Menstruacionet tuaja kanë ikur prej ditësh tashmë, megjithatë ju vazhdoni të keni njolla gjaku në mbathje? Ky fenomen në anglisht quhet spotting (nga fjala spot- njollë). Ndërkohë që nuk i keni me qejf menstruacionet, imagjinoni bezdinë që ato të vazhdojnë edhe për shumë ditë (sigurisht, jo aq të bollshme). Atëherë, cilat simptomat, shkaqet dhe këshillat e dhëna nga doktorët për këtë fenomen?
Simptomat
Për kujtesë, cikli menstrual zgjat për një periudhë nga 21-36 ditë. Gjatë kësaj periudhe trupi i gruas përgatitet për arritjen e vezës së pllenuar, duke shkaktuar kështu trashjen e endometrit dhe shtimin e nivelit të estrogjeneve dhe të progesteronit. Megjithatë, kur veza nuk është e pllenuar, niveli hormonal bie dhe veshja e brendshme e mitrës del jashtë në formën e menstruacioneve. Nëse, pas një jave, gjaku vazhdon, bëhet fjalë për spotting. Këto dalje janë shumë të lehta dhe ndodhin ndërmjet menstruacioneve. Në përgjithësi, ato ndodhin në çdo cikël dhe nuk janë problematike. Në shumicën e rasteve është faji i progesteronit dhe i estrogjeneve që nuk përputhen me njëra-tjetrën. Megjithatë, nëse këto gjakrrjedhje janë të shumta, bëhet fjalë për metroragji dhe duhet të konsultoheni me një specialist.
Shkaqet e spotting-ut
Shkaqet janë të shumta, por në shumicën e rasteve, nuk janë problematike:
Pilula kontraceptive
Gratë mendojnë (nganjëherë gabimisht), se me marrjen e pilulës, menstruacionet e tyre do të rregullohen si me magji, por një dozim i gabuar mund të sjellë çrregullime hormonale, pra, të çekuilibrojë ciklin. Vetëm kujdes, mos i ndërprisni pilulat nëse keni njolla të lehta. Kjo nuk do të thotë se ajo nuk është efikase, por vetëm që nuk është dozuar si duhet. Për më tepër, ndërprerja e pilulës rrezikon të provokojë një ovulim të ri dhe kështu, edhe një mundësi për të ngelur shtatzënë. E njëjta gjë vlen edhe për metoda të tjera kontraceptive, si patçi, sterileja, diafragma, etj. Sterileja ka tendencë që të zgjasë menstruacionet, ndaj është e kotë të alarmoheni menjëherë (përveçse nëse kjo situatë bëhet e vazhdueshme).
Stresi
Ai është shpesh armiku më i keq i trupit tonë. Stresi shkakton një çrregullim hormonal, ndikon në florën vaginale dhe çekuilibron ciklin, duke zgjatur menstruacionet.
Një udhëtim i gjatë
Udhëtimi i gjatë, sidomos kur bëhet me ndryshim të madh orar, ndikon jo vetëm te gjumi dhe gjendja jonë e përgjithshme, por edhe te cikli.
Një fillim shtatzanie
Në disa raste, në fillim të shtatzanisë, megjithëse veza ka zënë vend në mitër, trupi e vazhdon ciklin normalisht. Zakonisht, kjo ndodh në dy-tre muajt e parë të shtatzanisë. Ky fenomen ndodh te çereku i grave shtatzëna.
Fibromë në muret e mitrës
Një fibromë mund të shkaktojë frikë për tumor, por në shumicën e rasteve ato janë beninje dhe trajtohen shpejt. Sido që të jetë, është mirë të vizitoheni te mjeku.
Sapo kanë filluar menstruacionet
Trupi juaj është duke ndryshuar dhe ka nevojë për pak kohë që të familjarizohet me gjithë këto përmbysje hormonale. Kështu, ka gjasa që gjatë dy vjetëve të para të menstruacioneve t’ju ndodhë spotting-u.
Jeni në paramenopauzë
Kjo është pak a shumë njëlloj si në rastin e mësipërm; trupi do të mësohet me ndryshimet hormonale, me faktin se nuk ka më nevojë të përgatitet për një vezë të pllenuar dhe, si pasojë, nuk ka më nevojë të ketë menstruacione një herë në muaj. Mos kini frikë, këto gjakrrjedhje të lehta do të largohen shpejt.
Në mënyrë të përgjithshme, fenomeni i spottingut nuk është i rëndë, njollat e gjakut janë të pakta dhe nuk shoqërohen me dhimbje, por ato nuk duhen neglizhuar në çdo rast. Kur ky fenomen bëhet i vazhdueshëm dhe ju shkakton probleme në jetën e përditshme, ai mund të jetë shenjë e një problemi më të rëndë. Kërkojini këshillë gjinekologut tuaj dhe bëni analiza më të thelluara. Në rastin e një fibrome të mitrës (pra, një tumori jokanceroz), madhësia e saj mund të ndryshojë dhe të arrijë vëllimin e një shalqiri (nuk ka nevojë ta imagjinoni…). Mjeku juaj, pra, do t’ju bëjë ekzaminime të ndryshme, në mënyrë që të bindet se është një fibromë beninje dhe jo e rrezikshme. Nëse ajo bëhet shumë e madhe, mund të shtypë organet e tjera dhe të shkaktojë nevoja të shpeshta për të urinuar, mbajtje uji nga trupi, ose ulje pjellorie. Nëse ju mendoni se spotting-u që keni është pasojë e metodës kontraceptive që përdorni, atëherë kërkoni bashkë me gjinekologun një dozë tjetër pilule. Zakonisht, ai ju propozon një analizë gjaku, për t’u siguruar që niveli juaj hormonal është normal.