Erkida, ose siç është bërë e njohur nga roli i saj në shoun satirik, Lemja e “Alpazar”-it, vjen këtë herë në një rrëfim sa të çiltër, po aq edhe me humor. Ajo e do aq shumë këtë shou sa nuk do ta linte për asnjë arsye në botë, sepse e shikon si shtëpinë e saj të dytë, ku mbizotëron harmonia dhe gallatat pa fund…

 

Fabjola Kuburi: – Përshëndetje Kida! Çfarë ka ndryshuar nga hera e fundit që jemi takuar?

Erkida Ruçi: – Përshëndetje! Tek unë personalisht si Erkida nuk ka ndryshuar asgjë, jam ajo që kam qenë. (Qesh) Përsa i përket “Alpazar”-it, ka pasur një rritje të ndjeshme të suksesit.

– Kam vënë re se je gjithmonë e zënë me prova…

– Është e vërtetë! (Qesh) Në fakt, ka qëlluar gjthmonë të flasim të enjten ose të premten, kur jemi shumë të zënë me prova gjatë gjithë ditës, kemi fluksin më të madh të punës.

– Si e kalon ti një ditë të zakonshme?

– Një ditë e zakonshme për mua nis në punë, më pas kafe me shoqërinë, ndonjëherë në kinema, bëj shopping ose shikoj ndonjë shfaqje. Pjesën tjetër të kohës e kaloj në shtëpi.

– U bë kohë që je pjesë e trupës së “Alpazar”-it. Si ndihesh?

– Për mrekulli! “Alpazar”-i është si shtëpia ime e dytë; të gjithë shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Jemi si një familje aty, mbizotëron harmonia dhe gallatat pa fund.

– Nëse do t’i vije një emër marrëdhënies mes aktorëve të “Alpazar”-it, si do ta quaje?

– Supermarrëdhënie!

– A jeni ju po aq me humor edhe jashtë spektaklit?

– Sigurisht që po, humori është bërë pjesë e jetës tonë të përditshme. Ne qeshim dhe jemi në humor edhe kur nuk jemi në spektakël.

– Cila është për ty fjala ose fraza më e bezdisshme?

– Të thuash “jo”.

– Nëse do të kishe një ftesë për të interpretuar jashtë Shqipërisë, do ta lije “Alpazar”-in?

– Jo vetëm për një ftesë jashtë, por për asnjë arsye në botë nuk do ta lija “Alpazarin”.

– Cili ka qenë ai moment që ti i ke thënë vetes: “këtu e teprove”?

– Nuk para e teproj me veprime apo situata, kështu që nuk mbaj mend t’i kem thënë vetes kështu ndonjëherë. (Buzëqesh)

– Kafenë e pi në të njëjtat vende e me të njëjtët miq apo ke ndryshuar zakon?

– Nuk ka ndryshuar asgjë tek unë. Vendi ku e pi kafenë varet nga situata dhe vendi ku ndodhem, por di të them se kam shumë miq të mirë.

– Cila është gjëja që të lumturon më shumë në jetë?

– Më lumturon familja ime, pa dyshim, fakti që jam pjesë e “Alpazar”-it dhe punoj pranë një talenti e një mjeshtri të madh si Agron Llakaj.

– Cili është kujtimi më i trishtuar që ke dhe që do të doje të të zhdukej nga kujtesa?

– Mos ma kujto, se më kafshoi qeni para katër ditësh! (Qesh)

– Nëse do të bëhej një reality shou me personazhe publike, do të merrje pjesë?

– Jo, nuk besoj se do të merrja pjesë. Unë kam shumë qejf dhe me pasion këtë që bëj në “Alpazar”. Te të tjerat nuk e gjej veten, prandaj nuk e shoh të nevojshme të bëj diçka tek e cila nuk gjej veten.

– Cila është këshilla më e bukur që ke dëgjuar në jetë dhe nga kush?

– Më këshillon shpesh mami, më thotë që jeta është luftë, ndaj duhet luftuar për të shijuar bukuritë që ajo ofron.

– Po lokalet dhe jetën e natës, i frekuenton?

– I frekuentoj, si jo, por nuk jam e varur prej tyre. Me masë, çdo gjë.

– Na thuaj një batutë që e thua shpesh dhe të bën të qeshësh?

– Janë shumë batuta, por do veçoja dy: “Më thoshte gjthmonë gjyshnja mua: “o Leme o Leme”. “Hë”, i thonja unë. “Hiç takort”. Tjetra është: “A të keqen aaa jepiii selleja”. (Qesh)

– Thonë se aktorët e humorit janë euforikë…

– Sigurisht, euforia është ajo gjendje që të bën të ndihesh këndshëm në biseda dhe kur janë të tilla, janë biseda të mrekullueshme.

– Ka kontradikta mes aktorëve të “Alpazar”-it?

– Absolutisht jo. Ne shkojmë kaq mirë sa sy mos marrshim! (Buzëqesh) Jemi një zinxhir i pandashëm, hallkat e të cilit sa vijnë e shtohen.

– “Alpazari” është ambicia jote kryesore, apo ke ndonjë synim tjetër?

– Sigurisht që “Alpazari” është ambicia kryesore.

– Cili ka qenë momenti më me humor apo një situatë që ti sa herë e kujton, qesh?

– Kemi qenë në një ditëlindje te puna dhe po festonim. Në sfond ishte muzika e valsit dhe Goni më kërkoi të kërcenim bashkë. Mua, nga emocionet, se si m’u morën këmbët dhe mirë që u rrëzova vetë, po rrëzova edhe Gonin! (Qesh)

– A mërzitesh shpesh?

– Jooo, jam tip që i marr gjërat me sportivitet. Rrallë ndodh që të mërzitem. Edhe po ndodhi, dihet që do të jetë për ndonjë problem shëndetësor, që larg qofshin. (Qesh)

– A është thjeshtësia karakteristikë e jotja?

– Po ku ka më mirë sesa të jesh i thjeshtë?! Ashtu jam dhe unë.

– Na trego diçka të cilën ta mbajmë mend gjatë…

– Çfarë mund të mbahet mend më shumë sesa: “O Leme, o Leme… heeeee… ka ndonjë burrë këtu a jo?”. (Qesh)

– I përdor batutat e roleve të tua në situatat e jetës së përditshme?

– Po, i përdor goxha. Ato tashmë janë pjesë e jetës sonë.

– Jam kurioze të di, si i ke marrëdhëniet me Facebook-un?

– Facebook-un e përdor shumë gjatë ditës. Qoftë edhe kot pa postuar asgjë; më është bërë si refleks që duhet hapur çdo çast.

– Po me djemtë, si i ke marrëdhëniet? Toleron apo duhet të dalë gjithmonë e jotja?

– Unë jam tip që përshtatem kollaj. Edhe me djemtë kështu ndodh, nuk ka pse të mos jetë kështu.

– Cila është “çmenduria” më e madhe që ke bërë kur ke qenë gjimnaziste?

– Kam qenë çapkëne, por nuk kam bërë çmendurira. (Qesh)

– Cilat janë gjërat primare, që ëndërron t’i bësh deri në fund të jetës?

– Gjërat që do çdo njeri: të ketë shëndetin, një familje dhe të ketë lumturi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here