– Jam administratori i një kompanie në Tiranë dhe e ushtroj aktivitetin konform ligjeve në fuqi. Përveç punonjësve të cilët i kam të gjithë të deklaruar në organet tatimore, për shkak të punës kam marrë në strukturat e kompanisë edhe një praktikant, të cilin e kam të deklaruar. Para disa kohësh, më erdhën për kontroll tatimorët të cilët pa kryer asnjë verifikim, më vendosën një gjobë në shumën 100.000 lekë të reja me arsyen se praktikantin nuk e kisha deklaruar me siguracione kur në fakt unë disponoj Kontratën e Praktikantit si dhe Policën e Sigurimit të Aksidenteve Personale. Theksoj që tatimorët ma vendosën gjobën pa kërkuar asnjë dokument dhe pa bërë asnjë verifikim. A është e drejtë gjoba? Si mund ta zgjidh këtë situatë? Çfarë rruge të ndjek për ta hequr këtë gjobë të padrejtë?
Av. Vera Xhafaj “Elite Lavv Office” Cel. +355 69 81 81 801: – Përshëndetje i nderuar zotëri. Së pari, më vjen keq vërtet që ju është dashur të përballeni me një situatë të tillë. Nuk janë të pakta rastet në Shqipëri kur drejtuesit e kompanive, edhe pse i respektojnë ligjet, detyrohen të përballen me situata të tilla të ndërlikuara. Të kthehem te çështja juaj. Në rast se ju keni Kontratën me Praktikantin duke respektuar procedurat e parashikuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1114, dt. 30.07.2008 duke e deklaruar pranë Zyrës Rajonale të Punës që ndodhet pranë Qarkut tuaj përpara fillimit të trajnimit/praktikës dhe në rast se dispononi Policën e Sigurimit e cila duhet të mbajë një datë përpara fillimit zyrtarisht të trajnimit/praktikës, atëherë mendoj se gjoba e vendosur ndaj jush është e padrejtë.
– Këtë situatë mund ta zgjidhni duke kryer apelimin e masës administrative (gjobës, në rastin tuaj) fillimisht në rrugë administrative, që do të thotë pranë Drejtorisë së Apelimit në Drejtorinë e Tatimeve për të kërkuar Anullimin e Njoftim Vlerësimit (gjobës). Pasi të keni ezauruar të gjithë procedurën e ankimit pranë organeve administrative dhe ende nuk keni gjetur zgjidhje të problemit tuaj, atëherë duhet t’i drejtoheni Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë me një Kërkesë-Padi “Shpallje të pavlefshme të Njoftim Vlerësimit Nr. ..”. Shpresoj t’i jepni sa më parë zgjidhje kësaj problematike.