Sapo ka sjellë për publikun “Të du”, një këngë shumë të këndshme dhe ndryshe nga ç’jemi mësuar të dëgjojmë prej saj, në bashkëpunim me Arsenin. Bukuroshja pukjane, përpos impenjimeve të tjera, më 26 dhjetor kurorëzon edhe dashurinë me njeriun e jetës së saj, në një ceremoni të bukur martesore…
Fabjola Kuburi: – Anjezë, ke ardhur me shumë këngë dhe klipe. Pse kjo zgjedhje?
Anjeza Ndoj: – Klipi është mënyra më e mirë për të ardhur më pranë publikut, më pranë adhuruesve që, sapo kalon pak kohë, të pyesin: “Kur do të na sjellësh ndonjë këngë të re?”. Përveç kësaj, klipi është një element që nuk të lë të harrohesh. Unë sapo kam prezantuar edhe klipin tim të ri “Të du”, një këngë që është pritur mjaft mirë dhe që shpresoj të vazhdojë të pëlqehet për një kohë të gjatë.
– Përgjithësisht, këngëtarët vendosin t’u bëjnë klipe këngëve më pak të suksesshme, ndërsa me ty ka ndodhur e kundërta. Pse?
– Unë bëj klip ato këngë që mendoj se publiku dhe fansat i duan! Pra, jam në dispozicion të shijeve të fansave të mi. Tashmë e di çfarë presin nga unë, kemi shije të përbashkët.
– Sa e ngarkuar je në këtë periudhë?
– Në këtë periudhë? Booo, mos pyet! Po përpunoj ca këngë, jam e ftuar në shumë evenimente të fundvitit, kam dasmën time, udhëtimin drejt SHBA-së sepse natën e ndërrimeve të vitit do të jem pranë bashkatdhetarëve në Amerikë. Domethënë, super ngarkesë!
– Nëse nuk je duke kënduar diku, çfarë je duke bërë?
– Krejt thjeshtë, rri në shtëpi, relaks, merrem me veten, dal me mamin për kafe…
– E ke ditur se do të kishe këtë sukses që përpara se t’i futeshe kësaj rruge apo suksesi erdhi papritur?
– Unë rrjedh nga familje artistësh, kam kënduar që e vogël në evenimente të ndryshme me babin tim. Gjithnjë e kam ndjerë magnetin që më ka tërhequr dhe magjinë e dashurisë së publikut, që s’më ka munguar kurrë, që e vogël e deri më sot.
– Çfarë kujton gjithmonë me nostalgji nga koncertet ku ke qenë e ftuar?
– Ka shumë ngjarje dhe kujtime të bukura gjatë koncerteve, por një që më ka mbetur në mendje është një burrë i moshuar që fatkeqësisht ishte i paralizuar. Këndoja në pagëzimin e nipit të tij. Ai kishte ikur në emigrim që në komunizëm dhe kishte vite që nuk lëvizte dot. Më puthi në ballë dhe më tha: “Të bekoftë Zoti moj bijë, kudo që shkel këmba jote! Sa herë dëgjoj këngën “Vendet e mija” mbyll sytë dhe më duket sikur vë në lëvizje këmbët dhe shëtis në çdo vend e pëllëmbë të Pukës ku kam lindur. Edhe pse kam vite i paralizuar, kënga jote më bën të eci”. U emocionova shumë dhe nuk e harroj atë moment që i shtrëngoja duart dhe ai përlotej.
– Na trego më shumë për këngët e tua…
– Këngët e mia janë përpunime, por edhe të reja. Të përpunuarat i kam sjellë me shumë dashuri sepse me ato jam rritur që e vogël që i këndoja me babin, ndërsa te të rejat jam munduar të jap idetë e mia, paralelisht me shijet e publikut
– Me cilën ose me cilat këngë je shumë e lidhur?
– Me “Vendet e mia”, pa diskutim, jam shumë e lidhur. Pastaj, “Moj e mira që shkon për ujë”, “Shpirti im”, “Mos t’thonë kush Mirditë e vogël”, “Dasëm shqiptare”, “Të du”. Jam e lidhur me të gjitha këngët e mia sepse publiku m’i kërkon kudo që këndoj.
– Ku përpiqesh të ushtrosh kontroll mbi veten?
– Që të mos e besoj sinqeritetin fals të njerëzve! Këtu më duhet vërtet kontroll sepse besoj dhe zhgënjehem.
– Je e kënaqur me zgjedhjet që ke bërë deri më tani?
– Jam shumë e kënaqur, madje e lumtur me zgjedhjet dhe dhuratat që m’i ka bërë Zoti! Kam një familje të mrekullueshme, kam një bashkëshort ideal dhe shoqe, mikeshën e jetës, Vida Kunora, me të cilën ndaj çdo gjë timen!
– Çfarë të bën të ndihesh krenare?
– Jam krenare për origjinën, Pukën, për çdo pëllëmbë të sajën, për çdo njeri të atij vendi, për çdo artist që vjen nga ky vend, që i kam edhe idhuj.
– Çfarë konsideron gjënë më të bukur që ke fituar nga karriera?
– Një festival folklorik mbarëkombëtar para 5 vitesh ku njoha bashkëshortin tim, që ishte një ndër udhëheqësit e këtij evenimenti.
– Jeta e artistëve është një zinxhir veprimtarish e ngjarjesh. Është bërë rutinë kjo për ty apo vazhdon të jetë pjesë e kënaqësisë?
– Është lodhje, sakrificë, udhëtime, por është një kënaqësi e veçantë kur të presin kaq përzemërsisht! Zoti i bekoftë shqiptarët dhe patriotët e mi! Ndjehem e privilegjuar, vërtet.
– Me çfarë është në proporcion suksesi?
– Me punën, fatin dhe këmbënguljen. Të treja bashkë bëjnë një të plotë, suksesin! Unë i kam të treja, falë Zotit.
– Cila është skena më e madhe ku ke kënduar ndonjëherë?
– Në Itali, para një viti, në super koncertin e një shoqate shqiptare ku merrnim pjesë shumë këngëtare të njohur. Unë mbaja të veshur rrobën kombëtare pukjane dhe performova para 2 mijë vetëve, duke përfaqësuar Pukën time të dashur.
– Po flitet kaq shumë për krizën… Po muzikën, e ka prekur kriza?
– E ka prekur ca, por unë ende nuk e kam ndjerë, falë Zotit! I kronometroj mundësitë e publikut me pagesat që kërkoj dhe jam non stop e angazhuar. Zë puna punën dhe kriza nuk ndjehet.
– Cili është komplimenti më i bukur që të kanë bërë dhe që nuk e harron asnjëherë?
– “Të këndoftë e bardha zemër, o Zot”. Kjo fjali që buron nga shpirti, më pëlqen pa fund.
– Cili është shembulli që ti ndjek në jetën tënde?
– Mami im! Ajo më mbështet, më shoqëron, më ndihmon, më relakson, më këshillon, është bota, jeta, fryma dhe shembulli im.
– Në cilat vende e ndjen se publiku të do vërtet shumë?
– Ndjej që më duan kudo, në Pukë, Malësi e Madhe, Mal i Zi, Kosovë, Maqedoni e Diasporë.
– Çfarë do të të bënte të bije në gjunjë?
– Vetëm Zoti dhe mami im.
– Ia njeh vetes pikat e dobëta dhe përpiqesh t’i fshehësh ato?
– Ia njoh pikat e dobëta… Nganjëherë i fsheh, nganjëherë me shfaqen padashur. Jam tip shumë emocional, shumë e ndjeshme, ndonjëherë harroj dhe shfaq çdo dobësi.
– Me çfarë je e lidhur ngushtë në performancat e tua?
– Jam e lidhur me gjithçka shumë ngushtë… shije, modë, tendencë, traditë.
– Në ç’rast do të “guxoje” të dilje jashtë stilit?
– Në asnjë rast! Dua të jem vetvetja.
– Si do të ishte Anjeza djalë?
– S’do ta lëndoja kurrë një femër të sinqertë.
– Përpiqesh të jesh gjithmonë më e mira?
– Ambiciet e mia janë egoiste, por gjithnjë në favor të së mirës ndaj vetes dhe njerëzve që më rrethojnë.
– Anjeza, si do ta mbyllim, në fund?
– Falënderoj publikun që më do dhe falë të cilit jam sot këtu ku jam. Falënderoj familjen time, bashkëshortin tim për mbështetjen, miken dhe zemrën time Vida Kunora, si dhe çdo njeri që kam pranë vetes, që më duan dhe i dua. Gëzuar festat e fundvitit! Zoti i bekoftë kudo që janë shqiptarët dhe viti i ri sjelltë vetëm ditë të bardha të bekuara mbarësi, paqe e dashuri. Do jem çdo herë pranë jush me performanca dhe projekte të reja.
Blerta