkombëtare. Në garën e fundit u shpalla kampion dhe mora pikët maksimale, por qëllimi im janë olimpiadat, Botërori dhe Evropianët. Kam mbi 40 medalje ndërkombëtare, rekorde europiane e botërore për të rinj, prandaj shoh më me interes garat jashtë vendit. Dikush mund të ketë objektiv të arrijë më të mirën në kampionatin shqiptar, ndërsa ëndrra ime ka qenë gjithmonë për më lart, në Europë dhe në botë.
– A mendoni se do ta kapni olimpiadën që në këtë garë?
– Unë me këtë qëllim po shkoj në Botëror, për të kapur olimpiadën. Kjo nuk është mundësia e fundit, pasi kemi edhe Evropianin e vitit tjetër. Mundësitë janë të hapura, jam shumë i qetë dhe besoj se do t’ia arrij.