– Elinara, pas publikimit të “Fairytale love” unë pres të më thuash që ti je vajza më e lumtur ose më e dashuruara në botë, si në përralla!
– E dashur… e dashuruar kam qenë dikur. Tashmë, pena ime shkon përtej fantazisë; unë krijoj ndjesi dhe ia përcjell atë artdashësit në mënyrën time… Jam e lumtur që mbas 3 muajsh pune intensive midis dëshirash dhe sakrificash, arrita t’ia dal, solla për ju dhe për vete, “Fairytale love”!
– Pse zgjodhe emrin Nara S, për të prezantuar këtë këngë?
– Nara është emri me të cilin më thërrasin vetëm familjarët e mi, shkurtim i emrit Elinara. Askush nga shoqëria apo të njohurit e mi nuk e dinë këtë. Ndihem e përkëdhelur me këtë emër dhe pse jo, si në përrallë. Unë jam rritur me shumë përralla dhe “fairytale” ma kujtoi këtë. S, është iniciali i mbiemrit tim dhe një nickname i bukur artistik. Mbase më sjell edhe fat!
– Çfarë i ka dhënë De Vox, kësaj kënge?
– De Vox është krijuesi i melodisë së fjalëve që unë thura dhe lezeti i këngës ishte repimi, ku ai e ka shkrirë talentin e tij. Mendoj se ai djalë duhet të këndojë e jo vetëm të krijojë muzikë; është talent!
– Pse kënga është në anglisht? Pse kjo tendencë për të internacionalizuar muzikën shqiptare?
– Në anglisht sepse kështu më erdhi frymëzimi kur e shkrova dhe kur vajta te De vox isha gjithë kohës me “lalala” në mendje, por çdo gjë më dilte në anglisht, ndoshta ngaqë është gjuhë më e butë. Unë kam kënduar anglisht qëkur fillova karrierën me muzikë rok. S’ka asnjë qëllim tjetër.
– Në klip ke trup të pikturuar me ngjyra verbuese, shkëlqim, të gjitha elemente që klipi të mbetet në mendjet e publikut, apo jo?
– Pikturimi i trupit shpreh simbole që janë deshifruese. Meqenëse kënga ka të bëjë me një dashuri përralle midis realitetit dhe ëndrrës, më duhej t’i përdorja ato për ta trajtuar klipin si një minifilm. Hëna dhe dielli janë simbole të dashurisë së përjetshme, asaj më sublimes dhe Venera, vajza lakuriqe që lindi mbi guackë nga deti, personifikon triumfin e dashurisë, mbi të gjitha ligësitë e universit, sipas mitologjisë! Kush do të dijë më tepër, le të studiojë pak për të.
– Në Facebook ke postuar një foto shumë të bukur, ku feston në mënyrën tënde mbarimin e xhirimeve, aq e lumtur sa…
– Fotoja tregon vërtet një triumf për mua. Ia dola edhe pse u lodha shumë, por edhe qava, qesha e gëzova pa fund si fëmijë për gjithë këtë punë që unë e bëj me shpirt!
– E konsideron veten me fat?
– E konsideroj veten me fat sepse kam jetuar, vazhdoj të jetoj dhe çdo ditë në vijim e quaj bekim, pavarësisht se jeta të sjell ditë gri, të bardha apo nga ato si ylber. Çdo sprovë jetike më ka bërë më të fortë, më të përgatitur dhe më të bindur se jeta është e vyer dhe unë, një e bekuar që pata fatin të jem bijë e saj!
– Duket sikur gjithë sa të rrethon tani, është një ëndërr e bukur. Ke qenë dhe je e dhënë pas ëndërrimeve?
– Unë jam një ëndërrimtare fatale, jam rritur qysh fëmijë në prehërin e babait tim me përralla. Bota është e bukur kur ti e ndërton siç do vetë e jo siç ta ndërtojnë të tjerët dhe unë jam e aftë ta bëj këtë sa herë që dikush mundohet të ma shtrembërojë atë.
– Si është një dashuri përrallash?
– Një dashuri pa kushte, e lindur nga hiçi dhe e jetuar nga zemra, e pranuar me shpirt dhe e patjetërsueshme nga askush dhe askund. Një dashuri, kur vjen, të do lakuriq në shpirt dhe të patjetërsueshme për shpirtin tjetër. Uroj të kem qenë e qartë!
– Si e “dashuruar përrallash”, çfarë do t’i thoje një të dashuruari tokësor?
– Edhe në përrallë dashuria është sa e bukur po aq luftë, por ajo realja ndodh rrallë dhe vjen shumë pak në jetë. Lum kush di ta dallojë se cila ka qenë ajo që mos të mos e humbasë kurrë! Lërini mëritë apo zënkat të mos ua ndryshkin shpirtin, jeta shkon shpejt, lum kush di ta mbajë pranë dashurinë!
– Cila është e vërteta që ke mësuar rreth dashurisë përrallore?
– E vërtetë rreth dashurisë përrallore është se ti nuk beson që ajo ekziston. Këtu është kontradikta midis reales dhe përrallës, por jam e bindur që gjithkujt i ndodh njëherë në jetë dhe ne jemi në gjendje ta thurim përrallën tonë vetë, sado e çuditshme të duket ajo! Kush i shpiku përrallat që ne dëgjuam kur ishim fëmijë? A nuk ishin dhe ata njerëz? Ndaj, po e patët një rast të tillë, shkruajeni dhe jetojeni përrallën tuaj. Është e juaja dhe s’e ndryshon dot askush!
– Rrugëtimi yt shumëvjeçar në këngë, ka qenë gjithmonë një vijë e drejtë apo të është dashur të ngjitësh edhe të përpjeta, të futesh në shtigje të panjohura më parë, me kthesa dhe vështirësi?
– Rrugëtimi im gjatë viteve është si të kesh ngjitur Himalajat në gradët plus dhe minus. Mijëra herë jam përvëluar e jam ngrirë mijëra herë, jam bërë urë e ujëvarë për njerëzit, jam bërë shi e pluhur, zjarr e shkëmb gjithashtu. Por, kjo është jeta, sprovë e njeriut, dhuratë të cilën njeriu duhet ta shkëmbejë me sakrificat e tij. Erdhëm duke qarë në këtë botë pikërisht për këtë!
– Për çfarë të është dashur më shumë kohë dhe durim në jetë?
– Për gjithçka, por më shumë për të rritur veten time, për t’u bërë një njeri i pazëvendësueshëm për ata që më kanë pranë dhe për ata që mbaj në zemër gjithmonë.
– Çfarë konsideron humbje kohe?
– Injorancën në tërësi, cektësinë e njerëzve megalomanë, pra, të rrish dhe të harxhosh kohën tënde të vyer me njerëz pa vizion dhe shumë të varfër në shpirt. Ata kurrë nuk do të jenë mirënjohës karshi teje, pavarësisht çka ti u jep!
– Kujt ia dedikon gjithçka ke arritur deri tani?
– Gjeneve të mia. Babai im i ndjerë thoshte gjithmonë se një njeri fisnik lind dhe nuk bëhet. Besoj shumë në gjene. Shkolla është një byzylyk që ti i vë vetes për ta përdorur për një qëllim të caktuar në jetë, por njeriu lind dhe nuk bëhet!
– Ndonjë nga këngët e tua, reflekton emocione të tuat?
– Po, ka shumë këngë që lidhen me jetën time. Përveç fantazisë, 50% jam unë aty!
– Nëse të them se po vjen festivali i fundvitit në TVSH, çfarë më thua?
– Festivalet janë të shitura që në fillim dhe besomëni, unë as nuk shes art dhe as nuk blej, krijoj çka kam në zemer dhe ua servir atyre që më ndjekin me shpirt!
– Cila është ajo që do të hezitoje ta tregoje publikisht?
– Hëm, pyetje me spec! (Buzëqesh) Është një shprehje që thotë se “gjynahet dhe paratë nuk tregohen kurrë”. (Qesh) Jeta ime private është e imja për sa kohë unë jam zot i saj!
– Je e vëmendshme ndaj shtypit që shkruan për ty?
– Shtypi është një mendje e tjetërsueshme. Jam e vëmendshme aq sa duhet, s’jam tipi që jap intervista pikërisht për këtë. Të tjera them unë e të tjera shkruajnë ata.
– Për çfarë e shfrytëzon më tepër internetin?
– Interneti për mua është i domosdoshëm për marrjen e informacionit në kohë rekord. Kaq. Jam aktive më shumë në Facebook, për hir të punës. Aty shfaq herë pas here aftësitë e mia artistike, por nganjëherë shpalos edhe rebelizmin tim karshi padrejtësive të ndryshme në realitetin që po përjetojmë!
– Raporti yt me modën që lëviz…
– Çfarë është moda? E dashur, që fëmijë modën ia kam përshtatur vetë tipit e karakterit tim dhe vazhdoj kështu. Më pëlqen unikja dhe atë e krijoj vetëm vetë!
– Kush mund të jetë një shoqërues/e i/e mirë për shopping?
– Shopping rrallë bëj, por dua të jem vetëm. Jam më e kthjellët, s’m’i ngatërron kush mendimet.
– Ty, çfarë të ndodh zakonisht në momentin e fundit?
– Në momentin e fundit mund të përmbyset bota dhe pse ti mendon që ke kapur parajsën. Mua gjithmonë më kanë ndjekur të papriturat, qofshin këto të dyanshme, të mira apo të këqija!
– Cila është kënga që do të zgjidhje për të filluar ditën?
– Këngët e preferuara janë me qindra, sipas gjendjes shpirtërore!
– Po për të mbyllur fundjavën?
– Unë jam gjithmonë kundër rrymës, dëgjoj ç’më do zemra.
– Nëse do të vendosje të bëje një ndryshim në jetën tënde, cili do të ishte ai?
– Do të doja të isha një ditë e plotfuqishme dhe të mos kisha lindur në këtë vend, edhe pse e dua marrëzisht. Ka gjëra që më dhembin dhe më vjen tmerrësisht keq që s’mundem ta ndryshoj këtë vend!
– Nëse të them se kësaj interviste i erdhi fundi…
– Shpresoj që lexuesve t’u kem dhuruar 1% kënaqësi nga bota e Narës dhe të falënderoj ty për këtë intervistë! Përqafime për të gjithë. Me shumë dashuri, Elinara Shehu!